Albin Kurti në «Frankfurter Allgemeine Zeitung»: «E respektoj dhe e dua shtetin e Kosovës»

Gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» ka folur me shefin e Vetëvendosjes mbi planet e tij në rast se bëhet kryeministër i Kosovës. Ai ka paralajmëruar qeverisje me duar të pastra dhe ka lavdëruar ambasadorin amerikan në Prishtinë për angazhimin e tij kundër korrupsionit. Për Hashim Thaçin, të cilin e quan të korruptuar, Kurti ka një porosi: «Më së miri të tërhiqet nga posti i presidentit dhe nga politika».

«Ne sot jemi të pranuar prej 115 shteteve si komb i pavarur. Ky është një sukses i konsiderueshëm. Por sa i përket kohezionit të brendshëm, këtu qëndrojmë larg pritjeve»: Albin Kurti.



Në një intervistë të gjatë me gazetën konservatore gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» Albin Kurti ka thënë se në shumë kryeqytete nuk kanë përshtypje të mirë për Kosovën, andaj «është në interesin tonë të luftojmë korrupsionin». Kurti e lavdëroi ambasadorin amerikan Philip Kosnett, për të cilin tha se po angazhohet fuqishëm kundër korrupsionit dhe nepotizmit dhe për sundim të ligjit. Këto, sipas Kurtit, janë edhe prioritete të Vetëvendosjes. Kohëve të fundit, shtoi Kurti, politikanët që qeverisën Kosovën ishin të gatshëm t’i shkatërrojnë edhe raportet me Amerikën vetëm e vetëm për të shpëtuar politikën e tyre të korruptuar. «Kur është fjala për paratë dhe pasurinë e tyre, atëherë ata bëhen të padëgjueshëm edhe ndaj Shteteve të Bashkuara. Çfarë befasie…».

Sipas Kurtit prokuroria, policia, në përgjithësi krejt aparati i drejtësisë dhe shërbimet sekrete në Kosovë si dhe disa biznesmenë janë të involvuar në kapjen e shtetit. «Unë kam vullnet ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet e larta dhe kam vullnet t’u jap fund monopoleve të oligarkëve në Kosovë. Për të pasur sukses na duhet përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare».

Kurti deklaroi se nëse bëhet kryeministër bashkëpunimi i tij me presidentin Hashim Thaçi nuk do të jetë i lehtë. Më së miri, sipas liderit të VV-së, do të ishte nëse Thaçi «tërhiqet nga posti i presidentit dhe nga politika». Kurti e akuzoi Thaçin se me idenë për ndryshimin e kufijve e ka shkatërruar imazhin e shtetit. «Pas çlirimit nga pushtimi serb në vitin 1999 dhe pas shpalljes së pavarësisë më 2008, tani na duhet një kthesë e tretë, gjatë së cilës duhet të largohen nga jeta publike e këtij vendi politikanët e korruptuar si Thaçi».

Kurti theksoi nevojën që Kosova ta reformojë sistemin arsimor. «I kemi 6 mijë avokatë, por gjysma nuk kanë punë. Papunësia kalon mbi 50 për qind». Sa i përket qëndrimit të tij ndaj simboleve të Kosovës, Kurti tha shkurt se kjo nuk është fare prioritet i qeverisë së tij, «njëherë duhet ta shpëtojmë shtetin e kapur». Ai tha se te flamuri i Kosovës sheh një gjë pozitive: që në hartën e tij është edhe veriu, të cilin presidenti deshi ta shkëpus nga vendi. «E respektoj dhe e dua shtetin e Kosovës, por gjuha jonë, kultura dhe historia janë shqiptare, kjo domethënë që ne jemi një komb me dy shtete», deklaroi Kurti, i cili u distancua nga e kaluara e tij kur tha se hedhja e gazit lotsjellës ka qenë një veprim në një situatë urgjence dhe nuk do të përsëritet më. Duam sundim të ligjit, shtoi ai.

Në pyetjen nëse është korrekte që VV të përshkruhet si parti e majtë nacionaliste, Kurti tha: «Ne jemi parti socialdemokrate. Nëse te ne gjenden gjurmë të patriotizmit, atëherë ky është më shumë patriotizëm antikolonial. Nuk ka të bëjë asgjë me nacionalizmin siç e shohim shpesh në BE. Qëllimi ynë është barazia».