Demokracia «allaturka»

Nën presionin e Rexhep Taip Erdoanit autoritetet elektorale turke kanë vendosur të përsërisin zgjedhjet në Stamboll për shkak se rezultati nuk i pëlqente sundimtarit.

Rexhep Taip Erdoan.



Çka është demokracia sipas Rexhep Taip Erdoanit? Është përsëritje e zgjedhjeve deri në atë ditë kur rezultati të jetë ai që e dëshiron padishahu. Erdoanit nuk i pëlqeu rezultati i zgjedhjeve lokale në Stamboll. Në metropolin turk, në qendrën ekonomike, politike, kulturore e sociale të Turqisë fitoi kandidati i opozitës me një epërsi të ngushtë, por prapëseprapë fitore ishte. Ekrem Imamollu mori postin e kryetarit të Stambollit. Kandidati i AKP-së, partisë së Erdoanit, Binali Jildirim, pësoi disfatë.

Erdoan dhe partia e tij filluan një fushatë presioni politik kundër autoritetet elektoral të Turqisë. Krahas pretendimeve për manipulim të zgjedhjeve nga ana e opozitës u dorëzuan një sërë ankesash. Kështu Erdoan i mbështeti për muri anëtarët e autoritetit elektoral. Nga 11 gjykatës të autoritetit elektoral 7 votuan për përsëritjen e zgjedhjeve, katër ishin kundër. U tha se në 16 mijë kuti votimi kishte parregullsi. Së fundi Erdoan kishte thënë: «Qytetari im më thotë kështu: presidenti im, këto zgjedhje duhet të përsëriten».

Pas lajmit për anulimin e zgjedhjeve dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja më 23 qershor, kryetari Imamollu tha: «Mos e humbni shpresën». Imamollu duhet të dorëzojë menjëherë postin, në vend të tij qytetin do ta drejtojë një administrator shtetëror.

Anulimi i zgjedhjeve në Stamboll tregon se Erdoan e kupton demokracinë «allaturka»: në zgjedhje mund të kandidojnë politikanët e opozitës, por është e ndaluar që ata të fitojnë. E nëse fitojnë, atëherë padishahu kujdeset që kjo të anulohet. Erdoan sërish ka treguar faqe botës se nuk është demokrat. Për të demokracia është vetëm një instrument për betonimin e pushtetit dhe luftimin arbitrar të opozitës. Dikur Erdoan kishte thënë se për të demokracia është vetëm tren, nga i cili do të zbresë sapo të arrijë cakun. Nënkryetari i partisë opozitare CHP Onursal Adigyzel deklaroi se «ky sistem që shkel vullnetin e popullit me të dy këmbët dhe injoron drejtësinë, nuk është as demokratik, as legjitim. Kjo është një diktaturë». Në shumë lagje të Stambollit njerëzit dolën në dritare dhe filluan t’u binin tenxhereve në shenjë proteste kundër regjimit të Erdoanit.

Këshilli i Europës kritikoi vendimin e autoriteteve turke për përsëritjen e zgjedhjeve. Ky vendim mund të dëmtojë besimin e qytetarëve turq në procesin zgjedhor. Nënkryetarja e parlamentit gjerman Claudia Roth tha se anulimi i zgjedhjeve në Stamboll është sinjal i tmerrshëm. Vendimi i gjykatësve turq nën presionin e Erdoanit tregon se Turqia nuk është partner i Bashkimit Europian dhe nuk ndan vlerat perëndimore të demokracisë.

Nuk është hera e parë që Erdoan përsërit zgjedhjet për shkak se nuk i pëlqen rezultati. Në vitin 2015 partia e tij humbi shumicën në parlament. Pas përsëritjes së zgjedhjeve, AKP rifitoi shumicën. Për të arritur këtë Erdoan e kishte ashpërsuar tej mase konfliktin me kurdët dhe kështu kishte mobilizuar edhe qarqet nacionaliste turke. Mediat perëndimore supozojnë se përsëritja e zgjedhjeve në Stamboll mund të ketë efekt negativ për AKP-në. Vendimi shumë i dyshimtë i autoritetit elektoral mund të mobilizojë përkrahësit e opozitës. Kuadro të vjetra të AKP-së mund të aktualizojnë planet për themelimin e një partie të re. Gjendja ekonomike mund të keqësohet edhe më shumë.