Demokracia liberale, filozofia politike që duhet t’i qëndrojmë pas

Sot liberalizmi është përballë sfidave të reja. Krijimet e kampeve ultra të djathta dhe të majta në Evropë dhe më tej përbën kërcënim serioz. Pjesa tjetër nënkupton punë dhe angazhim në ruajtjen e liberalizmit si teori e cila siguron bashkëpunim, liri dhe demokraci për të gjitha palët. Konsiderohet e nevojshme përpjekja sidomos në bashkëpunim me teoritë e përafërta në qasje ndaj lirisë individuale, ndaj bashkëpunimit dhe ndaj ndërtimit të raporteve të shëndosha shoqërore, qoftë ajo teoria konservatore apo liberal-konservatore.

Ronald Reagan.



Te flasësh për liberalizmin, e sidomos të flasësh për vështirësitë e tij në një periudhë të caktuar, duke tentuar ta ruash vazhdimisht ndërlidhjet e kësaj teorie me aspektin filozofik të shpjegimit, do të thotë që po bën një punë shumë të kujdesshme, e cila natyrisht kërkon kohë. Për ta shpjeguar teorinë liberale nuk duhet të jesh me patjetër liberal, por mjafton t’i trajtosh me korrektësi faktet shkencore.

Në të vërtetë liberalizmi nuk është religjion, nuk është as një vizion specifik për diçka specifike, as një ide gjeniale për ta zgjidhur një problem të gjendur si dhe nuk mund të quhet as thjeshtë një interes i caktuar i një grupi të caktuar njerëzish. Pra nuk hyn në nocionet e sipërpërmendura për shkak se nuk tenton të jetë imponues ndaj shoqërisë si dhe nuk pretendon të jetë zgjidha e vetme në jetën politike dhe shoqërore. Liberalizmi është ideologji filozofike, një doktrinë e marrëdhënieve të përbashkëta që ndërtohen në një rreth shoqëror. Liberalizmi është mundësia e zgjidhjes së problemeve që e preokupojnë shoqërinë, pa grindje e konflikte, duke e parë kështu paqen si domosdoshmëri e luften si mjetin që duhet shmangur gjithmonë.

Pikërisht për këtë arsye liberalizmi sipas filozofit anglez John Gray përbëhet nga katër elemente kryesore të cilat e përkufizojnë këtë teori filozofike. Ato janë INDIVIDUALIZMI, apo e drejta e individit për tu shprehur, për të punuar, për të jetuar ashtu siç dëshiron në rrethin e tij shoqëror; me fjalë të tjera, e drejta e individit për të qenë i barabartë në mesin e të barabartëve,.

Elementi i dytë që e karakterizon liberalizmin si teori është EGALITARIZMI ose siç njihet ndryshe si elementi barazitar. Ky element në thelb të kuptimit të tij ka brazinë morale tek qeniet njerëzore si pjesë përbërëse e elementeve bazë të liberalizmit. Ai plotëson teorinë liberale sa i takon barazisë kjo pasi përmes këtij faktori individi në masë të gjerë ka të njëjtin status moral. –Ky status moral arrihet duke bërë dallimin se çfarë është e mirë e cfarë është e mirë në shoqëri, si mund ta bëjmë dallimin në mes tyre, a është e mira dhe e keqja e njëjtë për të gjithë, nëse jo ajo shpjegon se pse është ndryshe dhe se si e koncepton individi.

Elementi i tretë që e karakterizon teorinë liberale është koncepti universalist që ngërthen në vete unitetin moral të qenieve njerëzore. Sa i takon këtij elementi John Gray thekson se ky element i liberalizmit ka për qëllim të vendos në qendër unitetin moral të të gjithë shoqërisë, duke i dhënë përparësi shoqërisë në përgjithësi, duke vendosur kështu të mirën e përbashkët mbi format e caktuara kulturore, politike apo të tjera të cilat rrethojnë shoqërinë tonë.

