Çmimi i lirisë së lëvizjes pas një çerekshekulli izolim

Qytetarët e Kosovës pritet së shpejti të fitojnë lirinë e lëvizjes – pas 25 vjet izolimi. Shkaktarët e këtij izolimi janë burokratët diskriminues në Bruksel dhe sundimtarët e Kosovës të zhytur në krim. Ky shkrim përmban edhe një shembull se çfarë i bën jetës së një njeriu getoizimi.




I madh dhe i kuptueshëm është gëzimi i çdo qytetari të Kosovës që sot ka përjetuar lajmin për rekomandimin e Komisionit Europian për heqjen e vizave. Duhet të kryhen edhe disa formalitete, të shpresohet se disa shtete anëtare të Marrëveshjes së Schengenit nuk do ta bllokojnë Kosovën, të përmbyllet kapitulli i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe, siç e tha komisioneri Dimitris Avramopoulos, të fuqizohet intensiteti i luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Me pak fat kosovarët pas pushimeve të verës në plazhet e Durrësit, Sarandës apo Ulqinit mund të vazhdojnë të bredhin për qejf nga Italia në Suedi, natyrisht nëse një udhëtim të tillë mund ta përballojnë financiarisht. Falë diasporës së madhe shumë udhëtime të tilla do të bëhen të mundshme. Ky është fati i shoqërisë kosovare.

Me heqjen e vizave qytetarët e Kosovës do të ndihen pak më të barabartë në Europë, për ta do të bëhet më i prekshëm projekti i integrimeve europiane me lirinë e lëvizjes si element thelbësor. Ta paramendojmë një arsimtar në një fshat të Kosovës, i cili në vitin 1991 filloi të punojë për herë të parë. Ai ishte 29-vjeçar, kishte ëndrra, dëshira, projekte. Prej tij pritej të përgatiste gjeneratat e reja në frymën e tolerancës. Por shpërthimi i luftës në Jugosllavi si pasojë e politikës hegjemoniste të Beogradit shkatërroi të gjitha planet e arsimtarit dhe të nxënësve të tij. Brukseli mori vendim: aplikohet menjëherë regjimi i vizave për shumicën e vendeve të Ballkanit (me përjashtim të Kroacisë dhe Sllovenisë). Arsimtari kosovar vazhdoi punën në shkollën paralele gjatë viteve 90-të, u angazhua që fëmijët të entuziazmohen për të mësuar sa më shumë, shpesh ai përgjakej nga policia serbe ndërsa shkonte në punë, për të cilën merrte një rrogë mjerueshëm të ulët. Europa mbeti vetëm ëndërr për arsimtarin. Valët e luftës e përplasën arsimtarin në Shqipëri, por ai nuk pranoi të largohet nga Kukësi, dëshironte të jetë ndër të parët që do të kthehet në shtëpi kur të vijë liria…

Dhe liria erdhi në verën e vitit 1999, arsimtari u kthye dhe gjeti vetëm gërmadhat e shtëpisë së tij, ai nuk ishte më hero, heronj u bënë të tjerët, sidomos ata që simulonin sikur kanë luftuar për t’ua marrë famën dhe për t’i izoluar luftëtarët e mirëfilltë. Arsimtari filloi punën në shkollën publike, jepte mësim, por nuk gëzonte më autoritetin e dikurshëm, sepse tani në shoqëri dominojnë vlera të tjera: grykësia e mujshia. Arsimtari mbeti i izoluar në fshatin e tij, vizat nuk u hoqën fare, e për të marrë një vizë për të vizituar vëllain në Bernë arsimtari duhej t’i nënshtrohej një procedure poshtëruese. Njëherë ai e filloi këtë odise dhe viza iu refuzua. Nuk shkoi më për të pritur në rendin e gjatë para ambasadës.

Arsimtari sot është 54-vjeçar dhe s’ka parë gati asgjë nga kjo botë. Me nostalgji kujton një udhëtim në Zagreb në vitin 1987, kur shkoi të vizitojë një kushëri që po kryente shërbimin ushtarak. Dhe një udhëtim në Split në vitin 1988, kur me disa shokë shkoi të punojë gjatë verës në sektorin e turizmit. Që nga atëherë arsimtari kosovar nuk e braktisur Kosovën. Në vitin 2010 kishte mundësinë të shkojë në Turqi me disa kolegë, por refuzoi.

