Çka tha presidenti gjerman në Poloni? Dhe pse tone të tilla nuk dëgjohen nga asnjë president serb?

Frank-Walter Steinmeier.



Sot, në 80-vjetorin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier mbajti një fjalim në Wielun të Polonisë. Këtu Gjermania naziste filloi agresionin kundër Polonisë.

Frank-Walter Steinmeier tha: «Nuk ka vend tjetër në Europë ku e kam aq vështirë të ngre zërin. T’ju drejtohem juve të gjithëve në gjuhën time amtare gjermane. I nderuari president Duda, qëndroj këtu i përulur dhe mirënjohës. Më keni ftuar që me ju dhe me bashkëkombësit tuaj të kujtojmë. Si sot para 80 vitesh vendi im, Gjermania, sulmoi fqinjin e vet, Poloninë – atdheun tuaj. Bashkëkombësit e mi ndezën një luftë të tmerrshme, e cila do t’u kushtonte me jetë mbi 50 milionë njerëzve, mes tyre miliona qytetare dhe qytetarë polakë.

Kjo luftë ka qenë një krim gjerman. Këtë e dëshmon historia e këtij vendi. Që nga dita e parë e luftës gjermanët hapën zjarr kundër Varshavës. Me vite të tëra ata u sollën si të tërbuar kundër këtij qyteti. Ata i bënë rrafsh me tokë lagje të tëra. Deportuan banorët. Vranë burra, gra e fëmijë. Polonia, kultura e saj, qytetet e saj, njerëzit e saj – gjithçka e gjallë synohej të zhbëhej.
(…)
Jo, e kaluara nuk është mbyllur. Përkundrazi: sa më e largët është kjo luftë, aq më e rëndësishme është kujtesa. Lufta merr fund, kur heshtin armët. Pasojat e saj, ndërkaq, janë trashëgimi për disa gjenerata. Kjo trashëgimi është trashëgimi e dhimbshme. Ne gjermanët e marrim mbi vete këtë trashëgimi dhe e bartim tutje. Si president i Gjermanisë, bashkë me kancelaren, ne sot ju themi të gjithë polakeve dhe polakëve: nuk do të harrojmë. Nuk i harrojmë plagët që gjermanët ua kanë shkaktuar polakëve. Nuk e harrojmë vuajtjen e familjeve polake, po aq sa nuk e harrojmë guximin dhe rezistencën e tyre. Kurrë nuk do të harrojmë: Nigdy nie zapomnimy!»

Në vitet ’90 Serbia ka provokuar katër luftëra – kundër sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Luftërat e Serbisë kanë qenë agresion me ambicie territoriale. Territoret e pushtuara do të spastroheshin, serbizoheshin dhe shndërroheshin në pjesë të Serbisë së Madhe. Ky shtet, Serbia e Madhe, do shtrihej nga bregdeti kroat deri para portave të Selanikut. Rreth tre milionë njerëz janë zhvendosur nga vendbanimet e tyre si pasojë e agresionit serb. Rreth 150 mijë janë vrarë. Për këtë dhimbje të madhe asnjë president serb nuk ka kërkuar falje. Përkundrazi: kriminelët e luftës shikohen e trajtohen si heronj në Serbi. Kriminelët e luftës vazhdojnë të jetojnë të lirë dhe drejtësia nuk vepron. Gjenocidi në Srebrenicë, krimet e llahtarshme në Sarajevë, vrasjet masive të civilëve në Kosovë, shkatërrimi i Vukovarit, qindra masakra gjithandej – të gjitha këto mohohen ose minimizohen. Në këto rrethana pajtimi është i pamundshëm. Ky pajtim vjen vetëm kur në krye të Serbisë të ketë politikanë që si presidenti gjerman shkojnë në vendin e krimit dhe sinqerisht kërkojnë falje.