Atdhetari i Dardanisë

Me rastin e vdekjes së dr. Skender Gashit: një dijetar i madh, një burrë i urtë dhe një patriot i pakundshoq që punoi pa kursyer veten për lirinë e Kosovës.

Skender Gashi.



Skender Gashi gjatë gjithë jetës së tij profesionale punoi në ndriçimin e së kaluarës së shqiptarëve – dhe njëkohësisht ai ishte një vrojtues mendjemprehtë i përditshmërisë së shqiptarëve, i huqeve, halleve, por edhe i marrëzive jo të pakta të mëhallave tona. Ai ishte dijetar që nuk pranonte të jetonte në Kullën e Fildishtë të shkencës, por angazhohej në jetën publike në shërbim të atdheut të tij të shtrenjtë, Kosovës apo Dardanisë, siç kishte dëshirë ta quante truallin ku u lind më 1942.

Skender Gashi i takon plejadës së shkencëtarëve të shqiptarëve që përkundër rrethanave jo përherë të favorshme arritën të arsimohen në institucionet më të rëndësishme të Jugosllavisë, sidomos në Republikat veriore, Slloveni e Kroaci. Gashi, i cili u specializua në fushën e albanologjisë në Zagreb dhe doktoroi në Salzburg të Austrisë në temën e emrave shqiptarë në shekujt XIV-XV sipas burimeve kishtare serbe, ishte ndër të paktit dijetarë të Kosovës që me punën e tij shpërtheu kufijtë e Kosovës. Punimet e tij janë cituar nga shumë universitete në Perëndim e Lindje. Ai ishte aq modest, saqë këto të arritura nuk i zinte në gojë aq, më shumë preferonte të fliste për projektet me të cilat po merrej aktualisht.

Skender Gashi, një ekspert i pakundshoq i onomastikës dhe njohës i disa gjuhëve të huaja, ishte një bashkëbisedues përherë inspirues, një njeri që i shijonte të mirat e jetës, të tillë e konsideronte mbase edhe duhanin. Një pako me cigare ishte përherë shenjë e mirë se muhabeti me Skender Gashin do të zgjaste me orë të tëra – qoftë në një kafene në Vjenë, ku jetonte prej dekadash, qoftë në një banesë refugjatësh kosovarë në Zvicër në vitet ’90, qoftë në një kullë në Hajvali. Ai nuk përtonte të fliste për kohërat e kaluara, kur Prishtina ishte një katund me ambicie për t’u bërë qytet, kur shumë kolegë të tij nguteshin t’i shërbenin regjimit dhe këtë nguti e reklamonin në opinion si punë shkencore. Regjimi, kuptohet, i shpërblente me medalje e privilegje, ndonëse kjo turmë e madhe dijetarësh me dije të zbehtë s’arriti kurrë të kapërcejë kufijtë e Kosovës me punë shkencore apo publicistike. Ai nuk i përkiste turmës së të privilegjuarve të regjimit komunist jugosllav. Për shkak të veprimtarisë së tij u burgos dy herë (1962 dhe 1963) dhe u përjashtua nga puna po ashtu dy herë (1966 dhe 1969).

Skender Gashi ishte njohës i shkëlqyeshëm i trevave shqiptare. Ka shkruar pa përtesë për prejardhjen e shumë toponimeve dhe mbiemrave shqiptarë, por nuk i ka takuar turbopatriotëve të kasabasë së Prishtinës që çdo therre në Kosovë ia gjejnë nga një emër ilir. Maturia dhe saktësia në vlerësim kanë qenë shenjë dalluese e punës së tij. Në një shkrim të botuar në vitin 2006 rreth emërtimeve Kosova, Metohia dhe Dardania ai shkruan: «Në hapësirën gjuhësore të shqipes, në Kosovë e në Maqedoni, ka 4 vendbanime, emrat e të cilave kanë dalë nga varianti sllav kos i emrit të shpendit mullenjë/mëllenjë, mullizezë zool. Merops apiaster. (…) Prejardhja e kësaj fjale konsiderohet e errët. Në gjuhët sllave të jugut kjo fjalë gjallon në trajtat kos, kosovac, kosovica dhe kosovic. Fjala kos e emërton shpendin ‘merula merula’; trajtë deminutive e kësaj është kosov, përkatësisht kosovac e kosovic që shënojnë të voglin e mëllenjës ‘pullus merulae’, përkatësisht zogëzën e mëllenjës si edhe mëllenjën e bardhë ‘Turdus iliacus’.

