Bekim Fehmiu me «përmendore» në Beograd

Beograd, 2 qershor - Me sekuenca të filmave që e shfaqin Bekim Fehmiun luftëtar e deri te ato romantik e të përlotur, është hapur edicioni i tretë i festivalit «Mirëdita, dobar dan», që sivjet i është kushtuar aktorit të ndjerë shqiptar me rastin e tetëdhjetëvjetorit të lindjes së tij.




Dhjetëra beogradas të rinj të mërkurën mbrëma kanë shikuar skenat e Fehmiut prej roleve të para në filmat e parë e deri te ata që i dhanë përmasat e aktorit botëror.

«Inspirim i këtij festivali janë jeta dhe veprimtaria e aktorit të madh», të lindur më 1 qershor 1936 në Sarajevë prej prindërve prizrenas, thuhet në programin e organizatorëve, Iniciativa Qytetare dhe Qendra për Politikë nga Beogradi dhe Integra nga Prishtina, në partneritet me Fondacionin për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Figura e Fehmiut qysh para tre vjetësh kur u themelua, ka qenë një lloj udhërrëfyesi për «Mirëdita…» si simbol i një hapësire dikur të unifikuar kulturore, e cila më parë ishte e mbushur me probleme. Hapja e edicionit të tretë është bërë pikërisht në ditëlindjen e tij. Për katër ditë në Beograd, do të shpaloset një copë nga kultura kosovare me promovime librash, ekspozita e koncerte.

Natasha Kandiq, drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare, e kujton Fehmiun, që bëri vetëvrasje më 15 qershor 2010, si humanist të madh. Nuk e mban në mend herën e fundit kur ishte takuar me të. Por i kujton bisedat me të.

«Ai ishte aktor i madh, por mbi të gjitha ishte humanist i madh», ka thënë Kandiq në ambientet e Qendrës Rinore në kryeqytetin serb ku kishte marrë zhvillim të hovshëm karriera e Fehmiut. E kam takuar shumë shpesh, por jo gjatë kohës sa ishte aktor i famshëm, sepse ishte e zorshme», thekson Kandiq para se të hapej festivali në kinemanë e Qendrës rinore me fotografinë e Fehmiut të qeshur nga një skenë filmi në ballë të sallës.

«Aktor shumë i famshëm jo vetëm në ish-Jugosllavi. Aktorët dhe njerëzit në Beograd e donin shumë. Ishte person i veçantë që e dinte se si të merrej me jetën e tij», vlerëson Kandiq.

Veran Matiq, drejtor i «Samizdat B92», që ka botuar në serbisht dy librat autobiografikë të Fehmiut, ka thënë se e kishte mik të madh aktorin shqiptar. «Dhe për të kanë qarë edhe beogradasit në një koncert të vitit 2010 kur i ishte kushtuar një këngë», ka theksuar para të pranishmëve Matiq.

Duke treguar për rrugën me emrin «Skënderbeu» në Beograd, që dikur e kishte emrin «Rruga e Kastriotit», Matiq ka thënë se Gjergj Kastrioti dhe Bekim Fehmiu janë figurat shqiptare për të cilat vlerësime të ngjashme kanë serbët e shqiptarët.

«Shqiptarët dhe serbët duket se janë dakord se ata përfaqësojnë vlerat për të cilat pajtohen», ka deklaruar ai, duke shprehur habinë se pse Fehmiu nuk është shpërblyer me çmimet e merituara në Serbi për promovimin e vlerave artistike të hapësirës së dikurshme jugosllave.

«Ai ishte aktori më i madh që e kemi pasur në këto hapësira. Personalitet dhe aktor që ka krijuar për Beogradin, Serbinë dhe Jugosllavinë ka fituar aq shpërblime», ka shtuar Matiq për aktorin me nam që do ta linte karrierën në fund të viteve tetëdhjetë për shkak të rritjes së represionit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Matiq e ka cilësuar «përmendore» për Bekim Fehmiun festivalin që i kushtohet atij. Ka thënë se e di prej bisedave me të se ai nuk do të donte të nderohej me emërtimin e ndonjë rruge me emrin e tij, por «me festivale të tilla dinamike» që janë mundësi për këmbimin e vlerave të përbashkëta kulturore.

