Amerika dëshiron të kyçet në zgjidhjen e nyjës së Kosovës me një emisar të posaçëm – ai mund të jetë Matthew Palmer

Administrata e presidentit Donald Trump po planifikon të rifillojë bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Foreign Policy.

Matthew Palmer.



Pritet që Departamenti i Shtetit në Washington të emërojë një emisar të posaçëm për Ballkan për të rifilluar dialogun e bllokuar mes Kosovës dhe Serbisë. Synim i emisarit do të jetë t’i japë fund konfliktit shumëvjeçar në Europën Juglindore. Sipas revistës Foreign Policy emisar i posaçëm mund të jetë Matthew Palmer, një diplomat karriere me përvojë në Ballkan. Kështu i kanë thënë revistës amerikane zyrtarë aktualë dhe të dikurshëm, të cilët janë të kyçur në këtë çështje. Emërimi i tij paraqet presionin më të ri të SHBA-ve për t’iu qasur tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë. Dialogu mes dy vendeve është ndërprerë pasi qeveria e Kosovës aplikoi tarifa ndëshkuese mbi prodhimet serbe.

Për disa ekspertë emërimi i pritshëm i Palmerit është një zhvillim i mirëseardhur në një rajon, të cilit nuk i është kushtuar aq vëmendje nga politikanët amerikanë. Diplomatët tërheqin vërejtjen se Rusia dhe Kina po e zgjerojnë ndikimin në Ballkan, ndërsa zgjidhja e ngatërresave shumëvjeçare do t’i ndihmonte rajonit të afrohet me BE-në dhe me institucionet perëndimore.

«Emërimi i një të dërguari të posaçëm për Ballkan tregon qartë se SHBA-të do të kyçen edhe më fuqishëm në këtë çështje», tha Daniel Vajdich, një ekspert i politikës së jashtme, i cili është marrë me tema europiane si punëtor në Këshillin e Senatit për Punë të Jashtme dhe i angazhuar në fushatat presidenciale të republikanëve. «Sipas mendimit tim kjo i rrit gjasat që të gjejmë një zgjidhje për këtë problem para përfundimit të mandatit të administratës së Trumpit». Emërimi i pritshëm i Palmerit vjen pas takimit të ministrit të jashtëm amerikan Mike Pompeo me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në New York.
Foreign Policy shkruan se këshilltari për siguri nacionale i Trumpit, John Bolton, përkrahë shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, por disa vende europiane si Gjermania thonë se një opsion i tillë mund të çojë në ridefinimin e kufijve në Ballkan.