Bullgaria: E rëndë plumb për Ballkanin, pendël për Euroazinë

Midis Ballkanit, në udhëkryqin e copëtuar të Euroazisë, Bullgarisë asnjëherë nuk i ka munguar vëmendja e fuqive të huaja. Gjatë shumicës së trembëdhjetë shekujve të ekzistencës së Bullgarisë, Turqia ka përcaktuar pozitën e vendit. Gjatë dy shekujve të kaluar, vëmendja e Turqisë është devijuar tjetërkund, por askush nuk mund të supozojë se andej do të mbetet gjithnjë. Agjencia amerikane e analizave gjeostrategjike Stratfor mbi të kaluarën dhe të ardhmen e Bullgarisë si shtet kyç i Ballkanit.

Plovdiv: shtëpia ku qëndroi shkrimtari francez Alphonse de Lamartine gjatë udhëtimit të tij në Orient në shekullin e 19-të. Foto: Shutterstock



Përmbledhje

Bullgaria është shteti më i vjetër i Evropës –ekziston në formën pothuajse të tanishme qysh prej vitit 700, shumë kohë para shteteve të tjera anëtare të Bashkimit Europian. Sidoqoftë, ky fakt është mashtrues. Megjithëse Bullgaria ekziston qysh prej një kohe të gjatë, shtatë prej trembëdhjetë shekujve të ekzistencës së saj i ka kaluar nën kontroll të huaj. Shtrirja e përshtatshme gjeografike i ka dhënë mundësinë që të dominojë fqinjët më të vogël në Ballkan, por është sunduar edhe prej thundrës së tri perandorive: Bizantine, Osmane dhe Bashkimit Sovjetik.

Bullgaria kishte punuar në të kaluarën që të mbronte zemrën e shtetit në Rrafshin e Danubit, në jug të lumit me të njëjtin emër dhe në veri të maleve të Ballkanit. Në kohën kur Kostandinopoja (Stambolli i sotëm) ishte e dobët ose sillej miqësisht, Bullgaria përqendrohej në përfitimet që vinin prej pjellorisë së Rrafshit të Trakisë, dhe prej shtrirjes së saj si korridor komunikimi ndërmjet Europës dhe Azisë. Por në shekullin e nëntëmbëdhjetë kur shtetet europiane dhe Perandoria Ruse po çonin krye, Bullgarisë i kishte rënë hise që të ruante njëfarë qëndrimi të ndërmjetëm që të baraspeshonte palët.

Bullgaria e sotme është nën mburojën e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe NATO. Nën këtë mbrojtje, Sofja po ndërton fuqinë e saj ushtarake dhe ekonomike. Por të dy këto blloqe nuk janë në pozitë fort të lakmueshme. Dhe kjo gjendje bën që Bullgaria përsëri të shndërrohet në subjekt të interesave të huaja.

Analizë

Bullgaria shtrihet në cepin juglindor të Gadishullit të Ballkanik, rripin e tokës që lidh Europën me Azinë në Ngushticën e Bosforit. «Ballkan» është fjalë turke që do të thotë «vargmale», që pak a shumë përshkruan më së miri territorin. Në perëndim, malet e larta zgjaten deri në Detin Adriatik, ku shtrihen male kodrinore bregdetare. Në Ballkanin lindor, ku shtrihet Bullgaria, terreni është më pak i vrazhdë.

Kufiri verior i Bullgarisë shtrihet kryesisht përgjatë lumit të mrekullueshëm të Danubit, derisa ai përshkon në drejtim të Detit të Zi. Lumi nuk është pengesë e mjaftueshme për të dekurajuar pushtuesin e vendosur (koha e ka dëshmuar se lumi nuk ka kryer shumë herë punë), por është e qartë se ka shërbyer si shënjues i dukshëm kufitar për Bullgarinë moderne, por edhe për bizantinët e romakët më parë. Fusha vllahe, në bregun verior të Danubit, asnjëherë nuk ka qenë mjaftueshëm vend i fuqishëm sa për të kërcënuar përnjëmend Bullgarinë.

