Diplomati gjerman Ahrens: «Rugova ishte i paepur në mosnjohjen e sundimit serb»

Historia që ishte mes nesh. Detaje nga libri i Geert-Hinrich Ahrens «Diplomaci mbi tehun e thikës – pengimi i konfliktit etnik dhe grupi punues për minoritetet i konferencave për Jugosllavinë», Toena, Tiranë, 2010.

Ibrahim Rugova, udhëheqës shumëvjeçar i shqiptarëve të Kosovës.



«Dështimi i konceptit të autonomisë pat ngjarë shumë kohë përpara se politikanë radikalë si Miloševići ose – vetëm nga qëllimet, jo nga metodat – Ibrahim Rugova, të merrnin përsipër të udhëhiqnin etnitë e tyre përgjegjëse. Rugova, i ati dhe ungji i të cilit qenë ekzekutuar më 1945 nga partizanët komunistë sepse qenë fshatarë të pasur, ndoqi një politikë të abstenimit të prerë nga përdorimi i forcës dhe u përpoq të ndërkombëtarizojë konfliktin, por u bë i paepur në pozicionin e tij të mosnjohjes së asnjë forme të sundimit serb apo jugosllav mbi Kosovën. Rugova gëzonte mbështetjen e popullit të tij më shumë se çdonjëri nga udhëheqësit etnikë që i drejtoheshin Konferencës së Carrington-it, dëshmuar nga një mori zgjedhjesh, sondazhesh dhe demonstrimesh publike.

Rugova shprehte bindjen e tij se e drejta për vetëvendosje dhe për pavarësi të shqiptarëve do të pranohej prej institucioneve përkatëse ndërkombëtare. Në biseda konfidenciale, i vetmi koncesion i ofruar ishte që pavarësia mund të shtyhej për njëfarë kohe nëse miratoheshin masa të përkohshme, siç ishte rifutja e elementeve të autonomisë të vitit 1974, që mund të fashisnin disi tensionet ekzistuese. Një tjetër masë e tillë do të ishte krijimi i një protektorati të OKB-së, i propozuar nga Rugova në një letër dërguar Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 27 nëntor 1991 dhe të mbështetur si një mundësi nga një analizë e brendshme prej BE-së në korrik 1992. Në biseda me diplomatët perëndimorë, Rugova pohonte se mbrojtja e minoriteteve është marrë si e vetëkuptueshme dhe manastiret serbe në Kosovën e pavarur mund të kthehen në enklava serbe. Rugova ndiqte një politikë strikte të ndërkombëtarizimit të konfliktit dhe e kishte zakon t’i minimizonte takimet me qeverinë serbe.

Pozita e Rugovës si udhëheqës i padiskutueshëm i shqiptarëve të Kosovës u konfirmua nga zgjedhjet e 24 majit 1992, të cilat u mbajtën në sistemin paralel dhe nuk u penguan nga Beogradi. Ai i zgjodh «President i Republikës së Kosovës» dhe LDK mori 96 nga 130 vende të parlamentit, ku 14 vende u mbajtën të lira për serbët. Më 23 qershor 1992, policia serbe pengoi megjithatë mbledhjen e parlamentit të zgjedhur.

Zgjedhja e Rugovës provoi politikën e rezistencës paqësore ekskluzive. Mençuria e kësaj politike u konfirmua nga raporti i misionit të KSBE-së që vizitoi Kosovën nga 28 maji deri më 2 qershor 1992. Misioni diagnostikoi një gjendje para konflikti me një prani të rëndë e të dukshme ushtarake e policore serbe dhe me shumë civilë të armatosur. Përballë një fuqie të tillë eprore, shqiptarët nuk kishin shans. Në të vërtetë, pati shumë kritika shqiptare ndaj rrugës paqësore të Rugovës. Figura të mirënjohura si (Adem) Demaçi dhe Rexhep Qosja e kritikuan atë si të pasuksesshme. Në diasporë, e paqarta LPK, e themeluar nga të larguarit e trazirave të 1981, me një orientim komunist dhe shqiptaromadh njëherësh, ishte për rezistencë të armatosur, por kishte ndikim të vogël në vend. Në shumë biseda, unë i gjeta shqiptarët e zakonshëm shumë më pranë Rugovës, me gjithë mjerimin ekonomik që përjetonin, e që i bënte shumë prej tyre të mërgonin. Sistemi paralel i organizuar mirë, i ndihmës sociale përreth shoqatës Nëna Terezë vetëm mund t’i lehtësonte, por jo t’i zgjidhte problemet e mëdha sociale të shqiptarëve të Kosovës. Diçka duhet të ndodhte dhe herët a vonë Rugovës do t’i kërkoheshin të paktën arritje të kufizuara për rrugën e tij paqësore. Në të vërtetë, RFJ (Jugosllavia e përberë nga Serbia dhe Mali i Zi, v.j.) ishte në gjendje të fillonte me nota më pozitive.

Të dyja palët kishin interes në të paktën disa përmirësime në terren – Beogradi për shkak se donte që t’i jepte fund izolimit të vet ndërkombëtar dhe ndihej gjithnjë e më shumë i pashpresë për ta trajtuar e zgjidhur i vetëm problemin e Kosovës, ndërsa Rugova dhe përkrahësit e tij sepse i trembeshin një rrëshqitjeje drejt dhunës masive, që gjithashtu mund ta dëmtonte pozitën e tyre.

Popullariteti i Rugovës te shqiptarët e tij dhe politika e vetëpërmbajtjes u konfirmuan nga rizgjedhja e tij më 22 mars 1998, si «President i Republikës së Kosovës». Nuk kishte forcë të aftë në botë (dhe nuk ka) që të detyrojë shqiptarët e Kosovës të falin pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, negociatat kishin kuptim nëse ato mund të çonin drejt zbutjes së një situate pa rrugëdalje, dhe vetë Rugova ma pranoi gjatë një bisede me mua më 1995, që autonomia mund të ishte e pranueshme si «një hap i parë», pas të cilit – si e kuptova unë – ajo duhej riparë më tej.

Përgatiti: Shkëlzen Gashi