Demaku: Kam vepruar në mbrojtje të interesit të qytetarëve – vendimi i papranueshëm

Kryetari i dënuar i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, ka thënë se është i befasuar me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila i shqiptoi atij sot dënimin prej 1 vjet e gjysmë burgim.




Ai konsideron se ka vepruar në mbrojtje të interesit të qytetarëve dhe ka theksuar se kjo pronë ka qenë e komunës dhe është tjetërsuar në kohën e masave të dhunshme.

Demaku, siç raporton KTV, ka thënë gjithashtu se vendimi është i papranueshëm pasi që, siç u shpreh ai, «rasti është marrë kryesisht me mua, edhe përkundër faktit se unë nuk kam qenë direkt i përfshirë në rast», transmeton Koha.net.

Kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku ka insistuar që Gjykata të mos ngutet me këto raste të kontesteve pronësore, duke thënë se duhet t’i presin dokumentet e kadastrit nga Serbia.

Ndërkaq, avokati i familjes Hasi, që paditi Komunën e Drenasit për kompensim të fitimit të humbur, Arif Hasi, ka thënë se vendimi është i drejtë «deri diku pasi që prokurorja nuk ka kërkuar ndalimin e funksionit publik ndaj kryetrarit Demaku dhe drejtorit të komunës, Mehdi Korumeli».

Hasi ka theksuar faktin se familja Hasi do të insistojë deri në fund që ta kthejë pronën e vet dhe nëse vendimi nuk zbatohet, «familja do ta marr ligjin në dorë vet».