Sidoqoftë, fuqitë e mëdha matanë fushës kanë pushtuar vendin prej këtij drejtimi. Në mesin e këtyre pushtuesve ishin edhe rusët e gjermanët. Deti i Zi ndodhet në krahun lindor të vendit. Është larg më pak i vrazhdë se bregdeti i Adriatikut. Bregdeti gjithnjë ka qenë në qendër të vëmendjes të pranisë së rëndësishme detare nga ana e Fuqive të Mëdha (dikur ishin bizantinët, pastaj rusët). Si rrjedhojë e kësaj, rrallëherë janë testuar kufijtë e saj detarë.

Prej anës juglindore të Bullgarisë, vjen kërcënimi më i madh për vendin: një qytet që ka pasur shumë emra, por që në pjesën më të madhe të historisë moderne është njohur si Kostandinopojë. Kufiri juglindor bullgar zgjatet përgjatë fushës trakase, parajsë kalorësish që lëshohet deri poshtë në atë qytet dhe lart deri në zemër të territorit të Bullgarisë moderne. Në fund vargmalet Rodope dhe të Ballkanit shtrihen në kufijtë veriorë e jugorë, dhe përtej tyre, ndodhet Ballkani Perëndimor.

Pjesa e brendshme e vendit dominohet prej zgjatimeve të Malit të Ballkanit, që e ndan vendin në dysh pasi përshkon prej perëndimit drejt lindjes, duke ofruar një pengesë që bëhet më pak e dallueshme kur arrin Detin e Zi. Në veri të murit malor është fusha e pëlleshme e Danubit, në jug të saj ndodhet fusha e Trakisë. Se si banorët lokalë e përdorin pengesën malore është përcaktuar – dhe ka përcaktuar – marrëdhënien me botën e jashtme, e në veçanti në raport me Kostandinopojën.

Bërthama e popullsisë së Bullgarisë historikisht është sjellë në dy mënyra, varësisht prej fuqisë së fuqive të huaja. Kur është i ulët rreziku i pushtimit, qendra e rëndesës së fuqisë së vendit priret të devijohet më shumë në rajonin e mbrojtur në veri të Maleve të Ballkanit dhe në jug të Lumit Danub. Nën Perandorinë Romake, Bullgaria për herë të parë nisi të rrokte vëmendjen e madhe si ndërmjetësuese e rëndësishme ndërmjet Europës e Azisë. Gjatë asaj kohe, Serdica dhe Filipopolis, Sofja dhe Plovdivi, ishin vende të rëndësishme ndalese në Via Militaris, rrugë e vjetër romake, që shtrihej prej Beogradit deri në Kostandinopojë. Qytetet u pasuruan dhe u rritën  si rrjedhojë e tregtisë së madhe ndërmjet tyre.

Por kjo situatë bëhet problematike kur Kostandinopoja ishte armiqësore dhe në duar të pushtetshme – qysh ishte kur fisi bullgar ishte ngulur për herë të parë në rajon. Bullgarët më parë kishin jetuar në territorin e Ukrainës dhe Rusisë moderne në brigjet verilindore të Detit të Zi. Por në vitin 681, një tjetër fis, hazarët i çuan ata në atë që tani njihet si Bullgaria. Duke këputur Danubin, bullgarët ranë në bela me Perandorinë Bizantine me qendrën në Kostandinopojë. Kur u vendosën ngulimet e para bullgare në rajon, u përzien me banorët sllavë, që kishin migruar gjithashtu së fundi. Për shkak të statusit të fuqishëm të Kostandinopojës, grupi u mor me çështjen e ngulimeve të dyta, dhe tri kryeqytete u shfaqën në pjesë të ndryshme në jug të Danubit.

Meqë nuk ishte vend i preferuar për tregti, fusha e Danubit mund t’i bënte vend një popullsie goxha të madhe. Muri malor gjithashtu ofronte mundësi për vënien në pusi të shumë ushtrive bizantine. Në fakt, malet janë jashtëzakonisht të përshtatshme për këtë qëllim: ana jugore e thepisur ofron përparësi për mbrojtësin verior.