Është për t’u vërejtur se toponimet (Kosovo- zgjerim i mbiemrit, përkatësisht gjinorja kosov nga kos) që janë sajuar nga emri i këtij shpendi, emërtojnë gjithandej kryesisht lugina dhe rrjedha uji apo vedbanime të ngritura buzë rrjedhash të ujit. Katunde me emrin e këtij shpendi ka: në rrethin e Banjallukës (:Kosovo); në rrethina të Požega-s në Sllavoni (:Kosovac); në Dalmaci (:Kosovo polje) dhe në rrethina të Jagodinës në Serbi (:Mirkovo Kosovo).

Nga shembujt e sjellur më lart sikur lejohet paravendimi se edhe në rastin e Kosovo Polje për emrin e Fushës ku u zhvillua beteja e vitit 1389 mund të kemi të bëjmë me një përkthim sllav të një emri në krye të herës shqip gjë që e dëshmon rrethana se në antroponiminë e vajzave të hapësirës së Dardanisë në periudhën romake është dëshmuar dendur emri personal Merula ‘mëllenjë’ dhe rrethana tjetër që fjala sllave kos për këtë shpend nuk ka hyrë në gjuhën shqipe. Së këndejmi edhe ky mund të merret për emërtim të imponuar nga administrata e pushtuesve serbë të shek. 12.»

Para se të mërgonte në Vjenë Gashi qe punonjës i Institutit Albanologjik të Prishtinës, ndërsa në kryeqytetin austriak punoi si lektor i gjuhës shqipe në Universitetin e atjeshëm. Vjena për të ishte qyteti ku zhvilloi aktivitet të dendur për ndërkombëtarizmin e çështjes së Kosovës. Në Vjenë botoi revistën shkencore «Dardania», aty ndihmoi, këshilloi e informoi me zell të madh politikanë, shkencëtarë e gazetarë austriakë mbi gjendjen e rëndë në Kosovë në vitet ’90. Skender Gashi ishte një përkthyes i palodhshëm nga gjermanishtja, në vitin 1997 revista «Zëri» botoi librin e Christine von Kohl dhe Wolfgang Libal: Kosova, nyja e gordit në Ballkan. Gazetarja daneze Christine von Kohl, e cila shkroi për mediat të rëndësishme gjermane, në vitet ’90 u bë një mbështetëse e madhe e çështjes së lirisë së shqiptarëve të Kosovës – dhe që ajo u bë e tillë një meritë të madhe e ka edhe Skender Gashi. Gjatë okupimit serb në vitet ’90 Gashi ishte një veprimtar i madh i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe mbi të gjitha një përkrahës besnik i Ibrahim Rugovës, me të cilin e lidhte një miqësi e ngahershme. Të dy kishin diçka esenciale të përbashkët: aftësinë për t’i parë gjërat në thelbin e tyre, andaj nuk merreshin me llafet e çarshisë dhe mëritë ndërshqiptare.

Çfarë mbetet? Gjithsesi kujtimet e pashlyera për një dijetar të madh, një burrë të urtë dhe një patriot të pakundshoq që punoi pa kursyer veten për lirinë e Kosovës. Dhe esetë dhe veprat e tij të shumta, mes tjerash: «Fjalori toponimik kronologjik i Kosovës në vendbanime ekzistuese dhe vendbanime të zhdukura» në dy vëllime, «Fjalori i fjalëve dhe shprehjeve popullore» (bashkautor), «Kërkime onomastike-historike për minoritete të shuara e aktuale të Kosovës», «Institucioni i fisit te shqiptarët, në dritën e onomastikës». Më 17 maj të këtij viti dr. Gashi publikoi në profilin e tij në Facebook një shënim interesant: një mikrotoponim latin në rrethina të Trepçës. Ky është një lloj amaneti i tij për Kosovën e paprekshme në kufijtë ekzistues. Lamtumirë, Atdhetar i Dardanisë!