Secili kosovar është në gjendje të përshkruajë raste të tilla, sepse 25 vjet izolim janë të gjata. 25 vjet në geto. Sot duhet të ndjejmë dhembje për këta njerëz që rrethanat e vështira historike, burokracia e Bashkimit Europian dhe klasat e papërgjegjshme politike vendore i lanë të izoluar për një çerekshekull. Ky kombinim fatal ndikoi që kosovarët të mbesin në karantinë, të trajtohen si zhuganët e Europës. Një padrejtësi e madhe, një diskriminim i pashoq nga ana e ofiqarëve të Brukselit. Thuhej se me regjimin e vizave po pengohej migrimi ilegal, por askush nuk arriti t’i pengojë 100 mijë kosovarë për të ikur nga vendi në dy-tri vitet e fundit. Thuhej se me regjimin e vizave do të luftohej rrjeti i trafikantëve, por nuk besoj të ketë parë dikush prej nesh trafikant njerëzish duke marrë vizë të Schengenit, sepse ata kanë metoda të tjera të veprimit. Kosova nuk do ta rrezikonte Europën sikur të hiqeshin vizat më herët, sepse Europa, kontinenti me 500 milionë njerëz, nuk u fundos as kur u anëtarësuan vendet e Europës Lindore, ku jetojnë mes 10 dhe 12 milionë romë, shumica të papunë.

Besa Shahini, e cila si pakkush në Kosovë e ka mbikëqyrur çdo hap të rrugëtimit të vendit tonë nga Qarku i Samsarës drejt parajsës së udhëtimit pa viza, sot në profilin e saj në Facebook shkroi: «Kosova filloi t’i plotësojë kushtet për liberalizimin e vizave qysh në vitin 2008, kur njëanshëm miratoi <Udhërrëfyesin> për liberalizim. Zyrtarisht udhërrëfyesin Kosova e mori nga BE në vitin 2012. Nëse Komisioni Europian jep sot rekomandimin për liberalizim të vizave – dhe nëse shtetet anëtare pastaj votojnë <për> (që mbetet pikëpyetje e madhe) – qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen në vitin 2017. Kjo do të thotë që Kosovës ju deshën rrafsh 9 vjet për të arritur diçka që vendet e rajonit e arritën për 2 vjet. Ky proces si asnjë tjetër ka shpërfaqur (ndër tjera) qasjen diskriminuese që BE ka ndaj Kosovës».

Por ka edhe një të vërtetë tjetër, e cila ka të bëjë vetëm me Kosovën, me paaftësinë e elitave politike për të ndërtuar një shtet funksional. Vërtet BE i diskriminoi kosovarët, por edhe kosovarët heshtën kur u zbulua se tenderi për pasaporta biometrike (rreth 14 milionë euro i rëndë) u nda si filetë për të kënaqur apetitet e zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, shumica zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës. Kur sot e dëgjon kryetarin e Kuvendit dhe kryetarin e ardhshëm të PDK-së duke thënë se partia e tij ishte lokomotivë për liberalizimin e vizave, duhet thënë: po, e saktë, lokomotivë me avull dhe me përralla, që mbeti e stacionuar në Fushë-Kosovë mbi binarë të ndryshkur. Kosovarët ulën kokën kur nga Dhoma e Dëshmive e policisë u vodhën 50 kilogramë drogë, para e dëshmi të tjera. Kosovarët shikuan me indiferencë spektaklin kur një deputet i PDK-së mashtroi sigurimet sociale në Zvicër. Jo më larg se këtë javë BIRN solli artikullin me këtë titull e nëntitull: «Shefi i armëve në Kosovë, nën akuzë për shitje të armëve të policisë në tregun e zi. Një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme, përgjegjës për luftimin e armëmbajtjes pa leje në Kosovë dyshohet për tregti armësh në tregun e zi». A ju kujtohet Nazmi Mustafi? Shefi i task-forcës antikorrupsion në Prokurorinë Speciale, i cili u arrestua për – korrupsion. Kapadaillëku me të cilin është qeverisur Kosova i ka dhënë BE-së arsye të mirëseardhur për t’i mbajtur në karantinë kosovarët.

Historia e regjimit të vizave do të duhej të shërbente si mësim: Kosova do të dënohet edhe në të ardhmen në rrugën e integrimeve europiane nëse qytetarët vazhdojnë të qëndrojnë indiferentë ndaj një sistemi tërësisht të kalbur dhe të rrezikshëm, i cili është i ndërtuar mbi krim e korrupsion. Për lirinë e lëvizjes Kosova po paguan një çmim të lartë: kompromiset me Serbinë në Bruksel, shndërrimin e Kosovës në shtet jofunksional, ngjalljen e iluzionit se nëse pajtohen dy liderë popullistë për interesa personale, atëherë janë pajtuar edhe popujt, imponimin e vendimeve pa pëlqim të popullit. Liria e lëvizjes do ta gëzojë arsimtarin që u përpoqëm ta portretojmë në këtë tekst, por bashkë me gëzimin përzihet edhe hidhërimi për aq shumë vite dhe aq shumë shanse të humbura edhe me fajin tonë.