Avazi i tmerrshëm i shqiptarëve të Zvicrës

Pothuaj çdo ditë një krim a një budallallëk: pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Zvicër vazhdojnë të bien në sy për të keq.

Vetura të policisë së Zürichut. Foto: Shutterstock



Kush e ka mbiemrin Berisha dhe jeton në Zürich apo rrethinë, mund të shikohet shtrembër nga ndonjë qytetar zviceran – për shkak të Bashkim Berishës. Ky djalë nga Kosova perëndimore ka qenë kampion i Zvicrës dhe i botës në një sport luftarak (Thai-Box), por kjo nuk i mjaftoi për të frenuar agresivitetin e tij. Gjatë karrierës së tij ai rrahu një polic në Winterthur, qytet afër Zürichut, vrau një bashkëkombës nga Maqedonia në grindje e sipër për një vendparkim për veturë. Së paku ky është versioni zyrtar. Versione të tjera flasin për konflikt që lidhej me biznese droge. Në opinionin e gjerë Bashkimi u bë i njohur në vitin 2002 përmes filmit «Bashkim», ku ai flet për temën e mërgimit, të qenit i huaj, agresioneve, rrahjeve dhe delikteve të tjera. Në film Bashkim Berisha nuk shfaqet fund e krye negativ, madje fitohet përshtypja se ai e ka kaluar fazën kritike dhe tani do të jetë vetëm një sportist në Zvicër. Por më 11 shkurt 2005 ai vrau bashkëkombësin nga Maqedonia – dhe iku në Kosovë, ku u arrestua tek në tetor 2006 dhe më vonë u ekstradua në Zvicër. Këtu vuajti disa vite burg dhe pastaj u dëbua në Kosovë. Këtu, në Zvicër, kanë mbetur vëllezërit e tij, të cilët nuk janë kampionë të respektimit të ligjeve, siç tregojnë disa procese gjyqësore kundër tyre. Nam të keq në këtë vend kanë lënë edhe ata që në Kosovë njihen si «vëllezërit Musaj nga Strellci».Banda e tyre ishte e specializuar në plaçkitjen e dhomave të gjumit. Andaj në opinionin zviceran njihen si «Schlafzimmerräuber» (plaçkitës të dhomave të gjumit).

Krime të tilla të shumta me autorë shqiptarë kanë ndikuar që imazhi i shqiptarëve në Zvicër të jetë i keq. Madje ka marrë prej vitesh përmasa të një racizmi herë të hapur, herë të maskuar. Ky racizëm stigmatizon pa asnjë dallim të gjithë komunitetin shqiptar, i cili supozohet se numëron mbi 200 mijë anëtarë. Kësaj fushate me tone raciste në politikë i prin Partia Popullore e Zvicrës (SVP), ndërkohë grupi më i madh dhe më i fuqishëm politik në Zvicër. Së fundi kjo parti nxori në referendum një iniciativë, e cila parashihte dëbimin automatik të të huajve edhe në rast se kanë kryer delikte relativisht të lehta. Nga juristët zviceranë kjo nismë u quajt barbare dhe falë mobilizimit të shoqërisë civile, të botës akademike, të mediave në referendumin e 28 shkurtit gati 60 për qind e pjesëmarrësve në votim kundër. Ishte një goditje e rëndë për Partinë Popullore, e cila prej vitesh kalëron në një valë suksesesh dhe merret kryesisht me menaxhimin e frikës – nga të huajt, nga Bashkimi Europian, nga drejtësia amerikane, e cila lufton deliktet financiare të bankave zvicerane.

Por edhe pas refuzimit të iniciativës SVP do të ketë mjaft argumente për të drejtuar gishtin drejt të huajve. Fakt është se shumica e të burgosurve në burgjet e Zvicrës janë të huaj. Në deliktet e rënda (vrasje, tentimvrasje) prijnë të huajt. Sa i përket shqiptarëve duhet thënë se edhe pas referendumit të 28 shkurtit ata po vazhdojnë hobin apo avazin e tyre të vjetër. Këtë e tregojnë disa shembuj të ditëve të fundit. Të shtunën një 37-vjeçar nga Kosova hapi zjarr kundër një bashkëkombësi të moshës së njëjtë. Viktima iku me veturë dhe në autostradë e përfshiu zjarri. Policia e ka arrestuar dorasin e supozuar dhe një ndihmës. Rrethanat e këtij konflikti nuk dihen, policia po zhvillon hetime. Si pasojë e djegies së veturës autostrada qendrore e Zvicrës në drejtim të Bernës ishte e bllokuar për gjysmë ore.

Nga Zvicra lindore vjen lajmi se një 28-vjeçar nga Kosova, i cili ka rënë në konflikt me ligjin për shkak të sjelljeve të dhunshme, rrahjeve dhe delikteve me drogë. Tani një gjykatë ka marrë vendim që ai të dëbohet në Kosovë – ndonëse në Zvicër ka një partnere zvicerane dhe një fëmijë me të.

«Gjithçka ishte plot gjak» – kështu e përshkroi një dëshmitar një ngjarje që ndodhi para një jave në një tunel afër Zürichut. Në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës së 5 marsit një 23-vjeçar u rrëzua nga një veturë në lëvizje dhe mori lëndime në kokë. Policia njoftoi se viktima ishte zviceran. Pas aksidentit policia arrestoi dy persona që gjendeshin në veturë – dy djem 22-vjeçarë nga Kosova dhe Maqedonia. Hetimet janë duke u zhvilluar dhe policia nuk përjashton mundësinë që rrëzimi nga vetura të jetë krim (përpjekje për mbytje).

Kësisoj edhe pas referendumit të 28 shkurtit shqiptarët vazhdojnë të pasurojnë regjistrin e delikteve dhe të nxijnë imazhin e komunitetit. Kundër këtyre fenomeneve negative në mesin e shqiptarëve zakonisht mbretëron një indiferencë e madhe. Disa heshtin ose i minimizojnë deliktet, të tjerët fajin e shohin vetëm te zviceranët, të cilët gjoja kudo i diskriminojnë shqiptarët, ndërsa shumica e shqiptarëve që punon me nder vetëm turpërohet për këtë situatë.