Duam ardhmëri!

Dhe ardhmëri do të kemi kur të largohet klasa e politikanëve që janë të zhytur deri në fyt në krim e korrupsion. Të tillë ka në pushtet dhe në opozitë.



Asnjë gjakderdhje nuk është e mirë. Mirëpo, edhe këtu duhet bërë një saktësim: ka gjakderdhje që bëhen me ndërgjegje të mirë dhe ka gjakderdhje që bëhen për arsye aventuriere. Revolucioni Francez ka qenë gjakderdhje me ndërgjegje të mirë. Beteja e opozitës kosovare kundër pushtetit jo vetëm të korruptuar, por edhe të paditur në disa momente ishte afër provokimit të situatave gjakderdhëse.

Kosova ka parë e ka derdhur shumë gjak. Edhe lot! Që nga viti 1912. Një shekull tmerr, me disa vite përjashtim. Janë përdorur fjalë të rënda nga pushteti dhe janë përdorur mjete të rënda nga opozita javëve të fundit. Gazi lotsjellës, sjelljet prej kauboji në Kuvend të «komandantëve» që sillen si kusarë, konsumimi i rakisë në sallën ku përfaqësuesit e popullit duhet të jenë esëll gjithmonë, deklaratat qesharake e cinike të sundimtarëve – të gjitha këto e kanë afruar Kosovën te një greminë e madhe politike. Në dramën madhështore «Vdekja e Dantonit» të Georg Büchnerit Dantoni e pyet Robespierrin: «A nuk ka asgjë brenda teje që nganjëherë krejt qetë, fshehurazi të thotë: ti po gënjen, po gënjen?».

Kjo pyetje sot mund t’u drejtohet politikanëve të Kosovës. A keni brenda karakterit tuaj, brenda vetes suaj, brenda ndërgjegjes suaj, brenda mendjes suaj një zë që qetësisht dhe me këmbëngulje ju thotë: «Ti po gënjen, po gënjen»? Nuk mund ta miratojmë asnjë sjellje të dhunshme të opozitës, djegien e veturave të shtetit, të blera me paratë tona, nuk mund ta tolerojmë në parlament në njeri që mendon se sakrificë atdhetare është të sulmosh me sprej tjetrin, qoftë ai edhe kryeministër, nuk duhet të pranojmë që në emër të «meritave të luftës» deputetët të shndërrohen në kusarë dhe të thyejnë dyer në parlament, t’ia heqin helmetën policit, të nxjerrin qytetarë prej veturave. E keqja njerëzore nuk duhet të shndërrohet në mjet politik.

Por a duhet të tolerojmë një kryeministër që, pasi e nënshkruan marrëveshjen për bashkësinë e komunave serbe në Kosovë, shfaqet në televizion dhe thotë: «Po të isha pyetur unë, atëherë do të thosha se Kosova s’ka pasur nevojë për diçka të tillë», pra për një këso marrëveshjeje? Kështu flet e keqja e natyrës njerëzore, jo politikani i përgjegjshëm. A duhet të tolerojmë një ministër të jashtëm, i cili pasi dështon në mënyrë kolosale t’i bind edhe shtetet që kanë njohur Kosovën për ta dhënë votën për anëtarësim në UNESCO, kthehet në Prishtinë dhe me gjuhë grindaveci i hedh benzinë zjarrit?

Asgjë nuk duhet të durojmë.

Asgjë nuk duhet të tolerojmë.

Nuk duhet t’i durojmë kriminelët e korrupsionit dhe të luftës në parlament.

Nuk duhet t’i durojmë tregtarët e drogës në parlament.

Nuk duhet t’i durojmë gratë histerike (as burrat e tillë) në parlament.

Nuk duhet të durojmë të dyshuarit për vrasje në parlament.

Asgjë nuk duhet të durojmë.

Na duhet një aleancë kundër mentalitetit çnjerëzor që po e dominon politikën në Kosovë. Na duhen politikanë që përherë janë të vetëdijshëm se kanë marrë mandat të përkohshëm nga populli – për t’i shërbyer popullit.

Na duhet një alternativë e re politike që i shërben këtij vendi dhe nuk e plaçkit. Një alternativë për të cilën populli i Kosovës po vuan prej 12 qershorit 1999. Kjo klasë politike nuk e integron vendin në Bashkimin Europian. Kjo klasë politike mund ta integrojë vendin vetëm në humnerë.

Duam ardhmëri! Dhe ardhmëri do të kemi kur të largohet klasa e politikanëve që janë të zhytur deri në fyt në krim e korrupsion. Të tillë ka në pushtet dhe në opozitë. Ardhmëria është e mundshme kur të kemi politikanë që janë të aftë të kuptojnë se paqja e brendshme është parakusht për funksionimin e sistemit shtetëror. Paqja e brendshme nuk mund të sigurohet nëse frerët e pushtetit, shtetit dhe opozitës i mbajnë njerëz që frikësohen për të bërat e tyre në të kaluarën, që frikësohen se nesër mund të zgjohen me pranga në duar dhe me biletë njëdrejtimëshe për në burgun special të Hagës. Barrën e krimeve të tyre nuk ka arsye ta bart Kosova. Politikanët nuk kanë të drejtë ta marrin peng një vend për shkak të krimeve të tyre individuale.

Vërtet, a nuk ka asgjë brenda jush që nganjëherë krejt qetë, fshehurazi ju thotë: ti po gënjen, po gënjen. Po bëhen gati dy dekada që asnjë politikan i Kosovës nuk shfaq publikisht asnjë ndjenjë pendimi, asnjë gatishmëri për ndryshim të vetvetes, asnjë shenjë për të ndërtuar diçka të mirë në favor të qytetarëve. Gënjeshtarë, përse duhet t’ju durojë ky popull edhe më tutje? Duam ardhmëri!