Angela Merkel «me shami në kokë dhe me minare në prapavijë» [video]

Televizioni gjerman ARD në emisionin «Beriht in Berlin» ka shfaqur fotomontazhin e kancelares Angela Merkel me çador të zi dhe me minare në prapavijë. Ky fotomontazh, transmeton Koha.net, në rrjetet socialë ka nxitur shumë komente kritikë se televizioni ka shkuar shumë larg dhe madje e ka shfrytëzuar negativisht lirinë e medies.




ARD fuqimisht i ka hedhur poshtë të gjitha kritikat me këtë përmbajtje.

«U gëzohemi kritikave por na vjen shumë keq që fotomontazhin tonë të kancelares gjermane disa nuk e kuptuan …. Ai ka qenë në raport me temën e emisionit për vlerat e shoqërisë sonë. Moderatori emisionit ka folur për sukseset e shoqërisë sonë perëndimore – lirinë e mendimit, lirinë e medieve dhe barazinë. Këto liri paraqiten në emisionin tonë. Natyrisht, me këtë foto, kemi dashur të zgjojmë vëmendjen dhe polarizimin…» ka kumtuar ARD, duke theksuar se ai megjithatë e konsideron legjitime këtë formë të shprehjes dhe se vendosmërisht hedh poshtë të gjitha kritikat se në këtë mënyrë ndihmon në rritjen e propagandës armiqësore kundër islamit.

Në valën e madhe të migrantëve në Gjermani, për ç’shkak kancelarja Merkel është në shënjestër të politikanëve edhe nga radhët e partisë së vet dhe të vlerësimeve se në Gjermani deri në fund të vitit mund të shkojnë 1,5 milionë refugjatë, mediet, e edhe ARD, kanë shtruar pyetjen thelbësore se si do të ndikojnë refugjatë në vlerat perëndimore gjermane dhe se a është në gjendje shoqëria gjermane të ballafaqohet me këtë valë njerëzish.