«Dilni rrimë!»

Dy fjalë për konceptin për punën dhe dembelinë kronike shqiptare.



Papunësi! Rëndë, shumë rëndë! Nuk ka çka bën njeriu. Ankesa për papunësi është bërë si refren i kasetave të prishura dikur. Duke qenë se vazhdon të përdoret me intensitet të shtuar, ankesa ka marrë formën e një dëshpërimi kronik dhe në të njëjtën kohë e ka humbur kuptimin e saj. Thuhet aq shpesh saqë është bërë shprehi.

Të jemi të qartë, nuk besoj se papunësia është vetëm «perceptim» apo se numrat realë të të papunëve janë shumë më të ulët se sa që pretendohet. Kështu përsëritet në vazhdimësi nga pushtetarë dhe para-pushtetarë megalomanë që e kanë humbur rrjedhën me realitetin. Në përgjithësi në Kosovë, punë të rregullt ka vetëm për të privilegjuarit, qoftë ata që janë të privilegjuar politikisht apo ekonomikisht. Me fjalë të tjera, gjithmonë do të ketë punë për ata që vijnë me diploma nga jashtë, apo nga ata që kanë pasur mundësi ekonomike dhe, me e rëndësishmja, lidhje politike për të gjetur apo paguar trajnime, seminare etj.

Por ajo që është e dukshme në dhjetë vitet e fundit është një shfytyrim i tërë konceptit të punës. Në përgjithësi vërehet një dembeli kronike dhe një jo-dashuri e frikshme ndaj punës dhe të punuarit. Gjysma e popullsisë po diplomohet nëpër tempuj të dijes të gjashtë universiteteve publike dhe dyfishin e këtij numri në ato private. Paçka se pjesa dërmuese dalin të paaftë për të kryer ndonjë punë në profesionin e tyre, është marre që të punohet si moler, murator, rojtar me diplomë juristi nga Universiteti i Novobërdës.

Ëndrra e re për një «punë të mirë» është për një punë ku nuk punohet pothuajse fare, e rrihet shumë. «E ka punën shumë të mirë», thuhet, «gjithë ditën rri!» Koncepti i «të ndenjurit», pra i mungesës së çfarëdo aktiviteti fizik apo mendor është gjendje e lumturisë, e përmbushjes. Ndoshta edhe shprehja «dilni rrimë», pavarësisht elementit komunitar dhe të mikpritjes që ka brenda, është në vetvete edhe një praktikë shoqërore për të përmbushur këtë lumturi prej të ndenjurit.

Në këtë logjikë, padyshim se sektori publik apo «puna e shtetit» mbetet një ëndërr për secilin. Aty është e personifikuar ëndrra e të ndenjurit. Ëndrra për punën nuk është për një aktivitet që ty të përmbush, të bën edhe të lumtur ndoshta, të jep kënaqësinë e ndonjë kontributi për shoqëri. Kjo ëndërr për sistemin e dembelisë është puna ku paguhesh rregullisht, ke orar të caktuar të punës, fundjavë të lirë, angazhim dhe përgjegjësi personale minimale. Dhe ky skenar nuk është ëndërr vetëm për një jurist, ekonomist, noter apo shërbyesi civil të ri. Marrëzia e dembelisë është se edhe hidrauliku, elektricisti, muratori e shohin profesionin e tyre si të përkohshëm deri sa të arrijnë në një sektor ku nuk punohet shumë. Të gjithë të bëhemi shërbyes civilë, bankierë, politikanë dhe «artistë». Në dreq shkofshin rrugët që do prishen, ujërat që do të plasin.

«Po du punë të shtetit, se në privat hi kur të dua», duket të jetë trendi i ri mes të sapo diplomuarve. Pra janë në kërkim të një punë ku nuk punohet. Rrjedhimisht ata nuk do të kenë rastin të ngrihen profesionalisht apo të përmbushen në çfarëdo forme. Kështu edhe kërkesa për punë e ka humbur kuptimin. Përpos anës financiare, gjetja e punës për burrat arsyetohet edhe me sloganin «për të mos ndenjur rrugëve». Për gratë në anën tjetër është arsyetim «për t’u larguar prej shtëpisë», e që fatkeqësisht nuk është vetëm për ti ikur «amvisërisë», por për t’i ikur rutinës në familje të mëdha.

Dhe deri këtu nuk është shumë problematike mungesa totale e dashurisë apo e përkushtimit për punën dhe të punuarit si të tillë. Në fund të fundit, njerëzve u mësohet domosdoshmëria e punës e jo dashuria për të. Në shumë prej vendeve perëndimore, sidomos ato me sistem të mirë social, shumë njerëz të kualifikuar vendosin të mos punojnë në punë të zakonshme dhe jetojnë minimalisht nga shërbimi social. Madje janë të kënaqur me zgjedhjen që kanë bërë.

Është legjitime të mos duash të punosh për qeverinë në Danimarkë apo Belgjikë për shkak se nuk pajtohesh me një varg politikash që merren në emër tëndin. Legjitimitet edhe më të madh kanë ata që kurrë nuk do të donin të punonin për këto alternativa qeverisëse në Kosovë. Është legjitime të mos duash të punosh për sistemin bankar, sepse nuk do të bëhesh pjesë e makinerisë gjakpirëse bankare në vende në zhvillim apo nuk do të kontribuosh në mbarëvajtjen e kapitalizmit si të tillë. Ashtu sikurse është legjitime të mos duash të punosh për kartelin e NGO-ve dhe të think-tanks, sepse beson se e kanë humbur kuptimin emancipues që kanë. Kështu ti je i vetëdijshëm për kufizimet financiare dhe ndikimin që ajo ka në mënyrën e jetesës, por vendos të jetosh në minimumin e shërbimit social.

Shërbimi social në Kosovë do të vazhdojë të jetë luks i paprekshëm edhe për disa dekada tjera. E megjithatë, të ankohesh për papunësi 24 orë dhe në anën tjetër të mos kesh zellin as për të lëvizur nga pozita e të «ndenjurit» është po ashtu një hipokrizi e skajshme. Edhe të papunë, edhe të pa dhënë pas punës. Në anën tjetër nuk e paramendon kush jetën pa iPhone të ri edhe nëse kushton më shumë se një rrogë mujore. Nuk e paramendon kush jetën pa veturë personale, paçka se qytetet tona janë një grusht hapësirash.