Në Kosovë, ku nuk ka pasur ndonjë aktivitet për shënimin e ditëlindjes së tij, emrin e Bekim Fehmiut e mban një rrugë në Çagllavicë, 7 kilometra larg Prishtinës dhe një tjetër në Viti.
«Aktori më i madh që e kemi pasur në këto hapësira», ka deklaruar Matiq. «Ky festival promovon një mundësi unike të dy shoqërive që si për qëllim ka të tejkalojë pasojat serioze të së kaluarës, dhe krijimin e kushteve adekuate për një fillim të ri për gjeneratat e reja në Ballkan», thuhet në fletushkën e organizatorëve që u është ndarë shikuesve para hyrjes në kinema.

Maja Stojanoviq, drejtoreshë e Iniciativës Qytetare nga Beogradi, ka thënë se festivali synon të arrijë që atë që «politika e thotë qe një dekadë për të ardhme të përbashkët, por që nuk ndërmerr asgjë». Ajo ka thënë se festivali po bashkon gjeneratat e reja për një të ardhme paqësore në rajon.

Matiq ndërkaq ka lexuar në sallë deklaratën e përbashkët të kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq e homologut të tij shqiptar, Edi Rama, me rastin e tetëdhjetëvjetorit të lindjes së Fehmiut.
«Me rastin e 80-vjetorit të lindjes, dëshirojmë të shprehim konsideratën tonë të lartë për veprën e një artisti dhe humanisti të madh, Bekim Fehmiu. Bekim Fehmiu ka lënë një gjurmë të pashlyer mes shqiptarëve dhe serbëve. Jeta dhe arti i tij dëshmojnë se ne mund të komunikojmë, të kuptohemi e të mësojmë nga njëri-tjetri, se mund të gjejmë lumturi në bashkëjetesë e kështu të ndërtojmë një të ardhme të begatë për brezat që do të vijnë», thuhet në komunikatën e përbashkët, të lexuar prej Matiqit.

Vuçiq e Rama kanë vlerësuar gjithashtu se Fehmiu «qëndron sot përpara nesh si dëshmitar i një fakti të pamohueshëm se cilindo rrugëtim të jetës të zgjedhim për të qenë bashkë, ajo rrugë do të jetë veçse pasuri për ne, shqiptarë dhe serbë».
Deputetët e Kosovës nuk e kishin pranuar kërkesën për nderimin e Fehmiut me një minutë heshtjeje pas vdekjes së tij.
Kandiq, e cila ka dokumentuar krimet e regjimit serb kundër shqiptarëve në vitet nëntëdhjetë, ka thënë se elita politike e Kosovës e kishte keqkuptuar Fehmiun. Thotë se vazhdimisht ishte pjesë e aktiviteteve të shoqërisë civile në Beograd kundër masave represive e dhunës së regjimit kundër shqiptarëve.

«Por nuk donte të binte në sy», thekson ajo. «Ai ishte zhvilluar si aktor, por ishte i lidhur me Kosovën. Elita politike e Kosovës donte që ai të kthehej në Kosovë, por ata nuk e dinë se braktisja e karrierës ishte demonstrim shumë më i fuqishëm».
Por pasojat e asaj për të cilën Bekim Fahmiu braktisi skenën, janë temë e filmit «Babai» nën regji të Visar Morinës që është shfaqur në të njëjtin vend ku është kujtuar Fehmiu në përvjetorin e lindjes së tij. Janë kujtimet e vetë regjisorit Morina, të njëjta me ato të të gjithë shqiptarëve të Kosovës për situatën e viteve ‘90.

Në 102 minuta shpaloset rrëfimi i Gëzimit (Astrit Kabashi) që ia mësyn Gjermanisë në kërkim të shpresës e i biri i tij Nori (Val Maloku) s’e pranon ndarjen. Për të mbijetuar në vendin e tyre, shisnin cigare. Të zënë në mes të dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për t’u ballafaquar me realitetin e vështirë, marrëdhënia baba – bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu siç ka qenë. Në Beograd shfaqja e këtij filmi, që me pas është shoqëruar edhe me prezantimin e një pjese të ekipit, ka qenë një mënyrë për t’u kthyer në kohë e për ta parë realitetin, për ta ndjerë zymtësinë e asaj kohe sikur një porosi që projektimi i përbashkët i së ardhmes është mënyra për ta tejkaluar të kaluarën.

Promovimi i botimit në serbisht të librit «Këmbët gjarprit» të Veton Surroit dhe koncerti i sopranos Besa Llugiqi shoqëruan nga pianistja Lirika Pula, janë ngjarjet e ditës së sotme të «Mirëdita…».