Ambasada e SHBA-së dënon dhunën në Kuvendin e Kosovës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, dënon dhunën e sotme në Kuvendin e Kosovës.




«Sjellja e tmerrshme e deputetëve të caktuar të opozitës, e cila e bëri të nevojshme dhënien e ndihmës mjekësore për deputetë të tjerë, si dhe për vëzhguesit ndërkombëtarë, duke përfshirë stafin nga Ambasada e ShBA-ve, bën objekt talljeje njërin prej institucioneve më të rëndësishme demokratike të Kosovës», thuhet në komunikatën e ambasadës së ShBA-ve në Kosovë, transmeton Koha.net.

Dhuna e sotme, thuhet në komunikatë, së bashku me atë të tri javëve të kaluara, ka penguar Kuvendin që të përmbushë mandatin e vet për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës. Kjo nuk është demokraci.

«Kjo është pengesë e procesit demokratik. Siç e kemi bërë dhe në të kaluarën, ShBA u bën thirrje opozitës që të heqë dorë nga përdorimi i dhunës si një taktikë politike dhe në mënyrë konstruktive të angazhohen në punën e rëndësishme të Kuvendit për të avancuar interesat e popullit të Kosovës», thuhet në komunikatën për media.