«BE i ka komprometuar vlerat, të cilat e arsyetojnë ekzistencën e tij»

60 intelektualë të njohur protestojnë në një letër të hapur kundër politikës europiane ndaj refugjatëve. Mes tyre edhe dr. Lea Ypi nga London School of Economics (LSE).

Gjithçka e mirë që Europa e ka arritur me punë që nga Lufta e Dytë Botërore, në mënyrë që të shmanget padrejtësia më e madhe e të gjitha kohërave, tani është vënë në lojë. Foto: Shutterstock



Kryetarëve dhe kryeministrave të Bashkimit Europian

Si autorë, shkencëtarë dhe artistë jemi të obliguar të veprojmë në frymën e të drejtave të njeriut. Andaj na takon të deklarohemi për qëndrimin tonë sa i përket politikës së BE-së ndaj refugjatëve. Marrëveshja e 18 marsit 2016, sipas të cilës azilkërkuesit e «parregullt» nga Greqia duhet të deportohen në Turqi, është e kundërligjshme. Ajo shkel të drejtat e njeriut, siç i ka kodifikuar OKB në vitin 1948, kundër të drejtës ndërkombëtare dhe kundër të drejtës së BE-së. Siç ka shpjeguar Alexander Betts, drejtor i Refugee Study Center të Universitetit të Oxfordit, dhe siç besojnë juristë si Guy S. Goodwin-Gill, ish-këshilltar i UNHCR (1976-1988), kjo masë pothuaj nuk mund ë mbrohet sa i përket të drejtave të njeriut dhe ligjit. E drejta që shkelet bazohet në Konventën e OKB-së të vitit 1951 dhe Protokolli i vitit 1967.

Ndër parimet relevante të së drejtës ndërkombëtare hyjnë: 1. Imperativi i mos-dëbimit (non-refoulement); 2. Ndalimi i deportimi kolektiv; 3. E drejta e azilkërkuesve për liri të lëvizjes, integrim, edukim dhe punë; 4. Ndalimi i tregtisë me njerëz. Një parim tjetër gjendet në dokumentin e BE-së «Nxitja e demokracisë dhe të drejtave të njeriut (2014-2020). Në frymën e këtij instrumenti në marrëveshje është dashur patjetër të integrohet një klauzolë mbi respektimin e patjetërsueshëm të të drejtave të njeriut dhe lirinë e shtypit në Turqi. Marrëveshja që parashikon përparësi financiare për Turqinë në formën e heqjes së restriksioneve të vizave dhe zgjerimit të hapësirës doganore, paraqet një lloj «tregtie me njerëz». Do të duhej, ndërkaq, të respektohej Direktiva 2001/55/EG e Këshillit Europian, e cila qasjen humane e quan qëllim të detyrueshëm.

BE i ka komprometuar vlerat, të cilat e arsyetojnë ekzistencën e tij. Që nga zanafilla liria dhe drejtësia kanë qenë në qendër të idesë europiane. Këto ideale tani janë hedhur poshtë. Në fushën e të drejtave të njeriut BE ka humbur kredibilitet në skenën e politikës botërore. Ambicia për të qenë bashkësi e drejtësisë është vënë në dyshim. Migrantët janë të pambrojtur dhe i janë nënshtruar masave aktuale. Frikësimi, burgosja dhe deportimi janë pasojë e domosdoshme e kësaj politike – dhe përkatësisht edhe format e dhunës. Gjithçka e mirë që Europa e ka arritur me punë që nga Lufta e Dytë Botërore, në mënyrë që të shmanget padrejtësia më e madhe e të gjitha kohërave, tani është vënë në lojë. Këtë deficit duhet evituar për të përkrahur të gjithë azilkërkuesit sipas parimeve të OKB-së, atyre duhet dhënë shpresë për një jetë të re në mënyrë që të rikthehet pozita e Europës si vatër e të drejtave të njeriut.

Jeremy Adler, Aicha Arnout, Alice von Bieberstein, Alfred Brendel, Anne Casile, Catherine Coquio, Isabelle Coutant, Marianne Dautrey, Didier Debaise, Kurt Drawert, Peter Filkins, Dorothée Fraleux, Hans-Martin Gauger, Christoph Geiser, Arlette Girardot, Rüdiger Görner, Maria Chiara Gnocchi, Durs Grünbein, Peter Gülke, Pierre Halen, Hanna Hannah, Peter Härtling, Irene Heidelberger-Leonard, Hartmut von Hentig, Dževad Karahasan, Aurélia Kalisky, Joachim Kalka, Navid Kermani, Sophia Könemann, Mona Körte, Katrin Kohl, Werner von Koppenfels, Michael Krüger, Geoffrey Lachassagne, Charlotte Lacoste, Frank Lemonde. Gertrud Leutenegger, Roswitha Matwin-Bushmann, Katharina Mommsen, Robert Menasse, Adolf Muschg, Per Øhrgaard, Uwe Pörksen, Sandra Pocceschi, Marion Rousset, Tuvia Rübner, Anthony Rudolf, Joachim Sartorius, Ingo Schulze, Marisa Siguan, Agnese Silvestri, Katrin Solhdju, Olga Stanislawka, Fritz Stern, Michael Stolleis, Jonathan White, Karin Winkelvoss, Lea Ypi, Adam Zagajewski.

Darmstadt, 2 maj 2016.