Hija e gjatë e Kostandinopojës

Pavarësisht prej marrëdhënieve antagoniste dhe kërcënimit që përbënte afërsia e Kostandinopojës, shtrirja e Bullgarisë në fushat e Danubit dhe Trakisë, ende i ofron përparësi asaj për të pasur fuqi të madhe. Është tipike që toka e pëlleshme të ofrojë mundësi për krijimin e shteteve më të fuqishme dhe fushat e pëlleshme të lumit ofrojnë më shumë mundësi për qytete të mëdha. Bullgaria i ka të gjitha këto përparësi, dhe rajonet e saja malore ofrojnë terrene të mrekullueshme trajnimi për ushtrinë për përgatitjen e pushtimit të Ballkanit.

Kështu kur Kostandinopoja është e dobët dhe nën sulm prej të tjerëve, si për shembull prej ushtrive kryqëzatëse a myslimane, Bullgaria ka zotësinë të projektojë fuqinë e saj në drejtimin perëndimor të Maqedonisë moderne, Serbisë jugore, Greqisë veriore, madje deri në Shqipëri në brigjet e Adriatikut. Kësaj pune ia ka dalë në krye dy herë, herën e parë gjatë Perandorisë së Parë Bullgare nga viti 681 deri më 1018, dhe prej vitit 1085 deri më 1396 nën Perandorinë e Dytë Bullgare. Zgjerimi është atraktiv për Bullgarinë për shkak se me zgjerim rritet mbrojtja e zemrës së territorit të saj.

Por nuk ofrohet shpesh mundësia e zgjerimit. Ballkani i fragmentuar është udhëkryq që historikisht ka qenë afër qendrave të mëdha të fuqive – së pari Kostandinopojës dhe pastaj Rusisë e Europës. Dhe meqë e rrethojnë fuqi më të mëdha, vendi ka kaluar 694 vjet të ekzistencës së tij prej 1335 vjetësh nën thundrën e huaj (649 vjet nën Kostandinopojë dhe 45 nën Moskë). Në përgjithësi dominimi nuk ka qenë pozitiv për Bullgarinë dhe kjo i ka kushtuar me mungesë të zhvillimit të madh.

Përballë botës së ndryshuar

Pas pesë shekujsh nën sundimin osman, Bullgaria rifitoi pavarësinë më 1878. Doli si shtet i ri ambicioz, megjithëse nuk ishte njohur zyrtarisht deri më 1908. Osmanët kishte shekuj që kishin marrë teposhtën, dhe bullgarët nuk lanë pa shfrytëzuar këtë mundësi të rrallë që përsëri të zgjeronin ndikimin në drejtimin perëndimor. Si rezultat i kësaj, vendi përshtati konfiguracionin romak për shtetin e ringjallur, duke zgjedhur për kryeqytet të ri qytetin e vogël, Sofjen, në malet perëndimore. Shtrirja e qytetit në rrafshnaltë shërbente si pikë kyçe, prej ku perandoria bullgare dhe maqedonase do të mund të qeverisej dhe prej ku do të mund të hapej fusha e Trakisë dhe qyteti antik Plovdiv. Hekurudhat ishin ndërtuar rreth e përqark Sofjes, dhe një port i ri ishte ndërtuar në Burgas (sot, qyteti i katërt më i madh i Bullgarisë), i gatshëm që të pranonte mallra nga vendi dhe deti.

Por kurrë nuk u krijua perandoria që Sofja synonte ta ringjallte. Bota kish ndryshuar dhe dobësia turke nuk paraqiste përnjëherë mundësi për bullgarët. Bullgaria tani ishte kurthuar në lojën botërore dhe vendet e Ballkanit ishin bërë pikë e pesë. Gjatë dyzetë viteve të para të pavarësisë, Bullgaria luftoi në beteja të humbura për të rikthyer territoret e humbura në perëndim dhe jugperëndim të saj, me ato që së shumti shtriheshin në Maqedoninë moderne.

Në momente të ndryshme, me armiqtë në luftën e Bullgarisë përfshiheshin Serbia, Greqia, Turqia, fuqi të ndryshme evropiane dhe (gjatë dy luftërave botërore) Rusia. Bullgaria doli gjithnjë humbëse prej këtyre konfrontimeve, përfshirë edhe Luftën e Dytë Botërore, në të cilën ishte përfshirë pa pasur ndonjë interesim të madh për të marrë pjesë. Në fund të luftës, Bullgaria edhe mbeti nën thundrën e huaj – atë të Rusisë.

