Burri 100 për qind shqiptar!

Mbi vajzat shqiptare në televizionin e Zvicrës dhe prindërit që gabimisht mendojnë se edhe gjeneratat e ardhshme do të mund të jetojnë të veçuara në biotopet e tyre shqiptare në Zvicër.

Foto: Shutterstock



Këtë javë televizioni publik i Zvicrës u ka ofruar hapësirë të rinjve për të folur mbi hallet e tyre, dëshirat, problemet, shqetësimet. Disa flasin për ndjekësit që kanë në Instagram, të tjerët ankohen për mobing digjital (terrorizim me postime nga të tjerët), ndonjëri flet për dashurinë e parë, të gjithë e kalojnë një pjesë të mirë të jetës në telefonin e mençur. Në një klasë multikulturore nxënësit flasin për vështirësitë që kanë për të gjetur një firmë a institucion ku mund të nxënë një profesion. Kiliani, një zviceran, tregon se si e ka munduar dashuria e parë. Të gjitha vajzat nga Kosova në këtë klasë, ndërkaq, dëshirojnë një shqiptar kosovar për burrë, sepse, sipas tyre, fëmijët duhet të jenë «100 për qind kosovarë».

Kjo tingëllon bukur si muzikë patriotike – dhe është katastrofë. Për aq kohë sa prindërit shqiptarë në diasporë që nga djepi u thonë fëmijëve se nuk guxojnë të martohen, të kenë lidhje, partneritet me tjetërkënd përveç se me dikë «të gjakut tënd», integrimi në shoqëritë përkatëse (në këtë rast në shoqërinë zvicerane) mbetet gjysmak. Gjithsesi në integrimin e shqiptarëve në Zvicër është shënuar përparim, por shqiptarët nuk kanë arritur ende as në gjysmë të rrugës.

Dhe për këtë fajet i kanë sidomos prindërit, të cilët gabimisht mendojnë se edhe gjeneratat e ardhshme do të mund të jetojnë të veçuara në biotopet e tyre shqiptare, ku dita kalon vetëm me muhabete për Kosovën, në familje të gjitha diskutimet sillen rreth kaosit politik në Kosovë e viset shqiptare, ndërsa në çdo fund të muajit me mllef shikohet grumbulli i «Rechnungëve», faturave për qira, sigurim shëndetësor, rrymë, telefon etj. Interesimi i diasporës për Kosovën nuk duhet të shkojë deri aty që veçimi social në shoqërinë zvicerane të shndërrohet në prioritet. Më shumë se të rinjtë në kursin për integrim duhet të shkojnë prindërit. Natyrisht nuk janë të gjithë kështu, natyrisht, siç u tha, ka shumë shembuj fantastik, por shembulli i vajzave që këtë javë dolën në televizion është po ashtu pjesë e realitetit të zymtë dhe mentalitetit regresiv.