Elementi i katërt por jo për nga rëndësia, është elementi MELORIST që e bënë të definohet qartazi koncepti i liberalizmit dhe po ashtu e mundëson që të jetë një koncept modern në karakter, në veçanti në raport me shoqërinë. Me këtë kompletohet edhe koncepti i shpjegimit të individit dhe shoqërisë i cili e bënë liberalizmin me një identitet modern të qartë në përmbajtje dhe të ndjeshëm përballë çështjeve të cilat shqetësojnë individin dhe shoqërinë, siç janë problemet e barazisë, ato të lirisë dhe të drejtës së individit për të jetuar ashtu siç ai dëshiron.

Vështirësitë e teorisë liberale pas Luftës së Dytë Botërore

Liberalizmi pas Luftës së Dytë Botërore kishte hasur në vështirësi veçanërisht pas përfundimit të saj, kjo për shkak të konsekuencave të cilat i krijoj vetë lufta. Në të vërtetë, shoqëria do të ishte shumë më e përparuar se sa që është, po të mos kishte vështirësitë e saj teoria liberale. Këto vështirësi erdhën si pasojë e politikave egoiste të sistemeve etatiste të kohës, të cilat na shfaqeshin si shpëtimtare të kohës. Këto sisteme në fakt udhëhiqeshin mbi bazën e egos personale për të dominuar, të frymëzuara nga sistemi politik komunist i cili kishte si bazament teorinë e ekstremit të majtë. Siç na tregon historia, kjo teori aty ku pati ndikim tentoj të imponoj cdo gjë.

Në këtë kuptim ishte edhe qasja Charles Taylor, filozof kanadez, tek vepra e tij «Etika e Autenticitetit». Aty ai thoshte se: «Unë kam ardhur në këtë jetë për ta jetuar jetën time në këtë mënyrë dhe jo duke shërbyer jetën e dikujt tjetër» – dhe kjo gjë i vesh një rëndësi të re të qenmit i vërtetë me vetveten. Këtu Taylor lë të nënkuptohet se sistemet imponuese nuk janë ato ideale, kjo pasi ato shtypin lirinë dhe të drejtën e individit për të jetuar ashtu siç ai dëshiron. Në këtë pikë Liberalizmi merr një mbështetje të rëndësishme që do ta shtynte atë drejtë një rikthimi të fuqishëm.

Në pjesën e dytë të shekullit XX-të teoria liberale u bë një makineri filozofike e cila do a udhëhiqte zhvillimin e filozofisë politike dhe ekonomike jo në vetëm disa shtete të caktuara, por ajo do të shtrihej gjerë dhe në nivel botëror.
Rikthimi i liberalizmit shënohet në Britani të Madhe, pikërisht me ardhjen e zonjës së hekurt, Margaret Thatcher, si kryeministre. Në këtë rreth, u mundësua një qasje inovative për kohën e atëhershme e cila në substancë të saj përmbante individualizmin jo si autoritarizëm, por si të drejtë elementare e njeriut për të jetuar dhe vepruar i lirë duke mos cenuar lirinë e tjetrit.

Në këtë kontekst kryeministrja Thatcher kishte vendosur që të ndjek politikat ekonomike të Milton Friedman, ku ajo mori vendimin e uljes së taksave me qëllim që qytetarët të paguanin më pak, kjo pasi papunësia kishte arritur në 9 për qind, por poashtu ajo ndoqi edhe politika konservatore ku politika të tilla u bënë të dukshme sidomos në politikën e jashtme, ku vendosi t’i mbronte me çdo mjet të mundshëm demokratik kolonitë që Britania e Madhe i kishte në kontinentin e Afrikës. Në këtë mënyrë Margaret Thatcher ndikoi pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit dhe po ashtu uli në mënyrë të ndjeshme papunësinë e cila kishte krijuar ndër vite.

Kjo qasje inovative e cila nxiste liberalizmin të bëhej një ide moderne për kohën, erdhi falë teoricientëve të shquar si Friedrich Hayek, Milton Friedman, John Raëls apo Karl Popper, të cilët duke argumentuar idetë e tyre në favor të lirisë së mendimit, lirisë së shprehjes dhe lirisë së veprimit, e ofruan liberalizmin të jetë zgjidhja më e nevojshme për problemet që po haste shoqëria në mbarë botën e sidomos në kontinentin e vjetër.

