Clinton: Isha i bindur se mund të arrijmë marrëveshje me Rugovën, por jo edhe me Thaçin

Si i përshkruan Bill Clinton momentet më dramatike të negociatave dhe luftës për Kosovën? Detaje nga libri i tij: «My Life», Arrow Books, 2005.

Bill Clinton .



Ne po shkonim drejt një lufte tjetër ballkanike, kësaj radhe në Kosovë. Një vit më herët serbët kishin nisur një ofensivë kundër shqiptarëve të rebeluar të Kosovës, duke vrarë shumë njerëz të pafajshëm, ku gra e fëmijë ishin djegur në shtëpitë e tyre. Raundi i fundit i agresionit serb kishte shkaktuar një eksod tjetër të refugjatëve dhe kishte rritur dëshirën e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi. Vrasjet ishin reminishenca të ditëve të hershme të Bosnjës, e cila, sikur Kosova, paraqiste urën e ndarjes mes myslimanëve të Europës dhe serbëve ortodoksë, një linjë ndarëse përgjatë të cilës kishte pasur konflikte kohë pas kohe për 600 vjet.

Në vitin 1974, Tito i kishte dhënë Kosovës autonomi, duke lejuar vetëqeverisjen dhe kontrollin mbi shkollat. Më 1989 Milošević-i ia mori autonominë. Prej atëherë u ngritën tensionet, të cilat shpërthyen pasi që u sigurua pavarësia e Bosnjës më 1995. Unë isha i përcaktuar që të mos lejojë që Kosova të bëhet një tjetër Bosnjë. Edhe Madeleine Albright ishte e përcaktuar.

Nga prilli i vitit 1998, OKB kishte vendosur embargo të armëve ndaj Serbisë, kurse ShBA dhe aleatët e saj edhe embargo ekonomike, për shkak të dështimit të saj për t’i dhënë fund armiqësive dhe për të nisur dialogun me shqiptarët e Kosovës. Nga mesi i qershorit, NATO kishte filluar të planifikojë për një seri të opsioneve ushtarake për t’i dhënë fund dhunës. Me ardhjen e verës, Holbrooke u kthye në regjion për të provuar të gjejë një zgjidhje diplomatike për krizën.

Në mes të korrikut, forcat serbe sërish sulmuan kosovarët e armatosur e të paarmatosur, duke e filluar një verë me agresion që do të detyronte edhe 300 mijë shqiptarë të Kosovës t’i lëshojnë shtëpitë e tyre. Në fund të shtatorit, Këshilli i Sigurimit i OKB-së e miratoi një tjetër rezolutë që kërkonte t’i jepte fund armiqësive, e krejt në fund të muajit e dërguam Holbrooke në një tjetër mision në Beograd për të diskutuar me Milošević-in.

Më 13 tetor, NATO kërcënoi se do të sulmojë Serbinë brenda katër ditëve nëse nuk respektohen rezolutat e OKB-së. Sulmet ajrore u shtyn kur 4 mijë policë special jugosllavë u tërhoqën nga Kosova. Gjërat u përmirësuan për pak kohë, por në janar 1999 serbët vranë sërish njerëz të pafajshëm në Kosovë dhe sulmet ajrore të NATO-s dukeshin të paevitueshme. Vendosëm të provojmë diplomacinë edhe një herë, por kësaj radhe nuk isha optimist. Qëllimet e palëve ishin shumë të ndryshme. ShBA dhe NATO dëshironin që Kosova të ketë autonominë politike që e kishte sipas kushtetutës jugosllave në vitet 1974-1989, kur e suprimoi Milošević-i, dhe kërkonim që forca paqeruajtëse e udhëhequr nga NATO të garantojë paqen dhe sigurinë e civilëve në Kosovë, përfshi minoritetin serb. Milošević-i dëshironte të mbante nën kontroll Kosovën dhe kundërshtonte vendosjen e çfarëdo trupe të huaj në Kosovë. Shqiptarët e Kosovës dëshironin pavarësi. Ata ishin po ashtu të ndarë mes vete. Ibrahim Rugova, udhëheqësi i pushtetit në hije, ishte një njeri i butë, që mbante shall rreth qafe. Isha i bindur se me të mund të arrijmë një marrëveshje paqësore, por jo aq i sigurt se këtë mund ta bëjmë edhe me fraksionin tjetër kosovar, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të udhëhequr nga i riu që quhej Hacim Thaci (Hashim Thaçi). UÇK-ja dëshironte pavarësi dhe besonte se mund të luftonte ballë për ballë me ushtrinë serbe.

Palët u takuan në Rambouillet, Francë, më 6 shkurt, për të diskutuar detajet e një marrëveshje që do të vendoste autonominë, do të mbronte kosovarët nga represioni përmes një operacioni të udhëhequr nga NATO-ja, do të çarmatoste UÇK-në, dhe do të lejonte ushtrinë serbe të patrullonte kufirin. Albright dhe homologu i saj Cook, e ndoqën këtë politikë agresivisht. Pas një jave të negociatave të koordinuara nga ambasadori amerikan Hill, dhe kolegët e tij nga Europa dhe Rusia, Albright kuptoi se pozicioni ynë kundërshtohej nga të dy palët: serbët nuk donin të pajtoheshin me forcën paqeruajtëse të NATO-s, kurse kosovarët nuk donin të pajtoheshin me autonominë, përveç nëse u garantohej një referendum për pavarësinë. UÇK-së nuk i pëlqente që duhej të çarmatosej, pjesërisht edhe për shkak se nuk ishin të sigurt që mund të besonin se forcat e NATO-s do t’i mbronin. Ekipi ynë vendosi ta shkruaj marrëveshjen në atë mënyrë që do ta shtynte referendumin, por nuk do ta mohonte atë përgjithmonë.

