Arinjtë e ambasadorëve

Ari përshkruhet si një ari i butë dhe i dashur. Para se të shpëtohej nga robëria, ka jetuar në kushte shumë të këqija në një minikopsht zoologjik së bashku me partneren e tij Rina. Në broshurën e plastifikuar në rrethojën gjembore thuhet se Ari ka pasur probleme «stereotipike» të sjelljes.




«Por në Pyllin e Arinjve Prishtina, pasi që është trajtuar me një program për pasurim me lojëra me ndikim në sjelljet dhe mjedisin, çrregullimet me sjellje janë të pakta», përshkruan tabela karakteristikat e ariut Ari, i cili ende nuk e ka marrë plotësisht veten, me gjithë kujdesin e vazhdueshëm të kujdestarit Kushtrim Gashi (30), shkruan sot «Koha Ditore».

«Kjo është historia e arinjve, kjo tregon ku u kanë, ku ka lind, ku ka ardhë», thekson Gashi, teksa ngjitet përpjetë shtegut ndërmjet katër sektorëve të ndryshëm në kodrën me shkurre, ku janë vendosur arinjtë.

Arinj me «letërnjoftime»

«Secili ari e ka biografinë e vet».

Ari është i vetmi prej gjashtëmbëdhjetë arinjve të rezervatit që nuk noton në pishinë, por i pëlqen të spërkatë veten me ujë me putrat e tij.

«Ari ka apetit dhe ha çdo pemë dhe perime pa preferencë», shkruhet në «letërnjoftimin» pranë fotografisë së Arit në fshatin malor Mramor, në periferi të Prishtinës.

Rruga e asfaltuar ka lehtësuar qarkullimin, por në magjistralen Prishtinë-Gjilan ende nuk ka ndonjë pllakë me mbishkrim që tregon për vendndodhjen e Pyllit të Arinjve.