Arsimimi i elitës shqiptare në Kosovë dhe thyerja e interpretimit serb të historisë

Ashtu si në shoqëritë e tjera të Europës juglindore edhe në Kosovë historianët dhe linguistët zunë një pozitë të rëndësishme, sepse ishin ata që formulonin dhe përfaqësonin interesat kombëtare, ata për herë të parë artikuluan zërin e shqiptarëve të Kosovës. Në vitet shtatëdhjetë u thye epërsia serbe në interpretimin e historisë së Kosovës.

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës në Prishtinë.



Me ndërtimin e sistemit arsimor dhe integrimin e shqiptarëve në Lidhjen e Komunistëve ishte i ndërlidhur ngushtë edhe një proces fundamental social i periudhës së pasluftës: zëvendësimi i grupeve udhëheqëse (post)osmane me një elitë të socializuar në Jugosllavi. Edhe këtu sllavët gëzonin përparësi në Kosovë. Që para vitit 1941 ata ishin favorizuar dukshëm në administratë dhe arsim. Por edhe në dy dekadat pas vitit 1945 elitat serbe kontrolluan Partinë, administratën, ekonominë shtetërore si dhe arsimin dhe shkencën. Njëkohësisht në anën shqiptare u krijua një elitë intelektuale numerikisht e vogël, e cila si grup udhëheqës i printe personelit arsimor shqiptar, i cili po ashtu ishte në rritje e sipër. Pjesëtarët e kësaj elite punonin nga njëra anë si kuadro partiakë, nga ana tjetër ishin të angazhuar në institucionet shtetërore të kulturës. Menjëherë pas vitit 1945 elita partiake shqiptare u rekrutua nga grupet e vogla të partizanëve shqiptarë të Kosovës, siç ishte Fadil Hoxha. Kjo elitë kishte rëndësi simbolike në sistemin e «vëllazërim-bashkimit» pikërisht për shkak të pjesëmarrjes minimale shqiptare në «luftën nacionalçlirimtare».

Jeta kulturore zhvillohej në dhe rreth shtëpisë botuese-mediale «Rilindja», e cila gëzonte monopol, (Rilindja ishte edhe nocioni shqiptar për lëvizjen kombëtare shqiptare). «Rilindja«» botonte gazetën me të njëjtin emër dhe, mes tjerash, revistën për kulturë “Jeta e re”. Elita ishte e ndarë në dy drejtime politike: në njërën anë ishin ithtarët e sistemit të ri (siç ishte, ta zëmë, Hasan Kaleshi, një osmanist i njohur edhe në arenën ndërkombëtare), në anën tjetër grupi me orientim nacional dhe opozitar, por i cili ishte pasiv, duke pasur parasysh rrethanat ekzistuese politike. Kështu inteligjenca shqiptare e Kosovës u krijua nga shteti jugosllav. Për dallim nga Shqipëria inteligjenca e Kosovës nuk mund të mbështetej në ndonjë traditë intelektuale të kohës së paraluftës. Në të vërtetë ajo punoi për të arritur shkëputjen nga modelet kulturore osmane në favor të identitetit kombëtar shqiptar. Këtu puna në fushën e arsimit kishte rëndësi të madhe për “iluminizmin” kulturor dhe kombëtar. Elita intelektuale e shihte veten si avangardë, andaj në të gjitha shtresat e popullsisë gëzonte një prestigj social jashtëzakonisht të lartë – kjo vlente edhe për profesorët dhe intelektualët serbë dhe ishte një fenomen që mund të vërehej në mbarë Jugosllavinë. Deri në vitin 1966 autoritetet i shikonin me mosbesim të madh përfaqësuesit e kulturës shqiptare dhe shkencëtarët shqiptarë; te kjo gjeneratë kishte lënë gjurmë përcjellja nga shërbimi sekret. Përkundër represionit pas vitit 1966 u krijua ai grup i nxënësve dhe studentëve shqiptarë me orientim kombëtar, të cilët më 1968 përmes protestave të ashpra ndikuan në ndryshimin e kursit politik në Kosovë. Pas vitit 1968 dhe sidomos pas vitit 1974 ata zunë vend në strukturat shtetërore dhe pakontestueshëm kontrolluan shoqërinë shqiptare të Kosovës deri nga mesi i viteve nëntëdhjetë (dhe deri më 1989 pothuaj plotësisht edhe Kosovën). Ashtu si në shoqëritë e tjera të Europës juglindore edhe në Kosovë historianët dhe linguistët zunë një pozitë të rëndësishme, sepse ishin ata që formulonin dhe përfaqësonin interesat kombëtare, ata për herë të parë artikuluan zërin e shqiptarëve të Kosovës, ishin ata që argumentonin në nivel shkencor. Në vitet shtatëdhjetë u thye epërsia serbe në interpretimin e historisë së Kosovës. Qendra të kësaj elite intelektuale ishin shkollat e larta profesionale, Universiteti, Instituti Albanologjik dhe Akademia e Shkencave. Shkencëtarët shqiptarë dhe ata serbë në këto institucione punonin bashkë, përkatësisht pranë njëri-tjetrit. Publikimet si revistat shkencore realizoheshin në të dy gjuhët, ndonëse numri i botimeve serbe nga fundi i viteve shtatëdhjetë pësoi rënie dhe kjo ishte shenjë e zbehjes të marrëdhënieve ndëretnike. Për shqiptarët këto institucione ishin simbole, ku tregohej aftësia etnokulturore. Siç u përmend në hyrje historiografia u zhvillua duke u mbështetur fuqishëm te shkencëtarët nga Shqipëria dhe u përhap përmes shkollave dhe mediumeve. Meqë revolucioni arsimor te shqiptarët u zhvillua njëkohësisht me këtë proces, interpretimi i ri i historisë dhe kulturës shqiptare hasi në jehonë të madhe.