Më 23 shkurt, shqiptarët e Kosovës, përfshirë edhe Thaçin, e pranuan marrëveshjen në parim, u kthyen në shtëpi për t’ia shitur atë popullit të tyre, kurse në mes të marsit udhëtuan në Paris për ta nënshkruar dokumentin e përfunduar. Serbët e bojkotuan ceremoninë, ndërsa 40 mijë trupa marshuan në dhe rreth Kosovës dhe Milošević-i tha sërish se nuk do të pajtohet kurrë me trupat e huaj në tokën e Jugosllavisë. E dërgova edhe një herë Holbrooke-un që ta takojë për herë të fundit, por as ai nuk mundi ta lëvizte.

Më 23 mars, pasi që Holbrooke e braktisi Beogradin, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, me mbështetjen time të plotë, udhëzoi gjeneralin Wesley Clarck që të fillojë sulmet ajrore. Në të njëjtën ditë, me shumicën 58-41, Senati votoi për ta mbështetur këtë aksion. Më herët gjatë muajit, Dhoma e Përfaqësuesve votoi 219-191 për të dërguar trupat amerikane në Kosovë nëse do të kishte marrëveshje të paqes.

Derisa shumica e Kongresit dhe të gjitha aleatët tonë të NATO-s favorizuan sulmet ajrore, Rusia refuzoi. Kryeministri Jevgeni Primakov ishte rrugës për në ShBA për të takuar Al Gore. Kur Al Gore e njoftoi se sulmet e NATO-s në Jugosllavi ishin krejt afër, Primakov-i urdhëroi aeroplanin e tij që të kthehej për në Moskë.

Më 24 mars iu drejtova popullit amerikan për t’i treguar se çfarë po bëja dhe pse. Shpjegova se Milošević-i u kishte hequr kosovarëve autonominë , duke iu mohuar të drejtat e garantuara kushtetuese për të përdorur gjuhën e tyre, për të drejtuar shkollat e tyre dhe për të qeverisur veten e tyre. Përshkrova krimet e serbëve: vrasjet e civilëve, djegien e fshatrave, largimin e njerëzve nga shtëpitë e tyre, 65 mijë në pesë javët e fundit, një çerek milioni në total. Përfundimisht, i vendosa këto ngjarje në kontekst të luftërave që Milošević-i i kishte zhvilluar në Bosnjë dhe Kroaci, dhe ndikimin shkatërrues të vrasjeve të tij për të ardhmen e Europës.

Fushata ushtarake kishte tri qëllime: t’i tregojmë Milošević-it se e kemi seriozisht ndalimin e një serie tjetër të spastrimit etnik, ta ndalim një ofensivë edhe më të përgjakshme kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë, dhe, nëse Milošević-i nuk rrëzohet shpejt, ta dëmtojmë seriozisht kapacitetin ushtarak të serbëve.

Atë natë filluan goditjet ushtarake të NATO-s. Ato zgjatën 11 javë, ndërsa Milošević-i vazhdonte të vriste shqiptarë të Kosovës dhe t’i largojë gati një milion njerëz prej shtëpive të tyre. Bombat shkaktuan dëme të mëdha në infrastrukturën ushtarake dhe ekonomike të Serbisë. Mjerisht, në disa raste gabuam caqet dhe u vranë njerëz që ne po synonim t’i mbronim.

Disa kanë argumentuar se pozicioni ynë do të ishte më i mbrojtshëm nëse do të dërgonim trupa tokësore. Kishte dy probleme me këtë argument. E para, para se ushtarët tanë të ishin në pozicion, në numër adekuat dhe me mbështetje të duhur, serbët do të kishin bërë dëme të mëdha. E dyta, dëmet në civilë do të ishin shumë më të mëdha. Nuk gjeja argumente se duhet të ndjekë një kurs që do të kushtonte më shumë jetë amerikane, pa i rritë shpresat e një fitoreje bindëse.

Ende besoja se fushata ajrore do të funksionojë, dhe shpresoja se mund të shmangim dërgimin e trupave tokësore përderisa misioni i tyre ishte për të ruajtur paqen. Më 14 prill i telefonova Boris Jelcinit për t’i kërkuar pjesëmarrjen e forcave ruse në forcat paqeruajtëse pas konfliktit, sikur në Bosnjë. Mendoja se prania e trupave ruse do të ndihmonte në mbrojtjen e minoritetit serb dhe mund t’i jepte Milošević-it mundësinë që të dilte me faqe të bardhë nga kundërshtimi i trupave të huaja.

Në fund të majit filluam diskutimet e pa zhurmshme rreth mundësisë së dërgimit të trupave tokësore, nëse bëhej e qartë se fushata ajrore nuk do të triumfonte. Sandy Berger po m’i përgatiste opsionet, dhe unë isha i gatshëm t’i nisja trupat tokësore nëse do të ishte e nevojshme, edhe pse isha i bindur që lufta ajrore do të ketë sukses.

Në fillim të qershorit, Çernomirdin dhe Ahtisaari personalisht i dorëzuan Milošević-it kërkesat e NATO-s. Më 3 qershor Milošević-i dhe Parlamenti i Serbisë u pajtuan me to. Më 9 qershor NATO dhe zyrtarët ushtarakë serbë u pajtuan për tërheqjen e trupave serbe nga Kosova dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.

Përgatiti: Shkëlzen Gashi

 Copyright: Shkëlzen Gashi dhe Dialogplus. Ndalohet rreptësishtë ribotimi nga mediumet tjera.