Antiamerikanizmi i provincës

Çka është antiamerikanizëm sipas hienave fejsbukore kosovare?



«Duaje atdheun si shqiptarët Amerikën!» Kjo shprehje tiranase më është kujtuar shumë këtyre ditëve kur plasi zhurma për antiamerikanët dhe antiamerikanizmin. Në 16 vite pa Serbi, shqiptarët e Kosovës u përballën me thyrjen e disa miteve të «lirisë» – një detyrë kjo shumëfish më e vështirë se lufta e armatosur.

Në fillim të viteve 2000, opinioni publik u mor me demitizimin e figurës dhe kultit të presidentit Ibrahim Rugova. Prej kohësh kur PDK-ja është në pushtet, në saje të përfimit të paprecedent politik, ekonomik dhe moral në emër të luftës, opnioni publik kosovar demitizoi dhe për më tepër zhveshi nga shenjtëria një varg figurash komandantësh, dëshmorë të gjallë e të vdekur të UÇK-së. Rradha e çshenjtërimit i erdhi edhe gjithë strukturës së UÇK-së, paradigmave të luftërave të shenjta e të drejta, dhe tërë nocionit të kallashit si të tillë.

Megjithatë, ajo çka është vënë në vakuum dhe vazhdon të mbetet e paprekshme, është shenjtëria e SHBA-ve (ose siç i referohet nëpër provinca – Amerikës). Ngjashëm si me të gjitha shenjtëritë tjera, çdo mendim kritik, çdo pyetje, çdo dyshim rreth SHBA-ve, apo ambasadës dhe ambasadorëve të SHBA-ve në Kosovë, është një blasfemi e dorës së parë, një marrëzi dhe zuzëri. Spin doktorët, «opnionbërësit» dhe palaçot që kanë media në pronësi, lëshojnë fetfa ndaj çdo zëri (jo)racional si antiamerikanizëm. Këtë e bëjnë në emër të mbrojtjes së miqësisë së përjetshme ndërmjet Kosovës dhe «Amerikës», në emër të dashurisë për Amerikën, e ndonjëherë kur kujtohen, edhe në emër të të vlerave demokratike. Pararojat e «Amerikës» në provincë e kanë problem ta pranojnë të drejtën legjitime për të qenë kritik së pari, për të qenë amerikano-skeptik apo edhe antiamerikan. Të tilla janë shoqëritë e lira jashtë provincës në fund të fundit. Ka vend dhe debat për të gjithë!

Antiamerikanizmi pershkruhet si «egërsi apo kërcënim ndaj interesave të SHBA-ve». Prej se është shfaqur, ky term vazhdon të mbetet i gjerë dhe me shumë kuptime. Në shekullin e 20-të antiamerikanizmi lidhej ngushtë me antikapitalizmin, kundërshtimin e dhunës racore, kundërshtimin e kulturës së armëve dhe dënimit me vdekje. Krahas këtyre, në shkeullin 21 antiamerikanizmi lidhet ngushtë me protestën kundër intervenimit të njëanshëm që SHBA-të kanë bërë që prej Luftës në Gjirin Persik në fillim të viteve të 90-ta e këndej. Pra, këtu përfshihet edhe Kosova, intervenimi në Irak, ai në Afganistan e tutje.

Në vitin 2003, kur SHBA-të ndërmorën aksionin ushtarak aq jopopullor në Irak, opinioni publik europian dhe ai botëror e kritikoi këtë veprim të njëanshëm si kërcënim të normave dhe virtyteve të bashkëpunimit ndërmjet vendeve. Protestat kundër këtij aksioni në Francë, Gjermani, vende të Amerikës Latine e të Afrikës Veriore, kulmuan me nënshkrimin e një letre të përbashkët të intelektualit gjerman Jurgen Habermas me filozofin francez Jacques Derrida, ku kërkohej mbrojtja e frymës së bashkëpunimit europian dhe rishikimi i paradigmës së intervenimit.

