Austria dhe Çekia paralajmërojnë mbylljen e kufirit

Republika e Çekisë mund të mbyllë kufirin të dielën teksa policia po qëndron në gatishmëri.




Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Brendshëm i Çekisë, Milan Chovanec, i cili e argumenton vendimin me rrezikun që i kanoset vendit të tij nëse Austria do të mbyllë kufirin.

Chovanec deklaroi se si pasojë e mbylljes së kufirit nga Hungaria dhe barrës së rëndë që i ka rënë Austrisë, kjo e fundit mund të detyrohet të mbyllë kufirin dhe më pas të gjithë klandestinët që kanë destinacion Gjermaninë do të kalojnë nga Çekia.

Ky është kërcënimi i radhës që vjen nga vendet ish- komuniste, të cilat refuzojnë strehimin e klandestinëve dhe refuzojnë të kontribuojnë në krizën e madhe që ka përfshirë Evropën.

Por shefja për politikë të jashtme në Bashkimin Evropian është optimiste.

Federika Mogherini deklaron se shumica e vendeve, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor kanë treguar një vullnet të ri politik në trajtimin e krizës emigrantëve.

Qeveritë e Bashkimit Evropian ranë dakord të enjten për të rritur dëbimet e emigrantëve të paligjshëm dhe diskutuan ngritjen e një roje kufitare në kuadër të masave për të përballuar fluksin e emigrantëve që vijnë nga Siria.

Gjithashtu pjesë e marrëveshjes ishte edhe ndihma për vendet afrikane nëpërmjet buxheteve të ndihmës në mënyrë që të mos lejohet më hyrja e tyre ne Evropë.