E vërteta e hidhur e gjermanit Bernd Baumgarten, i cili jeton në Mitrovicë

68-vjeçari jeton qe 10 vjet në Mitrovicë dhe angazhohet për shkollimin e të rinjve. Për radion publike gjermane ai i bën këtë përshkrim politikës në Kosovë: «Kemi një përzierje mes korrupsionit, mungesës së fantazisë, mungesës së vullnetit dhe një mënyre tjetër të të kuptuarit të shtetit». Me këtë politikë të rinjtë nuk mund të jetojnë në Kosovë.

Mitrovica.



Kështu tingëllojnë njerëzit që me të drejtë e humbin durimin me klasën politike: «Për fat të keq kemi punë me pushtetarë të cilët në pothuaj të gjitha postet politike që i mbajnë kanë pak vullnet kreativ dhe janë tepër të zënë për të mbajtur mirë veten dhe klanet e tyre. Kemi një përzierje mes korrupsionit, mungesës së fantazisë, mungesës së vullnetit dhe një mënyre tjetër të të kuptuarit të shtetit». Kështu thotë Bernd Baumgarten, drejtues i organizatës zhvillimore gjermane Diakonie Kosova në Mitrovicë në një kronikë të radios gjermane mbi gjendjen në Kosovë. 68-vjeçari jeton qe 10 vjet në Mitrovicë dhe angazhohet për shkollimin e të rinjve.

Sipas kontratës komuna e Mitrovicës është e obliguar që Qendrën e Trajnimit, të cilën e drejton Bernd Baumgarten, ta përkrahë me 5000 euro në muaj. Por komuna nuk paguan, kështu të gjitha shpenzimet duhet t’i bart organizata gjermane. Qasjen e pushtetit ndaj arsimit dhe përgatitjes profesionale të të rinjve Baumgarten e quan «dështim total të shtetit dhe politikës».

«Qe 19 vjet nga shteti i Kosovës nuk marrim asnjë metelik për punën që bëjmë. Në të vërtetë shteti do të duhej të thoshte: okej, ne nuk ia dalim të ofrojmë këtë që ofroni ju, andaj jemi të lumtur që këtu ekziston një ofertues privat, një organizatë joqeveritare e regjistruar dhe e pranuar, dhe ne e përkrahim atë sepse çfarë bën kjo OJQ i shërben shoqërisë. Kjo na ndihmon që të rinjtë të qëndrojnë në Kosovë, të punojnë dhe ushqejnë familjet. Për fat të keq nuk është ashtu».