Që prej vitit 2008, antiamerikanizmi ka shënuar rritje në Europën Perëndimore si rezultat i pushtimit teknologjik të hapësirës virtuale që SHBA-të i bëjnë internetit. Në vitin 2014, vizita e Presidentit Barack Obama në Bruksel u pasua me protesta nga qytetarët belgë dhe europianë kundër politikave kontrolluese të SHBA-ve. «Yes, we scan!» ishte motoja e protestës që ironizonte survejimin dhe kontrollin kibernetik që SHBA-të bëjne nëpërmjet «google», «Facebook» etj. Dhe këto protesta nuk ishin të populluara me «majtistë maoistë», as me «antikapitalistë të regjur», por kryesisht me teknokratë të strukturave të Bashkimit Europian.

Për ta kthyer debatin edhe në provincë (provincë si mendësi, jo si strukturë adminsitrative), së pari, nuk është krim të jesh kritik ndaj ambasadës amerikane në Kosovë. Kosovë janë edhe ata serbë të cilët nuk e shohin me sy pozitiv intervenimin e NATO-s të prirë nga SHBA. Kosovë janë edhe ata shqiptarë që kritikojnë ambasadën amerikane, e që jo detyrimisht i takojnë ndonjë partie politike. Për mua, është detyrim qytetar të kesh protestuar kundër ish-ambasadorit amerikan Christopher Dell, për shembull, qoftë për shkak të aferave të tij biznesore, të cilat dolën sheshit në prag të ikjes së tij nga posti, apo edhe qoftë për gomarllëqet publike tek i «mësonte» qytetarët e Kosovës se cilën parti duhet votuar e cilën jo. Deri të ambasadori aktual i SHBA-ve, nuk kam parë ndonjë dell të «Dellave» që kanë defiluar në Kosovë, për të ngritur zërin kundër njerëzve si Sami Lushtaku, Xhabir Zharku, Azem Syla, Kamishi apo Kadri Veseli, i cili për vetë Departamentin Amerikan të Shtetit njihet si njeri i lidhur me krimin. Nëse e mishërojmë ambasadën amerikane apo edhe vetë SHBA-të me vlerat demokratike të shtetit të së drejtës, atëherë unë nuk di në ka më antiamerikanë se figurat e lartpërmendura.

E dyta, nuk është krim të jesh skeptik jo vetëm ndaj ambasadës amerikane dhe partizanshipit që ajo bën në politikën ditore në Kosovë, por edhe ndaj SHBA-ve si të tilla. Gjermania dhe Franca janë dy vende ku sentimenti negativ për SHBA-në është 45 për qind dhe 27 për qind përkatësisht. Ftoj hienat fejsbukore të Kosovës të dalin urgjentisht me një deklaratë për të linçuar opinionin publik gjerman dhe atë francez si antiamerikan! Ta bëjnë këtë në emër të demokracisë dhe shprehjes së lirë.

Ekziston një lloj «emigracioni parimor» i shtetasve amerikanë, i përhapur sidomos në Islandë, Danimarkë, Belgjikë e Skandinavi. Amerikanë që nuk duan të jenë pjesë e makinerisë kapitaliste-ushtarake që përfshihet në luftra në emër të popullit dhe demokracisë amerikane. Vetë hapësira e emancipuar amerikane është më antiamerikane ndaj politikave të Departamentit të Shtetit se sa opinioni publik në shumë vende të Lindjes së Mesme për shembull. Universitete progresive amerikane si New School’, Berkley University etj. kanë dekada të tëra që kritikojnë ashpër aspekte të historisë së SHBA-ve – dhe sidomos politikën e jashtme.

Nëse ky është lloji i antiamerikanizmit të cilin e keni frikë, atëherë kemi problem me injorancën, jo me dashurinë për SHBA-në. SHBA-të nuk duhet të mbesin vetëm një dogmë në të cilën ne besojmë si fundamentalistë. Ashtu si heronjtë e luftës e të paqes, ato nuk duhet të jenë imun ndaj kritikës qytetare dhe mendimit kritik.