Askush nuk do t’jua ndreqë shtëpinë, duhet ta bëni vetë!

Bilanci i bisedës së sotme të ambasadorit britanik Ruairí O’Connell me qytetarët është ky: në Kosovë persona me biografi kriminale janë përgjegjës për rendin dhe kjo është cinike, Kosova është shtet i kapur, qytetarët nuk duhet të presin shpëtim nga jashtë si më 1999, por duhet të veprojnë vetë kundër të keqes, në Kosovë politikanët po manipulojnë me shifra të viktimave dhe po bëjnë premtime jorealiste për themelim të një Tribunali Ndërkombëtar. Me fjalë të tjera Kosova, sipas ambasadorit britanik, është duke i dëmtuar miqtë e saj. «Nëse na dëmton neve në ndonjë mënyrë, këto marrëdhënie mund të fillojnë të prishen, dhe ky moment mund të vijë shumë shpejt».

Ruairí O’Connell.



Pyetja e parë e një qytetari që ia bëri ambasadorit britanik në Prishtinë Ruairí O’Connell ishte, thënë përmbledhtazi, kjo: a ka shpresë të na shpëtojë bashkësia ndërkombëtare nga kjo klasë politike? Me sa duket edhe 20 vjet pasi forcat e NATO-s çliruan Kosovën, në shoqëri ekzistojnë pritje se edhe shtetndërtimi është detyrë e ndërkombëtarëve.

Përgjigjja e ambasadorit O’Connell ishte kjo: «Jo, mos keni shpresë hiç, asnjë pikë shprese, për ndërhyrje ndërkombëtare. Kosova është shtet i pavarur. Nuk ka rast në botë që janë rregullu problemet e një vendi, të krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke i pritur të huajt me ardhë. Askush nuk ka me ta ndreqë shtëpinë, duhesh me bo vetë. Bone vetë. Por, ne do të vazhdojmë të kërkojmë përmirësime, sepse krimi i organizuar në Kosovë na dëmton neve dhe nuk e pranojmë më. Dhe nëse ka vullnet politik për të ndryshuar sendet, qoftë nga qeveria qoftë nga një qeveri tjetër, ne do të jemi pranë politikaneve që me të vërtetë dëshirojnë të luftojnë krimin dhe korrupsionin».

Gjatë bashkëbisedimit ambasadori tha se zyrtarët që kanë histori kriminale nuk do të mund të shkojnë më në Britaninë e Madhe: «Cilido që ka histori kriminale dhe që ka lidhje me korrupsion, nuk do të mund të hyjë në Mbretërinë e Bashkuar». Ky është një hap që duhet përshëndetur. Në të vërtetë është dashur të ndërmerret qëmoti, sepse shumë qytetarë të Kosovës ndihen të dekurajuar kur shohin se si politikanë me histori krimi e korrupsioni tundin duart e burrështetasve perëndimorë. Një takim me kancelaren Angela Merkel apo me presidentin Emmanuel Macron u mjafton politikanëve të Kosovës për t’i dërguar mesazh popullit se «ne jemi të paprekshëm».

Ruairí O’Connell ka folur më konkretisht për personat e paprekshëm. «Mendoj që ky është vërtetë një problem. Rasti i Emin Beqirit më vjen në mendje. Ai ishte incizuar duke u përfshirë në gjëra të këqija. Ai u shpall i fajshëm nga Gjykata Themelore, dhe është hedhur poshtë nga Gjykata e Apelit, përderisa Gjykata Supreme e sheh si jo të ligjshme, por sipas standardeve të të drejtave të njeriut, që janë të rëndësishme që në përgjithësi, Beqiri nuk vuajti asnjë dënim. Dhe pastaj transferohet dhe nuk largohet nga puna nga ana e policisë. Ai është shef i policisë në Ferizaj. Unë kam investitorë britanikë të cilët duan të investojnë në Ferizaj, por si mund të ulem unë në takim me ta dhe të ju them ‘Mos u brengosni sepse policia në Ferizaj do t’ju ruajë’, kur ne e dimë se njerëzit si këta udhëheqin policinë, dhe kur e dimë që këto lidhje me kriminalitetin vazhdojnë dhe kur sistemet gjyqësore bëjnë gabime dhe nuk ka përgjegjësi për ata gjykatës që janë duke i bërë këto, dhe është një fjalë për këtë: kapje e shtetit».

A si duhet të sillen qytetarët në një shtet të kapur? «Nëse nuk ju pëlqejnë politikanët tuaj, votoni dikë tjetër, kjo është demokracia, dhe kjo mendoj është shumë e thjeshte». Më mirë dhe më drejtpërdrejtë s’ka se si të thuhet. Së paku jo nga një diplomat. «Në Kosovë, skandal pas skandali dhe votuesit zgjedhin të votojnë për partitë, për të cilat edhe ata vet e dinë se janë të korruptuara. Nëse kjo vazhdon, asgjë nuk do ndryshojë, por nëse votuesit përdorin fuqinë e tyre të vërtetë politike, atëherë ndryshimi është i mundur».

