Çfarë thoshte më 1891 akademiku serb Çedomir Mijatoviq mbi gjuhën shqipe dhe veprën e Pjetër Bogdanit?

Çedomir (Çedomil) Mijatoviq.



Çedomir (Çedomil) Mijatoviq ka qenë politikan, diplomat dhe i dërguar (ambasador) i Mbretërisë së Serbisë në Londër në kohën e sundimit të Mbretit Aleksandër Obrenoviqit, i cili u vra më 1903 për shkak të qëndrimeve të tij proaustriake (properëndimore). Mijatoviq, i lindur më 1842 në Beograd, atëbotë një qytezë në veri të kufirit të Turqisë Europiane, studioi në Leipzig, Vjenë, München, Zürich. Ai ishte jurist i njohur dhe fliste pesë gjuhë të huaja.

I ati i Çedomir (Çedomil) Mijatoviqit ishte avokat, i ardhur në Serbi nga Hungaria jugore. Millan Mijatoviqi punoi si mësues në Gjimnazin e Parë të Beogradit, ku ligjëroi latinishten, historinë dhe gjeografinë. Çedomir (Çedomil) Mijatoviq më së shumti i ndikua nga e ëma e tij, Rakilla Kristina, e cila ishte me origjinë serbo-spanjolle. Gjuha kryesore e përdorur në familjen Mijatoviq ishte gjermanishtja. Më 1864 Çedomir (Çedomil) Mijatoviq u martua në Kishën Ruse të Leipzigut me britaniken Elodie Lawton, e cila ndikoi që Mijatoviq të bëhet anglofili më i madh i asaj kohe në shoqërinë serbe. Ai është shpikës i emrit të valutës serbe (më vonë jugosllave) të quajtur dinar dhe si të arritur më të madhe të tij e konsideronte një ligj, i cili përcaktonte pasurinë që nuk mund t’i konfiskohet një bujku në emër të borxhit: ndalohej konfiskimi i shtëpisë së bujkut, zgjedhës së qeve, plugut dhe pesë hektarëve tokë.

Më 28 qershor 1881 Çedomir (Çedomil) Mijatoviq, me urdhër të sundimtarit të Serbisë, Princit Millan, nënshkroi një marrëveshje sekrete me Austro-Hungarinë, ku garantonte se Serbia do të heq dorë nga pretendimet ndaj Bosnjës dhe nga politika e pavarur e jashtme. Nga nacionalistët prorusë serbë kjo u pa si heqje dorë nga sovraniteti. Për këtë Mijatoviq u atakua nga dy politikanë: kryeministri Milan Piroçanac dhe ministri Millutin Garashanin. Më 4 tetor 1881 Mijatoviq nënshkroi aktin me të cilin Serbia vendosi marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Si pothuaj të gjithë politikanët dhe intelektualët serbë të asaj kohe edhe Mijatoviq nuk kishte ndonjë qëndrim progresiv ndaj Kosovës, por është interesant një mendim i tij mbi veprën e Pjetër Bogdanit «Çeta e Profetëve», të botuar më 1685. Në «Spomenik SK akademije nauka, X Beograd, 1891» Mijatoviq shkruan: «Gjykuar në bazë të tekstit në italisht, vepra është e shkruar me një qartësi dhe pasuri detajesh interesante, çfarë është e pabesueshme që një vepër e tillë ka mundur të shkruhet në shekullin XVII… kjo vepër flet shumë për pasurinë e gjuhës shqipe, mbasi ka qenë e mundur të thuhet në shqip e gjithë ajo që për asofarë temash abstrakte thuhet në italisht». Titulli i artikullit është ky: «Jedan potomak Dušanovog Bogdana». Aty Mijatoviq tenton ta prezantojë Pjetër Bogdanin si pasardhës të një familjeje feudale serbe, por më 1950 mediavelisti i njohur serb, Jovan Radoniqi, shkroi – duke u bazuar në fakte të pamohueshme – se Pjetër Bogdani ka qenë shqiptar. Përkundër përpjekjes për ta «përvetësuar» Bogdanin, Mijatoviq e pranon që vepra «Çeta e Profetëve» është shkruar në shqip dhe italisht. Ai shprehet i habitur mbi pasurinë e gjuhës shqipe.