Çka ke bërë për vendin tënd?

Një falënderim për vullnetarët e diasporës.




Sot, pasi u bë e ditur se mbi 42 mijë qytetarë të Kosovës nga diaspora kanë aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, është e udhës t’u themi faleminderit pafund dhe me respekt të madh të gjithë atyre vajzave e djemve, burrave e grave që gjatë javëve të fundit kanë lënë anash të gjitha obligimet e tyre, madje jo pak prej tyre kanë lënë edhe jetën e rehatshme në diasporë dhe krejt kohën e lirë dhe jo aq të lirë ia kanë kushtuar mobilizimit të kosovarëve në diasporë për të marrë pjesë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Këta vullnetarë kanë dhënë këshilla pa përtesë, kanë shkarkuar formularë, kanë plotësuar formularë, kanë shkruar mijëra herë adresën e KQZ-së në Kosovë dhe i kanë udhëzuar bashkëatdhetarët që sa më shpejt të dërgojnë zarfin në postë. Dhe mos të harrojnë të votojnë – pas aprovimit të aplikimit nga KQZ dhe marrjes së fletëvotimit.

Të gjithë këta vullnetarë punuan të udhëhequr nga porosia e presidentit amerikan John F. Kennedy: «Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi yt për ty, por çfarë mund të bësh ti për vendin tënd». Këta vullnetarë nuk patën asnjë kërkesë, ata nuk e patën parasysh dobinë e tyre, por dobinë e përgjithshme.

Një shoqëri funksionon vetëm nëse çdo individ është i gatshëm të dhurojë diçka dhe të mos e shoh vetëm përfitimin personal në jetën e përditshme. Vullnetarët e diasporës treguan se vlerë e vërtetë është trimërimi i njerëzve për të marrë pjesë në zgjedhje. Vullnetarë e bënë këtë me një buzëqeshje të përzemërt, me një fjalë dashamirëse, me përvojën e tyre profesionale në shtetet ku janë rritur (Zvicër, Gjermani, Austri e gjetiu).

Në këtë frymë qe edhe disa citate të John F. Kennedy:
– «Kur, nëse jo tani? Ku, nëse jo këtu? Kush, nëse jo ne?»
– «Nëse jemi unikë, ka pak gjëra që nuk mund t’i bëjmë. Nëse jemi të përçarë, pak gjëra mund t’i bëjmë».
– «Përparësi në jetë ka ai që fillon të punojë aty ku të tjerët vazhdojnë të flasin».