Friedrich Hayek i cili njihet për filozofinë e tij sidomos në fushat e ekonomisë dhe politikës, në qasjen e tij kishte vlerësuar se sistemi i cili do ta çonte shoqërinë drejtë zhvillimit ishte ai sistem i cili do të mundësonte lirinë e shprehjes, lirinë e tregut, lirinë e shkrimit si dhe krejt kjo të mundësohej duke ekzistuar një shtet minimal i cili përmes një sistemi liberal-demokratik ju mundëson faktorëve shoqërore në terren që të jenë të barabartë në funksionimin e tyre. Tutje Hayek nuk e shihte si të mundshme rimëkëmbjen e shoqërive të shtypura ndryshe përveç, përmes idesë së Liberalizmit, duke konstatuar se një demokraci e cila nuk e ka Liberalizmin brenda nuk mund të garantoj zhvillim, kjo sepse sipas tij: «demokracia pa teorinë liberale nuk mund të ecë suksesshëm».

Efekti pozitiv në Amerikë

Për të na dëshmuar këtë efekt pozitiv që ka lënë liberalizmi në pjesën e dytë të shekullit XX, mund të marrim shembull, politikat që ndërtoj presidenti Ronald Reagan në SHBA, i cili kishte ardhur në postin e Presidentit pas një krize të madhe ekonomike, e cila e kishte kapluar SHBA- në, nën udhëheqjen e Presidentit Jimmy Carter. Në këtë rast presidenti Reagan mori si bazë të politikave të tij modelin «laissez-faire», model ky i cili ishte praktikuar edhe më parë, në shumicën e rasteve me sukses. Bazë e këtij modeli ishte zvogëlimi i taksave për të gjitha shtresat e shoqërisë, kjo sepse, kjo ide do të shtynte qytetarët të paguanin më shumë, ku në bazë të thënies se: «sa më të ulëta të jenë taksat, aq më i madh është numri i atyre që paguajnë, dhe po ashtu aq më e madhe është nxitja për të prodhuar dhe investuar», që nënkupton se kur një shoqëri ka taksat e ulëta, ajo do t’i paguaj rregullisht ato dhe rrjedhimisht edhe do të ketë rritje ekonomike.

Mbi bazën e kësaj ideje, Reagan nën këshillat e Milton Friedman dhe Friedrich Hayek ia doli të kishte suksese, dhe njëkohësisht ta vërtetonte se teoria liberale, e cila është e ngërthyer në demokraci, është teoria e së ardhmes. Kjo teori që ne literaturën e re njihet si liberal-demokraci, ka arritur që shtetet si SHBA t’i bëjë fuqi botërore, kurse shtetet si Kosova t’i çlirojë nga pushtetet totalitare, e për t’ju dhënë shansin e një zhvillimi të mirëfilltë demokratik. Ta mbajmë në mend që Karl Popper i emëronte këto pushtete si më të rrezikshmet për shoqërinë. Pra, liberalizmi dhe demokracia edhe sot janë të ndërlidhura dhe atë në shumë dimensione filozofiko-politike, si në atë të mbrojtjes të të drejtës së individit, kundërshtimit të çfarëdo ideje e cila çon drejt sistemeve totalitare, apo edhe mbrojtjes që i bëhet demokracisë si rregull, e cila përmes normave mundëson të drejtën e secilit që të zgjidhet dhe të jetë i zgjedhur, por nuk ndalet vetëm këtu, kjo pasi përmes demokracisë, u është mundësuar edhe ideologjive të tjera siç janë ato me prirje socialiste, të cilat me idetë dhe bindjet e tyre mund të jenë pjesëmarrëse në zhvillimin e demokracisë duke respektuar normat demokratike.

