Dy reforma të domosdoshme zgjedhore

Foto: Shutterstock



Sistemi zgjedhor në demokraci nuk e ka për detyrë vetëm respektimin e vullnetit të votuesve por edhe forcimin e cilësisë dhe stabilitetit të qeverisë dhe kuvendit. Kjo është e mundur vetëm kur qeveria dhe kuvendi (veçanërisht në republikat parlamentare) përbëhen nga kuadro të përgatitura profesionale, me integritet dhe përkushtim ndaj shërbimit publik dhe kur ato ndërmarrin veprime konkrete që e rrisin sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve të vendit. Cilësia e punës së qeverisë dhe kuvendit gjithashtu varet nga stabiliteti i tyre, do të thotë, nga aftësia për ta përmbushur mandatin dhe realizuar programin qeverisës dhe legjislativ.

Është e qartë që në Kosovë demokracia nuk e ka kryer këtë detyrë. Për këtë, dy arsye spikasin në veçanti: sistemi proporcional i përfaqësimit me shumicë dhe listat partiake për zgjedhjen e deputetëve në kuvend.

Sistemi proporcional i përfaqësimit me shumicë nënkupton që partitë fitojnë ulëse në kuvend në proporcion me votat e fituara si dhe duhet t’i kenë së paku 50% të votave për formimin e qeverisë. Ky sistem ka rezultuar që në të gjithë historinë politike të Kosovës asnjë parti nuk ka mundur të qeverisë e vetme. Si rrjedhojë e kësaj, të gjitha kabinetet qeveritare kanë qenë përzierje e partive të ndryshme.

Përderisa për ithtarët e këtij sistemi ky është një shembull i mirë i pluralizmit të ideve, bashkëpunimit ndërpartiak, apo kohezionit shoqëror, në fakt efekti i tij në cilësinë dhe stabilitetin e qeverisë dhe kuvendit ka qenë shumë i padëshirueshëm. Koalicionet janë formuar pa përputhje ideologjike apo programore, madje nga parti me profile të kundërta. Për akomodimin e anëtarëve të partive është dashur të rritet numri i ministrive dhe pozitave, duke e kthyer kështu shtetin në shërbim të tyre e jo të efikasitetit. Në mes partive të koalicionit jo vetëm që nuk ka ekzistuar bashkëpunimi, por ato kanë vepruar në shumë raste me hasmëri ndaj njëra tjetrës duke u paraqitur edhe me qëndrime kundërthënëse në publik. Në vend të sinergjisë që i duhet qeverisë për bashkërendimin efektiv të politikave, ato kanë vepruar si ministri të ndara apo thuajse të pavarura nga qeveria. Tekat e secilës figurë partie si dhe llogaritë e vazhdueshme për interesat e politikës ditore e kanë lënë përherë në mëdyshje jetëgjatësinë e qeverisë. Kur e gjithë kjo ka përfunduar me qeverisje jocilësore dhe prishje të koalicionit, secila parti e ka fajësuar tjetrën për dështimin duke mos i mbetur përgjegjësia asnjërës.

Për më tepër, ky sistem ka prodhuar anomali të çuditshme ku kryeministër është zgjedhur dikush nga një parti e cila është renditur e katërta në zgjedhje. Aspekti më perfid i këtij sistemi është fakti që asnjë parti nuk e ka ndjerë trysninë për të ndryshuar sepse gjithmonë ka llogaritur që rizgjidhet duke i përdorur si patericë votat e partive tjera për një koalicion të ri.

Është e domosdoshme prandaj që ky aspekt i sistemit zgjedhor në Kosovë të reformohet. Një alternativë më e mirë do të ishte sistemi pluralist, i cili përdoret në ShBA dhe (pjesërisht) Britani, ku partia e cila fiton më së shumti vota qeverisë e vetme. Kjo do t’i eliminonte shumicën e problemeve që ekzistojnë me sistemin aktual.

Në radhë të parë, zgjedhja do të ishte e qartë për votuesit, pa pasur nevojë të bëjnë llogari për formacionet e mundshme pas-zgjedhore. Kryeministër nuk do të mund të zgjidhej dikush me renditje periferike në rezultatet zgjedhore. Partia fituese do të ishte e lirë ta realizonte programin pa bërë koncesione me parti tjera. Krijimi i ministrive e pozitave të reja vetëm sa për t’i rehatuar anëtarët e partive tjera dhe siguruar votat e koalicionit nuk do të ishte më i nevojshëm. Mandati do të ishte shumë më stabil dhe shumica e mandateve do të përfundoheshin, duke e zvogëluar dukshëm nevojën e zgjedhjeve të parakohshme që i kushtojnë buxhetit shuma milionëshe. Si dhe në fund, e gjithë përgjegjësia për cilësinë e qeverisjes do t’i takonte vetëm një partie—asaj fituese—ndërsa partitë humbëse do të viheshin nën trysni të madhe për t’i bindur votuesit herën e ardhshme se kanë ndryshuar.
Aspekti i dytë problematik i sistemit zgjedhor është ai i listave partiake për zgjedhjet në kuvend. Në këtë sistem, partia i përcakton kandidatët që mund të votohen. Edhe pse kushtetuta e vendit nuk e përjashton dikë të kandidojë si i pavarur, në praktikë, të zgjedhurit deputet kuvendi si i pavarur është thuajse e pamundur meqë votuesit mund ta votojnë vetëm njërin nga kandidatët e partisë që e zgjedhin. Për më tepër, kandidatët e pavarur duhet ta kalojnë pragun zgjedhor me së paku 3% të votave, që është mjaft sfidues dhe praktikisht e pamundëson ulësen në kuvend.