Një përfaqësues tipik i kësaj elite të socializuar në Jugosllavi është udhëheqësi i mëvonshëm i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova. I lindur në vitin 1944 në komunën e Istogut, ai vijoi shkollën e mesme në Pejë dhe studioi letërsi në Universitetin e sapothemeluar të Prishtinës. Ai u punësia si bashkëpunëtor në Institutin Albanologjik dhe vitet 1976/77 i kaloi me bursë në Paris. Në vitin 1986 doktoroi në Prishtinë. Rugova punoi si historian i letërsisë (me ç’rast u mor sidomos me shkrimtarët katolikë gegë të shekullit të ‘17 si Pjetër Bogdani) dhe si shkrimtar; në vitin 1988 ai u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Krahas Rugovës edhe përfaqësues të tjerë të elitës së re shkencore fituan bursa nga shteti jugosllav para së gjithash për studime në Francë, gjë që ndikoi në orientimin ndaj kulturës franceze. Ky orientim ishte tipik për shumë elita të Europës juglindore. Për dallim nga Rugova shumë profesorë dhe anëtarë të Akademisë të nacionalitetit shqiptar kishin studiuar në Beograd, ku në vitin 1948 ishte themeluar dega e albanologjisë, në të cilën qysh në vitin 1952 studionin 31 kuadro të ardhshëm. Kështu Beogradi u bë qendër, ku kjo elitë u përqendrua si në kuptimin e orientimit intelektual (metodik-teorik) ashtu edhe politik. Shteti jugosllav aktivisht e kishte mbështetur arsimimin e kësaj elite në Beograd. Orientimi i një pjese të kësaj shtrese udhëheqëse në drejtim të Tiranës (rreth vitit 1970) e dobësoi lidhjen me Beogradin. Pas keqësimit të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave sidomos pas vitit 1981 ndikimi i Tiranës u zvogëlua; po ashtu meqë në Jugosllavi u ashpërsuan tensionet ndëretnike, Beogradi nuk vinte më në shprehje si qendër kulturore. Kjo çoi në provincializimin intelektual të gjeneratës së arsimuar në vitet tetëdhjetë: profesorët e tyre kishin studiuar në Beograd dhe Paris; bota e gjeneratave të ardhshme gjithnjë e më shumë u kufizua në Prishtinë.

Krahas kësaj elite intelektuale u krijua edhe një shtresë udhëheqëse politike dhe ekonomike. Në frymën e diskriminimit pozitiv shqiptarët që nga vitet shtatëdhjetë morën poste të rëndësishme në Parti dhe ekonomi. Derisa në vitin 1953 shqiptarët përbënin 46,8 për qind të anëtarëve të Partisë në Kosovë (sllavët: 50,1 për qind), numri i tyre u rrit në 67,2 për qind (1968). Nga fundi i viteve tetëdhjetë “Lidhja e Komunistëve” numëronte në Kosovë 105’000 anëtarë dhe këtë e shpjegon vetëm mobilizimi i dukshëm i popullsisë, e cila numëronte 1,6 milionë banorë. Megjithëkëtë, në krahasimin e përgjithshëm jugosllav përqindja e anëtarëve partiakë në popullsi te shqiptarët ishte relativisht e ulët: në vitin 1964 ata përbënin 4,9 për qind të popullsisë së Jugosllavisë, por vetëm 2,4 për qind të anëtarëve të Partisë, serbët ndërkaq përbënin 42,8 për qind të popullsisë së Jugosllavisë dhe 51,5 për qind e tyre ishin anëtarë të partisë – në nivelin federal Partia Komuniste ishte e dominuar nga serbët.

Në vitet shtatëdhjetë kuadrot partiakë shqiptarë morën postet e drejtorit në kombinatet më të rëndësishme. Shqiptarët u avancuan edhe në aparatin shtetëror. Në vitin 1978/79 Fadil Hoxha u bë nënkryetar i shtetit, Sinan Hasani shërbeu në vitet 1986/87 si kryetar i Kryesisë së Jugosllavisë. Nga një institucion i dominuar nga serbët policia u shndërrua në trupë të ndikuar kryesisht nga shqiptarët (dhe këtë do ta shfrytëzonte Milošević-i në vitin 1987 në fushatat e tij). Siç u tregua numri i serbëve në administratën e ndërmarrjeve dhe përgjithësisht në rrafshin e kuadrove të nivelit të mesëm mbeti mbiproporcionalisht i lartë.