Mbi bazën e vlerësimit që teoricientë të ndryshëm i bëjnë teorisë liberale dhe zhvillimit apo edhe ngecjeve të saj, nuk mund të mos e theksojmë atë që konsiderohet si shtylla e mendimit të lirë, e mendimit kritik dhe njëkohësisht kritiku i madh i sistemeve totalitare, Karl Popper. Ai asnjëherë nuk kritikoi pa analizuar dhe studiuar mirë teoritë për të cilat nxirrte përfundime. Njësoi bëri edhe kur i kritikoi sistemet totalitare duke analizuar sistemet e tilla në kohë, që nga Platoni e deri tek idetë moniste të shekullit XX-të që rridhnin nga Marksizmi.

Karl Popper kur foli për demokracinë si ide filozofike nuk e përkufizoi demokracinë asnjëherë si të përkryer, por si ide e cila arrin t’i ketë brenda vetes të gjitha idetë e tjera, dhe njëkohësisht t’i menaxhojë ato. Për Popperin, demokracia e ka të rëndësishme të bashkëpunojë me liberalizmin, kjo pasi që përmes Liberalizmit mbrojmë lirinë dhe te drejtën e individit, gjë e cila nuk do mund të ndodhte nëse do të kishim demokracinë vetëm si një tërësi normash të ofruara përmes autoritarizmit, pavarësisht sa racional do të mund të ishte. Mungesa e individualizmit në kuptimin e lirisë së individit do të pamundësonte edhe ide të tjera si ato të ekonomisë së lirë të tregut, lirisë së shkrimit apo edhe të veprimit.

Prandaj Karl Popper e sheh si të rëndësishme bashkëpunimin e demokracisë dhe liberalizmit, që më pas ta mundësoj funksionimin e sistemit kapitalist, ku individi si në aspektin edukativo-arsimor, ashtu edhe në atë ekonomik e kulturor është i lirë të veproj ashtu siç e mendon, gjithmonë duke respektuar rregullat e sistemit të drejtësisë, i cili është edhe garanti i funksionimit të vet sistemit.

Në ditët e sotme, kur Liberalizmi nuk i ka më vështirësitë që kishte pas Luftës së Dytë Botërore, të tilla si përpjekja për ta argumentuar vetveten, përballë një irritimi shoqërorë, pas humbjes së mundësisë për ta parandaluar luftën. Sot Liberalizmi është përballë sfidave të reja. Krijimet e kampeve ultra të djathta dhe të majta në Evropë dhe më tej përbën kërcënim serioz. Pjesa tjetër nëkupton punë dhe angazhim në ruajtjen e saj si teori e cila siguron bashkëpunim, liri dhe demokraci për të gjitha palët. Konsiderohet e nevojshme përpjekja sidmos në bashkëpunim me toeritë e përafërta në qasje ndaj lirisë invidiuale, ndaj bashkëpunimit dhe ndaj ndërtimit të raporteve të shëndosha shoqërore, qoftë ajo teoria konservatore apo liberal-konservatore. Të dyja këto të fundit, sipas Roger Scruton, filozof anglez, janë ide të cilat mbrojnë shtëpinë e ndërtuar, mbrojnë idenë e bashkëpunimit në kërkim të vlerave, e të cilat mundësojnë lirinë si domosdoshmëri.

Nga kjo nxjerrim përfundimin se, pavarësisht ideve me konotacion të nacionalizmit ekstrem të cilat janë shfaqur në dekaden e dytë të shekullit të XXI-të, e ardhmja padyshim së është bashkëpunimi në mbrojtje të lirisë dhe të drejtave të njeriut, në mbrojtje të normave demokratike të cilat garantojnë lirinë individuale, ekonominë e lirtë të tregut e cila më pas siç shprehej Milton Friedman mundëson edhe liritë e tjera siç është liria politike, kulturore apo teknologjike. Kjo sepse, e ardhmja kursesi nuk duhet të jetë drejtë konflikteve qofshin ato edhe të shkaktuara pa dëshirën e palëve të përfshira, sepse, edhe pas çdo konflikti, sërish duhet bashkëpunim, ide inovative për kalim të krizes, që nënkupton se prapë duhen ide të cilat mundësojnë një jetë të barabartë në respektim të normave demokratike.