Beteja e humbur e Edi Ramës kundër gazetarit gjerman

Kryeministri i Shqipërisë, dikur edhe vetë publicist, ka paralajmëruar se do ta çojë në gjyq gazetarin gjerman, i cili ka nxjerrë regjistrime që me gjasë konfirmojnë vjedhjen e votave nga Partia Socialiste. Botimi i përgjimeve është në interes publik, andaj kërcënimi i Ramës është po aq absurd sa çirrja e Sali Berishës pas katastrofës së Gërdecit se gazeta amerikane «New York Times» është «letër tualeti».

Edi Rama.



Kur nga mesi i marsit të vitit 2008 në Gërdec ndodhi një shpërthim që e dridhi gati gjysmën e Ballkanit, Sali Berisha kishte arsye të shqetësohej. Shpërthimi zbuloi një skemë kriminale dhe korruptive ku ishte involvuar qeveria e atëhershme dhe njerëz të afërt me Berishën, mes tyre edhe familjarë të tij. Çmontimi i lëndëve plasëse në Gërdec kryhej nga burrat, gratë, të rinjtë dhe fëmijët. U vranë me atë rast 26 njerëz, rreth 300 pësuan lëndime të rënda dhe të lehta, 318 objekte banimi dhe të tjera u dëmtuan. Për ngjarjen raportuan edhe mediat ndërkombëtare, mes tyre edhe gazeta prestigjioze amerikane «New York Times», e cila akuzonte rëndë qeverinë e Berishës për shkaktimin e tragjedisë. Berisha s’kishte argumente për të kundërshtuar gazetën amerikane, andaj e quajti «letër tualeti». Drama e Gërdecit shpalosi deficitet e qeverisë Berisha – korrupsion deri në nivelet më të larta qeveritare, harxhim jotransparent i buxhetit të shtetit, shfrytëzim i grave dhe fëmijëve dhe mosrespektim i ligjeve. Për apokalipsin e Gërdecit janë dënuar disa persona, por mes tyre nuk është asnjë politikan i nivelit të lartë.

Politikanët shqiptarë shpesh kanë pasur qasje arrogante ndaj mediave ndërkombëtare. Të mësuar me një ambient kryesisht të pistë medial, ku gazetarët shiten e blihen për interesa të ngushta e private, politikanët e Tiranës mendojnë se edhe gazetarët e huaj shkruajnë «për interesa të dikujt» ose janë «të paguar». Nga ky këndvështrim vështirë mund të merret me mend se gazetarët e mediave të huaja vetëm kryejnë punën e tyre në interes të publikut. Siç bëjnë edhe ato pak media të pavarura që kanë mbetur në Tiranë. Kur vitin e kaluar magazina liberale amerikane «Mother Jones» akuzoi Lulzim Bashën se i ka paguar 600 mijë dollarë një lobisti të Partisë Republikane në Washington, Partia Demokratike e quajti mediumin amerikan «ekstremist të majtë» dhe të paguar nga Edi Rama me para të paligjshme. «Mother Jones» shkruante se një kompani e Shell-it me lidhje ruse angazhoi një ish-këshilltar të Donald Trumpit për të mbështetur Partinë Demokratike të Shqipërisë. Tani kur në Shqipëri ka eskaluar konflikti i brendshëm politik, drejtësia ka tentuar të marrë në pyetje Lulzim Bashën për skandalin e supozuar me 600 mijë dollarë. Përse tek tani? Përse nuk ka vepruar drejtësia shqiptare më herët?

Ndoshta për shkak se tani Edi Rama është zënë me pelë për dore dhe drejtësia duhet të bëhet pjesë e lojërave të pista politike të Tiranës. Më herët «BIRN» dhe «Zëri i Amerikës» njoftuan se eksponentë të krimit të organizuar i kishin ndihmuar Partisë Socialiste të fitojë (lexo: blejë vota). Edi Rama nuk i mori seriozisht këto njoftime, vazhdoi të bërtas në televizionin e tij personal në Facebook dhe të shajë edhe gazetarët profesionistë. Ka disa javë që gazeta gjermane «Bild» ka filluar një seri shkrimesh mbi dyshimet se Partia Socialiste ka vjedhur vota në zgjedhjet e vitit 2017. Dëshmitë e deritanishme janë rrëqethëse: kriminelë të nëntokës flasin me zyrtarë të Partisë Socialiste, në disa telefonata dëgjohet edhe Edi Rama. Tema e muhabeteve është sigurimi i votave, kuptohet me metoda të palejueshme – me «çuna problematikë». I zemëruar nga raportimet e medias gjermane, Rama ka paralajmëruar se do ta padisë gazetarin gjerman.

Që tani mund të thuhet: këtë betejë Rama e ka të humbur në start. Botimi i përgjimeve është në interes publik. Rama thotë se në Gjermani, «në atë vend të bekuar» (…) «drejtësia nuk bën lojëra me sekretet hetimore e ku dinjiteti i njerëzve dhe i shteteve respektohet si vlerë e pacenueshme». Në vendin e bekuar drejtësia nuk do të ketë fare mirëkuptim për hallet e Edi Ramës. Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë nga viti 1984 liria e shtypit garanton publikimin e informatave edhe nëse një person i tretë gjatë sigurimit të informatave ka vepruar jashtëligjshëm. Parakusht për publikim është interesi publik. Në rastin e Shqipërisë kjo është evidente. Në vend të kërcënimeve ndaj mediave të huaja politikanët shqiptarë duhet të koncentrohen në qeverisje me duar të pastra. Meqë këtë nuk e bëjnë, mos të befasohen me fushatat e ashpra të mediave të huaja. Problemi nuk është as te «New York Times», as te «Bild», por në zyrat e qeverisë dhe opozitës në Tiranë. Kemi të bëjmë me një klasë politike batakçinjsh, që shërbimin publik e kuptojnë vetëm si mundësi e shans për vjedhjen e vendit.