Çfarë kërkon politika e brendshme turke në parkun e Tiranës?

Pse një park në kryeqytetin shqiptar duhet të bart emrin «Parku i Demokracisë së 15 korrikut»? Më 15 korrik 2016 në Turqi kishte një përpjekje për puç. Por kjo është punë e brendshme e Turqisë, jo e Shqipërisë. Që këtë emërtim e toleron kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Velija është një poshtërsi populliste.




Ditë më parë ambasadori turk në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük, përuroi një park në Tiranë. Në këtë përurim mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ambasada turke e njoftoi miletin arnaut se zotërinjtë Yörük dhe Veliaj luajtën basketboll së bashku me fëmijët dhe biseduan me të pranishmit. «Ky park është dhuratë nga vëllezërit turk», nënvizoi ambasada, e cila, me sa duket, ka probleme të formulojë një fjali në gjuhën shqipe.

Çfarë është problematike në këtë park? Emri i parkut. Diplomatët e Turqisë në Tiranë dhe agjencia shtetërore turke për bashkëpunim dhe koordinim TIKA, e cila më shumë merret me politikë hegjemoniste se sa me ofrim të ndihmës, janë kujdesuar që parku të quhet «Parku i Demokracisë së 15 korrikut». Më 15 korrik 2016 në Turqi kishte një përpjekje për puç. Por kjo është punë e brendshme e Turqisë, jo e Shqipërisë. Që këtë emërtim e toleron kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Velija është një poshtërsi populliste. Emërtimi i parkut shpalos përpjekjen e Turqisë që të eksportojë në vende të tjera problemet e saj të brendshme. Çfarë vendi sovran është Shqipëria kur lejohet që zyrtarët turq t’u vënë emra edhe parqeve të Tiranës? A i ka parasysh kryetari i Bashkisë së Tiranës interesat kombëtare apo vetëm interesat e tij afatshkurta politike?

Tentimi për puç në Turqi është një çështje mjaft e koklavitur. E vërtetë është se pati një përpjekje për të rrëzuar një qeveri legjitime dhe këtë e ka dënuar bota demokratike. Por ka aq shumë paqartësi në këtë përpjekje për grusht shtetit, saqë për çdo politikan shqiptar është më mirë të mos përzihet fare. Vetë autokrati Rexhep Taip Erdoan e ka quajtur ngjarjen e 15 korrikut 2016 si «dhuratë nga Allahu». Që nga atëherë qindra-mijëra turq janë larguar nga vendet e punës, janë arrestuar, keqtrajtuar. Shumë gazetarë janë futur në burg, të tjerë kanë ikur në botën perëndimore, sidomos në Gjermani, intelektualë të shquar kanë zgjedhur ekzilin e brendshëm për t’i shpëtuar represionit brutal të pushtetit të Erdoanit.

Viteve të fundit Turqia ka shtuar presionin kundër Shqipërisë për të dorëzuar të ashtuquajturit gylenistë, përkrahës të predikuesit Fethullah Gülen, me ndihmën e të cilit Erdoan ka ardhur në pushtet dhe i ka prishur raportet me të vetëm kur Gülen kritikoi korrupsionin e klanit Erdoan – dhe prokurorët nisën hetimet. Kosova tashmë ka dhënë një shembull të keq: segmente parashtetërore nën kontrollin e presidentit Hashim Thaçi kanë organizuar rrëmbimin e disa qytetarëve turq dhe ia kanë dorëzuar ata agjentëve turq. Një avion me gjasë i shërbimit sekret turk ka aterruar në Prishtinë si në bahçe të babës. Nën presion gjendet edhe Maqedonia. Për asnjërin nga gylenistët e dyshuar nuk ka garanci se e pret një proces i pavarur gjyqësor.

Në Shqipëri struktura të afërta me Erdoanin janë përpjekur pa sukses të imponojnë si kryetar të komunitetit mysliman një dinjitar të afërt me Diyanet-in, presidencën për çështje fetare të Turqisë. Kryetari i mëparshëm i komunitetit mysliman në Shqipëri përbuzej nga militantët e Erdoanit dhe etiketohej si gylenist. Në të vërtetë ai angazhohej që myslimanët shqiptarë të mos jenë pjesë e agjendës së Erdoanit për t’i bërë shqiptarët pjesë të «vëllazërisë myslimane».

Emërtimi i parkut në Tiranë sipas një ngjarjeje që nuk ka të bëjë asgjë me Shqipërinë është skandal. Dhe për këtë skandal duhet të përgjigjet kryetari i Bashkisë së Tiranës. Nëse ai nuk vepron, ndoshta ka mbetur vetëm një rrugë: që aktivistë të shoqërisë civile në Shqipëri të heqin tabelën që bart një emër që nuk e ka vendin në kryeqytetin shqiptar.