Elegji për edukimin patriotik të masave

Nga shënimet e burgut të shokut dhe komandantit suprem Azem Syla, vëllimi i parë, burgu i Prishtinës, Republika e lirë dhe e pavarur e Kosovës, prill 2016.

Foto: Shutterstock



Shesim toka, blejmë toka, mashtrojmë blerës, frikësojmë shitës, falsifikojmë letra, manipulojmë plane rregullative, urbanizojmë tokë buke, tokën e bukës e mbulojmë me magazina, magazinat i mbushim me mall të Serbisë dhe Maqedonisë, bashkëpunojmë me ish-policë të Serbisë, madje edhe me të tillë që deri më 1999 ishin krenarë që para Hotel Grandit qëndronte parulla «Ndalohet hyrja për qenë dhe shqiptarë», nënshkruajmë kontrata patriotike dhe dëgjojmë Cecën, krejt Cecën e dëgjojmë, oh bash krejt, në origjinal: ‎«Poziv. Ime i prezime. Da raskinem s njom. Pet minuta. Mrzi me. Brat. Turbulentno. Vidimo se, daso. Udaće se suze moje. Dobro sam prošla».

Jemi patriotë zemërpërvëluar e shpirttrazuar, vdesim për nënën Shqipëri, por pazaret i bëjmë me Serbi – në Stara Serbi. Në mendje kemi Prekazin e Qirezin, Likoshanin dhe Mejën, Krushën, Suharekën dhe Gjakovën, por shpirtin e kemi te bizneset tona në Çagllavicë e Llapnasellë, sepse jemi atdhetarë, ditë e net bëjmë nga një punë të mbarë. Djegim letra kadastre, falsifikojmë dokumente për sipërfaqen e tokave bujqësore, për pyje, male e kullota, livadhe, lumenj e përrenj, puse e kodra, udhë e shtigje. Djegim e kallim çfarë na e zë rrugën në marshin tonë për një Kosovë demokratike, të lulëzuar e përparuar, djegim, sepse «familja, prona, shteti» për ne janë të shenjta.

Ndukim, zhdukim, fshijmë nga faqja e dheut, grabisim, vjedhim, plaçkitim, fshehim, transferojmë, bartim, shlyejmë, ngjyejmë, koncesionojmë, privatizojmë, gërryejmë, zhgërryejmë, përlyejmë, zhyejmë, ndyjmë. Sepse jemi patriotë. Sepse jemi burra. Sepse mustaqet tona janë të verdha si këmba e sokolit. Sepse tymi i duhanit tonë s’i djeg mushkëritë tona, por përvëlon armiqtë tanë – ata që na e kanë inat, ata që nuk u gëzohen sukseseve tona, ata që nuk po e pranojnë kontributin tonë për çlirimin e Kosovës, ata që s’po i besojnë sloganit tonë «familja, prona, shteti». Ata – dreqi i marrtë, edepsëzë, të poshtër, të pacipë e të pafytyrë, të pandershëm e të paturp. Duhet ta dinë derëzinjtë e faqezinjtë se ne e duam Kosovën, ne e duam Amerikën, ne e duam Europën, ne e duam Gjermaninë, shumë e duam edhe Zvicrën, Austrinë (sepse atje, në një muze të Vjenës, është edhe shpata e Skënderbeut dhe përkrenarja e tij), e duam edhe Francën, Britaninë e Madhe, Italinë – por, kur është në pyetje kuleta jonë, më së shumti e duam Serbinë.

Ne jemi fisnikë, mistikë, mistrecë, që punëve u biem mistri, sepse kemi luftuar për liri. Kosova është çanaku ynë, ku gjenden të mirat e pavarësisë dhe premtimet e ardhmërisë. Ne zaptojmë ara, mbjellim arra, shartojmë ide, bëjmë ligje, thurim paragrafë, shkruajmë nene, shkelim Kushtetutë, sepse s’dimë ç’është fjala tutë, tutë, tutë. Sepse ju, elektorat i dashur, jeni të urtë, të urtë, të urtë. Familja jonë është e madhe, prona jonë po bëhet gjithnjë e më e madhe… Po shteti? «Çka âsht ai, allahile? A hahet?» Vazhdojmë me këngën e Cecës: «Kukavica, nisam znala, da si takva kukavica».