Albin Kurti e Albulena Haxhiu hetohen për dy vepra penale

Prokuroria e Shtetit ka konfirmuar se ka nisur hetim ndaj deputetëve Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu të Kuvendit të Kosovës, për dy vepra penale, transmeton KTV.




Rasti ka të bëjë me hedhjen e gazit lotsjellës në seancën e Kuvendit javën e kaluar. Sipas Prokurorisë, ata kanë qenë të detyruar të përdorin opsionin e fundit, atë të sjelljes me forcë në stacion të Policisë për deputetin Kurti, pasi ai të premten e kaluar kishte refuzuar kërkesën me shkrim që Policia ia la në shtëpi. Përfaqësuesit e Prokurorisë kanë thënë se asnjë presion nuk ka bërë që prokurori i rastit të vendosë për lirim të Kurtit.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë ka prezantuar dy thirrjet, që të dyja të refuzuara nga familjet e Kurtit dhe Albulena Haxhiut, që Policia ua kishte dërguar deputetëve që të paraqiten për intervistim. Maxhuni e ka quajtur dhunë ekstreme atë të përdorur nga protestuesit të hënën në mbrëmje.

Ka deklaruar se është ironike që të provohet njollosja e institucionit të Policisë së Kosovës, që ka thënë se vetëm ka zbatuar një urdhër të Prokurorit të Shtetit. Megjithëkëtë, Maxhuni nuk ka qenë në gjendje të thotë nëse Policia ka pasur një urdhër arrest të shkruar, duke mos mohuar mundësinë që ai urdhër të jetë vetëm verbal nga ana e Prokurorisë.