Nga fundi i viteve shtatëdhjetë në politikë depërtoi një gjeneratë e re krahas veteranëve të luftës partizane. Ky grup (Azem Vllasi, Mahmut Bakalli, prej 1971 deri 1981) i qëndronte lojal shtetit jugosllav, ndonëse punonte për avancimin e Kosovës në status të Republikës. Këtë ata dëshironin ta arrinin përmes rrugës paqësore dhe hidhnin poshtë çdo formë të grusht shtetit apo të separatizmit. Edhe këtu biografitë janë karakteristike për integrimin në sistemin jugosllav. Mahmut Bakalli (1936-2006) u lind në Gjakovë, vijoi mësimet e shkollës së mesme në Prizren dhe studioi shkencat politike në Universitetin e Beogradit. Pastaj ai punoi në Universitetin e Prishtinës dhe bëri një karrierë të shpejtë në Parti (kryetar i Komitetit Komunal të Prishtinës; kryetar i Komitetit Krahinor dhe anëtar i Komitetit Qendror të “Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë” nga viti 1971 deri më 1981). Në vitin 1981 ai dha dorëheqje në shenjë proteste kundër represionit ndaj trazirave në Kosovë. Dhjetë vjet më i ri është Azem Vllasi, i lindur në vitin 1948 në komunën e Kamenicës. Ai drejtoi Komitetin Krahinor të Lidhjes së Komunistëve nga viti 1985 deri më 1988, kur S. Milošević-i e largoi nga posti. Derisa Bakalli dhe Vllasi në vitet tetëdhjetë iu kundërvunë politikës së Milošević-it, kuadro të tjerë bashkëpunuan me të, për shembull Rrahman Morina (nga Peja, 1943-1990), ministër i brendshëm i Kosovës në fazën e represionit pas vitit 1981. Morina ishte i martuar me një serbe, e cila në vitet 1997/98 drejtoi një ministri në Beograd. Ai ishte ndër shqiptarët e paktë, të cilët në vitet tetëdhjetë aktivisht luftuan lëvizjen kombëtare. Pas heqjes pothuaj puçiste të autonomisë së Kosovës Morina në vitin 1989 mori udhëheqjen e Partisë për disa ditë. Kur vdiq në tetor të vitit 1990 në një mbledhje partiake, u supozua se ishte helmuar. Gjenerata e pjesëtarëve të elitës shqiptare, e cila kishte përparuar në karrierë në vitet shtatëdhjetë, e udhëhoqi rajonin, ndërsa pas vitit 1989 edhe popullsinë shqiptare deri nga mesi i viteve nëntëdhjetë, kur u sfidua nga përfaqësuesit e shtresës fshatare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Elita e krijuar në vitet shtatëdhjetë në çdo aspekt është prodhim i Jugosllavisë së dytë. Derisa rreth vitit 1920 shoqëria shqiptare drejtohej nga bejlerët, bajraktarët dhe prijësit rajonalë të luftëtarëve, gjashtëdhjetë vjet më vonë vendin e tyre e kishin zënë anëtarët e Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste, drejtorët e fabrikave dhe profesorët. Edhe këtu del në pah përparimi i jashtëzakonshëm. Ky përparim dhe konkurrenca e shtuar e shqiptarëve në postet udhëheqëse shkaktoi shqetësime te popullsia sllave. Në shoqërinë serbe ka qenë dhe është i përhapur racizmi kundër shqiptarëve. Ndjenjat e superioritetit të krijuara nga fundi i shekullit të ‘19 dhe mungesa e dukshme e njohurive për shoqërinë shqiptare ndikuan që serbët të kenë vështirësi të pranojnë faktin se për herë të parë prej se Kosova ishte nën Jugosllavi popullsia shumicë mbante gati të gjitha pozitat kryesore në politikë dhe ekonomi dhe tani sllavët nuk do të favorizoheshin automatikisht. Të kërcënuar u ndien sidomos pjesëtarët e elitës serbe, të cilët deri më tani ishin dukshëm të mbipërfaqësuar. Frika nga konkurrenca thelloi paragjykimet etnike, të cilat përdoreshin për të mbrojtur pozicionin serb. Deri në fillim të viteve tetëdhjetë stereotipat nuk mund të shpreheshin hapur, sepse Partia Komuniste i luftonte format e tilla të nacionalizmit serb. Por më 1981 u hap shtegu i përbuzjes dhe mosbesimit të shumë serbëve në dhe jashtë Kosovës ndaj elitës shqiptare.

* Autori është profesor i historisë në Universitetin e Vjenës dhe autor i librit «Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike», prej nga është marrë ky tekst. Përktheu: E.R.