Reperkusionet sovjetike

Sundimi rus nuk la pa prekur asnjë pore të shoqërisë bullgare – aspektin social, politik e kulturor –, por mbase përpjekjet më jetëgjata ishin ekonomike. Ndërmjet viteve 1878 dhe 1945, përpjekjet e Bullgarisë për të modernizuar vendin dhanë rezultate të përziera. Rëndësia në rritje e Sofjes, që është e izoluar ndërmjet maleve dhe relativisht joefikase, dyzuar me mungesë të investimeve fillestare dhe luftërave të shumta, ndikuan që të ngadalësohej zhvillimi i Bullgarisë. Në vitin 1944, vendi ende ishte i varfër me ekonomi kryesisht bujqësore, pavarësisht prej epokave të rritjes së shpejtë ekonomike që ndihmuan në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Përpjekjet e frymëzuara prej sovjetikëve për të modernizuar shpejt vendin i prijnë ekspropiimit të pronës dhe projekteve të mëdha industriale, duke rritur prodhimin e Bullgarisë, qysh kishte ndodhur edhe në rastin e shteteve sovjetike. Por rezultoi edhe teknika jokonkurruese e prodhimit dhe mosefikasiteti krahasuar me shtetet perëndimore. Bullgaria u bë prodhuesi kryesor elektronik për bllokun e mbyllur tregtar sovjetik, Këshillin për Asistencë të Përbashkët Ekonomike (Comecon), dhe në një moment po prodhonte 40 për qind të kompjuterëve të bllokut lindor.

Megjithatë, pasi ekonomia nisi ta rimerrte veten në vitet nëntëdhjetë, u fuqizua prej prospektit të anëtarësimit në Bashkimin Europian më 2007. Para kohëve sovjetike, Bullgaria kishte marrëdhënie të forta ekonomike me Europën (së pari me Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën, e pastaj me Italinë e Gjermaninë), dhe dikur falimentoi Comecon-i, dhe ky ishte rast i mirë për ringjalljen e atyre raporteve.

Europianë të rinj

Gjatë viteve 2000, euroja e porsakrijuar ishte kapital i madh që po investohej, një pjesë e të cilit edhe në Bullgari, duke nxitur zhvillim që vinte prej parave të huaja. Dhe nuk ishte befasi kur u konfirmua bumi ekonomik, me rritje ekonomike vjetore me mesatare prej rreth pesë për qind ndërmjet viteve 2000 dhe 2008. Dhe megjithëse kriza e vitit 2008 la shenja edhe në ekonominë bullgare, GDP-ja reale sot është dyfish më e lartë se sa që ishte në vitin 2000. (Megjithëse nataliteti në rënie gjatë kësaj kohe zmadhon në mënyrë të theksuar shifrat). Suksesi është ndryshim i theksuar krahasuar me Greqinë fqinje. Greqia, megjithëse nisi me GDP më të lartë që po shënonte sukses më të shpejtë se Bullgaria (dhe ende e ka më të lartë), ka humbur shumëçka prej asaj që kishte arritur në dekadën e parë të këtij shekulli, derisa Bullgaria ia ka dalë të mbajë nën kontroll dobitë e ngritjes.

Bullgaria ka shënuar sukses edhe në sektorët e saj të teknologjisë informative dhe elektronikës, që së fundi kanë treguar shenja të rimëkëmbjes pas prishjes së Bashkimit Sovjetik. Gjatë dhjetë viteve të fundit, eksportet e pajisjeve elektrike kanë shënuar rritje prej 3,5 herësh, kështu këto mallra që dikur zinin vendin e shtatë në eksportet e Bullgarisë të kalojnë në vendin e dytë. Për më tepër, me kostot më të larta konkurruese të Europës dhe me shpejtësinë e internetit në mesin e njëzetë shteteve në krye të listës botërore, Bullgaria është shndërruar në bastion për teknologjinë informative. Dikur i referoheshin si «Lugina e Silikonit e Bashkimit Sovjetik», Bullgaria tani po quhet «Lugina e Silikonit e Europës Lindore». Por spektri ekonomik nuk është fort optimist.