Problemi me këtë praktikë qëndron në faktin se shumica dërrmuese e partive në mënyrë rutinore kandidojnë individë krejtësisht të papërgatitur në rrafshin profesional apo arsimor. Pasqyra më e mirë e kësaj janë seancat tragjikomike të Kuvendit të Kosovës të cilat e shpërfaqin injorancën e thellë të deputetëve dhe banalitetin e tyre. Edhe më keq se kaq, partitë gjithashtu kandidojnë individë të akuzuar për korrupsion apo vepra tjera penale sepse këtë ua lejon ligji zgjedhor. Imuniteti që ata e gëzojnë si deputetë ia pamundëson drejtësisë përndjekjen e tyre, gjë që së bashku me privilegjet marramendëse që u takojnë në vendin më të varfër në Evropë, e bën garën për kuvend aq shumë të lakmuar. Votuesit nuk kanë se si t’i përjashtojnë këta kandidatë nëse zgjedhin të votojnë për partinë të cilës ata i takojnë. Ata mund të votojnë vetëm për të keqën më të vogël, mirëpo kur e keqja përbën shumicën, rezultati do të jetë i keq sido që votohet në fund.

Aspekti tjetër problematik i këtij sistemi është që i bën deputetët të jenë servilë thuajse kryekëput ndaj partisë. Edhe pse votat i kanë nga populli, mundësinë për t’u zgjedhur e kanë nga partia. Ndaj, llogari i japin asaj, jo votuesve. Çdo kundërshtim ndaj partisë është kundërshtim ndaj mundësisë për t’u rizgjedhur. Në vend se ta ushtrojnë mandatin e deputetit lirshëm, ata shndërrohen në marioneta të qëndrimit zyrtar të partisë së cilës i takojnë. Kuvendi nuk kërkon llogari nga qeveria sipas parimit të ndarjes së pushteteve, por e mbron atë pa rezervë (deputetët e pozitës) apo e sulmon atë pa arsye (deputetët e opozitës). Kjo është evidente edhe në komisionet parlamentare, të cilat ndahen në vija partiake edhe pse duhet të veprojnë të bashkuara. Rasti më i freskët ishte komisioni hetimor për dëbimin e shtetasve turq nga Kosova. Në vend se komisioni të ishte i bashkuar në pyetjet që ia shtronte të ftuarve për intervistim, anëtarët e komisionit në mënyrë qesharake e kundërshtonin njëri tjetrin, varësisht se a ishin me klanin e të intervistuarve apo jo. Në thelb, pra, ky sistem i mbrapshtë e ulë dukshëm cilësinë e deputetëve në kuvend dhe e dëmton punën e kuvendit në përgjithësi.

Kjo nuk do të thotë që në Kosovë nuk ka individë me integritet dhe përgatitje të mirë profesionale dhe arsimore, por ata nuk duan të njollosen duke u bërë pjesë e partive politike. Është e domosdoshme, pra, që edhe ky aspekt i sistemit zgjedhor të reformohet dhe të gjendet një modalitet i cili ia mundëson kandidimin për kuvend mendjeve më të ndritura të vendit pa u bërë të dëgjueshëm ndaj një partie të caktuar politike. Shembull, votuesit të votojnë për partinë që mendojnë se duhet të udhëheqë me qeverinë, si dhe ndaras, të votojnë për kandidatët më të mirë për kuvend, pavarësisht cilës parti i takojnë apo nëse janë të pavarur. Natyrshëm, kjo mund të sjellë deri tek situata ku qeveria e re nuk e ka domosdo shumicën në kuvend, por atëherë le të marrin në mesin e tyre individë që janë të denjë për kuvend, jo analfabetë e cuba.

Këto modalitete nuk janë zgjidhjet përfundimtare dhe përveç tyre ide tjera mund të ofrohen. Por është e domosdoshme që këto dy elemente të padëshirueshme të sistemit zgjedhor në Kosovë të reformohen nëse qytetarët e duan një epokë të re ku partitë politike vetëdijesohen për rëndësinë e shërbimit publik dhe anëtarët e tyre nuk e shohin pushtetin si pistë të pasurimit personal mbi kurrizin e të gjithë tjerëve.

(Bardhyl Salihu është hulumtues, i diplomuar për ekonomi në Austri dhe në Angli)