Austria bëhet me qeveri: dy parti krejtësisht të ndryshme lidhin koalicion, një boshnjake do të jetë ministre e Drejtësisë

Alma Zadiq.



Partia Popullore e Austrisë (ÖVP) dhe të Gjelbrit kanë vendosur të krijojnë një koalicion për të qeverisur Austrinë. Këtë e bënë të ditur në ditën e parë të vitit të ri shefi i ÖVP-se Sebastian Kurz dhe kolegu i tij nga partia e Gjelbër, Werner Kogler. Në nivel nacional ky është koalicioni i parë mes këtyre dy partive krejtësisht të ndryshme. Negociatat mes partive zgjatën dy muaj.

Njëra nga befasitë e qeverisë së re do të jetë Alma Zadiq. Kjo 35-vjeçare ka ardhur në Austri si refugjate në moshën 10-vjeçare – bashkë me prindërit. Zadiq ka punuar si avokate dhe është anëtare e partisë së Gjelbër. Ajo do të jetë ministrja më e re e Drejtësisë në historinë e Austrisë dhe e para grua me origjinë boshnjake në postin e ministres në Austri. Zadiq ka studiuar drejtësi në Columbia University dhe ka punuar si praktikante në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi. Të shtunën kongresi i partisë së Gjelbër pritet të votojë për nominimin e Zadiq. Ky është një akt formal.

Zadiq disa herë është sulmuar nga politikanët ekstremë austriakë për shkak të prejardhjes. Një deputet i ÖVP-së, partnerit të tanishëm, i është drejtuar asaj me fjalët: «Nuk jemi këtu në Bosnjë».

Kancelari i deritanishëm dhe i ardhshmi Sebastian Kurz premtoi se Austria do të ketë një qeveri stabile dhe të aftë për të vepruar. Ai premtoi një ekologjizim të sistemit tatimor dhe më pak tatime. «Këto negociata, për këtë duhet të jemi të sinqertë, nuk kanë qenë të thjeshta, sepse të dy partitë në orientimet e tyre programore janë shumë, shumë të ndryshme». Ndërsa të Gjelbrit duan më shumë mbrojtje të ambientit, ÖVP synon edhe më tutje një politikë rigjide ndaj të huajve (migrantëve, refugjatëve). Me qasje konstruktive të dy partitë ia kanë dalë të zgjidhin mosmarrëveshjet. Ministër i Jashtëm pritet të mbesë Alexander Schallenberg, i cili këtë funksion e ushtroi pas rënies së qeverisë vitin që shkoi. Vendi shkoi në zgjedhje pasi u bë publik një incizim, ku shiheshin dy politikanë austriakë nga partia populliste FPÖ duke negociuar me një gjoja vajzë të një oligarku rus për dhënie tenderësh.