«Transparency International» ka publikuar së fundi një anketim, që e radhit Bullgarinë si shtetin anëtar më të korruptuar në Bashkimin Europian, një tjetër e zezë si pasojë e sundimit sovjetik. Anëtarësimi në BE i ka dhënë zjarr edhe migracionit, meqë është lehtësuar procesi që bullgarët të dalin jashtë vendit në kërkim të pagave më të mira. Bullgaria sot, që ka humbur 20 për qind të popullsisë së saj që nga viti 1990, është vendi me krizën më të madhe demografike në botë: Kombet e Bashkuara parashikojnë rënie të popullsisë edhe për 27.9 për qind deri më 2050.

Pasqyra e përgjithshme

Bullgaria ka kaluar pjesën më të madhe të historisë duke menduar me dashakeqësi si të shtrihet në fqinjësinë perëndimore ose duke u shikuar me sy të keq prej fqinjëve përreth. Por anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe NATO (së cilës iu bashkua më 2004) duket se ka frenuar këto trende. Turqia më nuk paraqet kushedi çfarë kërcënimi, siç ishte prej arratisjes së Bullgarisë më 1878 prej ndikimit të saj, dhe Rusia më nuk parashikon të ketë fuqi në rajon qysh kishte në kohën e Bashkimit Sovjetik.

Duket gjithashtu se koha ka izoluar idetë bullgare për zgjerim në fqinjësinë perëndimore. Bullgaria dhe Maqedonia ende hahen me fjalë, ta zëmë për anëtarësimin e mundshëm të Maqedonisë në BE, por marrëdhëniet nuk i kanë të këqija. Dhe duke pasur në mendje rritjen aktuale, e ardhmja është e ndritshme.

Sidoqoftë, pasqyra e përgjithshme afatgjate është paksa e zymtë. Kriza e natalitetit e Bullgarisë me gjasë do të minojë aspiratat e saj për rritje në dekadat e ardhshme dhe do të mbetet vendi me pasardhësit më të dobët. Njëherësh, imperativi i Bullgarisë për të baraspeshuar Fuqitë e Mëdha që të shmang rrezikun e dominimit mbi të, është vërtetuar se është sfidë që rëndon kraharorin. Përpjekja e fundit e lidhjes me Europën nëpërmjet BE-së, e njëherësh duke ruajtur raportet e mira me Rusinë, ka qenë e suksesshme, por qëndrueshmëria e kësaj taktike po vihet në dyshim. BE-ja ka ofruar stabilitet, por çarjet e modelit po vihen në shprehje. Nëse dështon projekti europian, Bullgaria do të bazohet krejtësisht në NATO-n për sigurinë e saj. NATO-ja ishte krijuar si organizatë për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimit sovjetik, dhe pastaj atij rus – që do të thotë se në rast se kërcënimi do të hiqej qafe, blloku i sigurisë do të mund të shndërrohej në pengesë. Nuk është e vështirë të imagjinohet një botë në dekadat e ardhshme në të cilën Bullgaria nuk do të kishte nevojë për mbrojtjen e BE-së e NATO-së.

Bullgaria e dobësuar pa mbrojtje do të mund t’ia dilte mirë teorikisht nëse do të ndodhej në një rajon pa kërcënime. Por kurrë nuk ka pasur situatë të tillë. Midis Ballkanit, në udhëkryqin e copëtuar të Euroazisë, Bullgarisë asnjëherë nuk i ka munguar vëmendja e fuqive të huaja. Gjatë shumicës së trembëdhjetë shekujve të ekzistencës së Bullgarisë, Turqia ka përcaktuar pozitën e vendit. Gjatë dy shekujve të kaluar, vëmendja e Turqisë është devijuar tjetërkund, por askush nuk mund të supozojë se andej do të mbetet gjithnjë. Shteti po fuqizohej, dhe kur të rimarrë veten Turqia, Bullgaria me siguri se do të jetë nën presion të madh për t’iu dorëzuar edhe njëherë Kostandinopojës.

(Stratfor)