Diaspora si çlirimtare e Rumanisë

Pa angazhimin masiv të diasporës, shoqëria civile në Rumani nuk do të ishte aq e fuqishme. Në zgjedhjet për Parlamentin Europian Partia Socialdemokrate (në të vërtetë një bandë e korruptuar politike) u ndëshkua rëndë – dhe drejtësia e dërgoi në burg politikanin më me ndikim të vendit. Më në fund. Çka mund të mësojë diaspora shqiptare nga diaspora rumune?



Liviu Dragnea është njëri nga politikanët më me ndikim në Rumani. Në të vërtetë – ai ishte politikani më me ndikim. Të hënën një makinë e policisë dhe një civile e shoqëruan Dragnean në burg. Aty duhet të kalojë tre vjet e gjysmë. Gjykata Supreme ka marrë vendim të plotfuqishëm dhe e ka dënuar Dragnean për keqpërdorim pushteti. Dragnea ishte kryetar i parlamentit dhe kryetar i Partisë Socialdemokrate (në të vërtetë një bandë e korruptuar politike). Më 2015 u dënua për falsifikim të zgjedhjeve. Si i dënuar ai nuk kishte të drejtë të ushtronte funksion ekzekutiv.

Por nga prapavija ai tërhiqte penjtë. Nën presionin e tij qeveria ndërmori disa hapa për ta bërë të dëgjueshme drejtësinë. Prokurorja e famshme e antikorrupsionit Laura Kövesi u dëbua nga posti dhe kundër saj filluan hetime. U bënë përpjekje nga qeveria për të legalizuar korrupsionin dhe për t’i amnistuar veprat penale të politikanëve. Megjithatë, Liviu Dragnea nuk arriti të shpëtojë veten. Ai lërë që shkoi në burg, por në zgjedhjet për Parlamentin Europian partia e tij pësoi një humbje të thellë: nga 45 për qind në 23 për qind. Njëkohësisht rumunët në një referendum votuan kundër amnistisë së politikanëve të korruptuar. Referendumin e inicioi presidenti Klaus Iohannis, i cili i përket pakicës gjermane të Rumanisë.

Pa angazhimin e madh të diasporës rumune nuk do të ishte e mundshme kjo kthesë në Rumani. Ky vend është anëtar i Bashkimit Europian nga viti 2007, por strukturat e vjetra dhe korruptive nuk u çrrënjosën dhe ruajtën rol vendimtar në politikën rumune. Ndërkohë është krijuar një shtresë e mesme, e cila nuk e duron më klasën e korruptuar politike. Por fuqia e kësaj shtrese nuk do të mjaftonte për të çuar në burg politikanë si Liviu Dragnea. Një rol vendimtar në fillimin e procesit të çlirimit të Rumanisë luan diaspora, e cila sidomos pas hyrjes së këtij shteti në BE ka gjetur punë dhe ka krijuar mirëqenie personale në Perëndim, por nuk ka shkëputur lidhjet me vendlindjen, duke marrë pjesë në zgjedhje dhe përkrahur demonstratat në Bukuresht e qytete të tjera kundër kastës grabitqare. Sa herë që mbahen zgjedhjet në Rumani, mediat perëndimore botojnë fotografi të rumunëve të diasporës duke pritur për të votuar para konsullatave rumune.

Në një prononcim për gazetën zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» historiani dhe profesori në Universitetin e Vjenës, Oliver Jens Schmitt, rolin e diasporës rumune e quan qendror për ndryshimet në vend. Bëhet fjalë për 4 milionë shtetas që jetojnë kryesisht në Perëndim. Në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Europian kishte përpjekje direkte të pushtetit për të penguar pjesëmarrjen e diasporës. Ndonëse Rumania në hartën mentale të Europës gjendet larg dhe jo rastësisht në rastin e këtij vendi shpesh zhvillimet politike krahasohen me botën e drakullave, diaspora ka arritur të krijojë një ndjenjë se Rumania është pjesë e botës latine. «Mbi këtë bazë sidomos në diasporën rumune është krijuar një krenari për t’u angazhuar për vlerat themelore të BE-së», thotë Schmitt. Natyrisht edhe hyrja e Rumanisë në BE i ka dhënë hov shoqërisë civile.

Për shoqëritë shqiptare në Ballkan është e dobishme që para se të shikojnë në drejtim të Perëndimit, njëherë të këqyrin nga Lindja, nga Rumania, për t’u inspiruar pak. Edhe diaspora shqiptare nuk duhet ta shohë rolin e vet vetëm në dërgimin e parave. Miliardat që i ka dërguar diaspora në Kosovë kanë edhe efekt negativ: stimulojnë dembelinë. Diaspora po ashtu duhet të jetë aktive dhe të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare e lokale me qëllim të ndryshimeve rrënjësore politike. Parakusht për këtë është, natyrisht, heqja e barrierave burokratike për pjesëmarrje në zgjedhje. Qeveritë në Prishtinë dhe Tiranë e dinë shumë mirë që pjesa më e madhe e diasporës e ka luksin të votojë për alternativa politike mbi interesin personal. Barrierat burokratike për të penguar këtë nuk janë të rastësishme. Kur ndodhin ndryshime? Me gjasë vetëm kur para Konsullatës së Kosovës në Zürich në ditën e zgjedhjeve presin së paku 500 veta për të votuar. Deri atëherë mund të ndiejmë pak satisfaksion se një politikan rumun shkoi në burg.