Bernard Kushner portreton Ibrahim Rugovën: «Burri më me famë i Kosovës»

«Ibrahim Rugova, 58 vjeçar, udhëheqësi historik i kryengritjes pacifiste, jetonte në Itali, sepse në Kosovë ndjente rrezik për veten dhe familjen. Nuk donte të kthehej, priste një situatë më të qetë. I premtova një sigurim të hekurt të shtëpisë së tij. Në fund, Rugova iu dorëzua arsyetimeve të mia». Detaje nga libri i Bernard Kushner «Luftëtarët e Paqes», Tiranë, Mësonjëtorja, 2004.

Përmbajtja e tij e natyrshme nuk duhet t’ju gënjejë: Ibrahim Rugova është një luftëtar i paepur. Foto: Hazir Reka



Ballkanasit, me një psikikë të gdhendur nga shekuj, sforcohen gjithnjë të tregojnë një kurajë deri në flijim, që i shtyn të kërkojnë rrezikun ose e provokojnë atë me sfida pa kuptim. Pengesa kryesore për të ndërtuar një Kosovë autonome ishin vetë kosovarët.

Kuptohet që teoria paqësore, në këtë peizazh burrërie, duket si një strehim pa çati, në mos një gërmadhë. Pacifisti shembullor, Ibrahim Rugova, nga njëra anë u pa si revolucionar, për shkak të traditës së madhe luftarake ekzistuese, dhe, nga ana tjetër, si frikacak. Ata që morën armët dhe që manovruan me metoda më të buta, më mediatike, më moderne, janë në opozitë të fortë me njëri-tjetrin. I riu Thaçi dhe i moshuari Rugova paraqesin këto dy zgjedhje, që është e pamundshme të shndërrohen në njëra-tjetrën.

Me të mbërritur, më 15 korrik 1999, iu vura punës për të takuar të gjithë udhëheqësit, me dëshirën për t’i bindur që të pranonin programin tim të punës.

Ibrahim Rugova, 58 vjeçar, udhëheqësi historik i kryengritjes pacifiste, jetonte në Itali, sepse në Kosovë ndjente rrezik për veten dhe familjen. Nuk donte të kthehej, priste një situatë më të qetë. I premtova një sigurim të hekurt të shtëpisë së tij. Në fund, Rugova iu dorëzua arsyetimeve të mia: partia e parë e krahinës nuk mund të mungonte. Në fakt, Ibrahimi nuk thoshte kurrë jo. Ishte një pacifist, thellësisht e përnjëmend i tillë. Kishte gjithnjë besim se do të mund të bindte, mendonte se vetëm bisedimet mund të sjellin fitore.

Babanë dhe gjyshin ia kishin vrarë komunistët, kishte ndjekur studimet për letërsi në Paris, nën drejtimin e Roland Barthesit, gjë që shpjegonte frëngjishten e tij të pastër. Më 1989, Millosheviqi anuloi autonominë e Kosovës dhe përzuri gjithë shqiptarët nga shërbimi publik. Rugova, me lëvizjen e tij demokratike, LDK-në, organizuan shoqërinë civile paralele, me shkolla jo ligjore e klinika klandestine. Shëruan, mësuan, nxitën. Rugova u zgjodh, në ilegalitet, në krye të Kosovës. Nuk pranoi të merrte armët dhe zgjodhi dialogun në vend të betejës, edhe me Millosheviqin, në mes të luftës. Është erudit, autokrat me dëshirë, i pasionuar pas mineraleve të Kosovës, kuarceve, argjendit, gipsit, pjesë të rralla, të cilat ua dhuronte vizitorëve. Është burrë i paqes, me famë, gjithnjë i sjellshëm, që ndrojtja dhe kultura e thellë e bëjnë, nganjëherë, mendjemadh. Përmbajtja e tij e natyrshme nuk duhet t’ju gënjejë: Ibrahim Rugova është një luftëtar i paepur.

Pranoi të vinte, me një udhëtim rrufe, për të më takuar.

Burri më me famë i Kosovës, përfaqësues i luftës për liri të saj në botë, kaloi me lehtësi pengesat e sigurimeve dhe mbërriti, rrethuar nga rojat, përpara ndërtesës së OKB-së. Isha në zyrën time, në kat të dytë, kur dëgjova zhurmë dhe duartrokitje. Ibrahim Rugova mbante shallin e tij legjendar prej mëndafshi rreth qafës, mbi kravatën elegante. Shoqërohej nga një grua rrumbullake bionde, e rrezikshme e që ia kishin frikën, Edita Tahiri, anëtare e kryesisë së LDK-së. Në Kosovë nuk ishte e lehtë të afirmoheshe si grua e pavarur, edhe më e vështirë të luaje një rol në politikë dhe e admirueshme t’u qëndroje, siç u qëndronte ajo, “maçove” të UÇK-së.

Pas mirësjelljeve të nevojshme, kaluam në bashkëbisedim delikat për Kosovën. Ishte i shokuar nga qëndrimet ndërkombëtare ndaj tij, pas shtrëngimit të dorës së Millosheviqit. Si krenar që ishte, nuk pranonte të jepte shpjegime. Gjendeshim para një tabloje klasike të fundit të luftës civile. Ata që morën armët në dorë, UÇK-ja e Thaçit, me kërcënimin e daljes në mal, kërkonin të zinin të gjitha vendet dhe «kolaboracionistët», megjithëse ishin ata që kishin filluar luftën paqësore për çlirim, po dridheshin. Midis këtyre dy llojeve të luftës ndryshimi qe shumë i madh, lufta ishte e hapur dhe kjo përkthehej me rrezik vdekjeje të dhunshme, për vetën apo familjen. Ishte absolutisht e nevojshme ta ndaloja një përplasje të tillë.

Njohja e kundërshtarit nuk është gjithnjë e përshtatshme. Bashkëbisedimet shoqërore organizojnë balete të përsëritura midis drejtuesve, të cilët prej vitesh ndiqen apo i dalin njëri-tjetrit ballë për ballë. Një atmosferë e tillë i ul pak gjakrat. Në politikën e jashtme janë dy gjëra që duhen mbajtur parasysh: pesha e aleancave (gjithnjë) dhe befasia (ndonjëherë). Të dyja këto do ta përcaktojnë rrugëzgjidhjen. Në misionet e ruajtjes së paqes, këmbëngulja është virtyt i pazëvendësueshëm. Kurrë mos u qaj, kurrë mos lësho rrugë, kurrë mos prishë marrëdhëniet, qëndresë me javë, me muaj; rri gjithnjë afër, i gatshëm për ik-e-eja të përditshme.

Pas vizitës dyorëshe, Rugova u nis për në Romë. I kisha shkulur një premtim të rëndësishëm: të kthehej sapo t’i siguronim mbrojtjen. Duke e shoqëruar për në makinë, me Editën që rrinte rëndë-rëndë, mata popullaritetin e tij të paprekur, me gjithë qëndrimin e tij të dyshimtë ndaj luftës së armatosur.

Përgatiti: Shkëlzen Gashi

Copyright: Shkëlzen Gashi dhe Dialogplus. Ndalohet rreptësisht ribotimi nga mediumet tjera.