Javëve të fundit krerët e Partisë Demokratike të Kosovës, të frikësuar mbi të ardhmen e tyre për shkak të hetimeve nga Gjykata Speciale, befas i kanë zbuluar krimet serbe në Kosovë. Po zhvillohet një fushatë populliste me brohoritje për themelimin e një «Gjykate Ndërkombëtare që do të dënojë gjenocidin serb». Ky është shpjegimi i ambasadorit britanik lidhur me debatet e fundit: «NATO ka intervenuar për shkak të asaj që forcat jugosllave dhe serbe po bënin si rezultat i politikës shtetërore në Kosovë. Dhe kjo është një çështje që është shënuar në histori. Kur lexoj tregimet për atë që i ndodhi komunitetit shqiptar në Kosovë, si p.sh. ngjarjet e 22 majit në Vushtrri, ku isha dje, ku 68 civilë shqiptarë u vranë, pasi që u ndanë nga familjet e tyre, dhe kur sheh memorialet e luftës dhe sheh që disa nga të vrarët janë bebe as një vjeç, është e tmerrshme. Ne duhet ta pranojmë këtë të vërtetë, dhe është komplet e papranueshme, bile e ligë, të tentojë dikush të mohojë atë që ka ndodhur. Por meqë po flasim për pranim të së vërtetës, ti po flet për 13’500 shqiptarë që janë vrarë, kjo nuk është e vërtetë. Nuk ishin 13’500 shqiptarë. Si fillim, a të brengos ty që vetëm shqiptarët janë vrarë, sepse nëse po, atëherë nuk mund të jemi miq. Faktikisht po, 10’812 shqiptarë janë vrarë dhe 2197 serbë. Për mua secila viktimë meriton drejtësi. Kjo nuk do të thotë që ne nuk e kuptojmë çka është bërë në të kaluarën për shkak të politikës shtetërore në rajon. Por nëse i numërojmë viktimat serbe pas luftës, nga të gjithë të vrarët, 1196 ishin civilë. Po, ka pas edhe forca të sigurisë që janë vrarë se ka qenë luftë, dhe kjo ndodh fatkeqësisht në luftë, por janë mbi 1000 viktima civile serbe. Në mesin e tyre edhe gjyshja dhe gjyshi i shoqes sime, të cilët u vranë në gusht 1999, vetëm pse dikush donte banesën e tyre. Edhe ata meritojnë drejtësi, apo jo? Secila viktimë meriton drejtësi. Të gjitha shtetet e rajonit duhet të pranojnë atë që ndodhi këtu, sepse kjo është e vetmja bazë për pajtim. Secila viktimë, 8676 civilë shqiptarë, 1196 civilë serbë, 265 romë, 86 boshnjakë dhe 94 nga komunitete tjera, të gjithë këta meritojnë drejtësi. Unë pajtohem me këtë, por nuk pajtohem me idenë që aty ka pasur vetëm viktima shqiptare, dhe kurrë nuk do të pajtohem. Kur po flet për një Tribunal Ndërkombëtar për krime dhe gjenocid serb, jam pak i brengosur për terminologjinë. Kosova ka sistem gjyqësor, i cili mund të gjykojë krimet që janë kryer në territorin e Kosovës, pse nuk po e përdorni atë? Kosova nuk mund të krijojë një Tribunal Ndërkombëtar. Kosova ka gjykatat e saja të cilat duhet të kenë interes t’i gjykojnë krimet e kryera gjatë luftës. Dhe ato janë plotësisht të fuqishme ta bëjnë atë».

Në bisedë nuk mungoi edhe pyetja nëse do të ketë investime nga Britania e Madhe. Thelbi i përgjigjes ishte ky: investitorët kërkojnë inxhinierë në Kosovë, jo avokatë e biznesmenë ndërkombëtarë. Ky është problemi i sistemit arsimor kosovar: prodhon juristë, ekonomistë e politologë, të cilët kanë vetëm një pritje – të punësohen në administratën shtetërore.
Ditëve të fundit jo vetëm Austria e ka parë një film nga ishulli Ibiza. Kosova po e sheh një film tjetër: persona që merren me fajde përmendin edhe emrin e kryetarit të tanishëm të Kuvendit të Kosovës si i involvuar në këto pisllëqe. Si për çdo të dyshuar edhe për kryetarin e Kuvendit, i cili është edhe shef i PDK-së, vlen parimi i pafajësisë deri sa të dënohet plotfuqishëm. Por kur një politikani i përmendet emri në punë të tilla, ai më së paku që mund të bëjë është – dorëheqja. «E kam thënë sa herë se durimi i komunitetit ndërkombëtar është i kufizuar ndaj shteteve ku sistemi ligjor në vend se të luftojë krimin dhe korrupsionin, ato duket që i përkrahin. Sepse, nëse krimi i organizuar ka strehimore, atëherë përdoret për të sulmuar të tjerët në Europë, dhe kjo është duke ndodhur. Dua që qytetarët e Kosovës ta kuptojnë që kemi marrëdhënie shumë të mira, por Kosova është duke i dëmtuar miqtë e saj. Nëse na dëmton neve në ndonjë mënyrë, këto marrëdhënie mund të fillojnë të prishen, dhe ky moment mund të vijë shumë shpejt».