Albert Einsteini, Mileva Marić dhe fundi i një miti

Jo vetëm propagandistët serbë kanë shkruar se teorinë e relativitetit e ka zhvilluar Mileva Marić, gruaja e Albert Einsteinit. Në një biografi të re të Mileva Marić-it dy autorë amerikanë i japin fund kësaj përralle.

Mileva Marić dhe Albert Einsteini.



Në Serbi nuk janë të paktë ata që besojnë se teorinë e relativitetit e ka zhvilluar Mileva Marić, gruaja e parë e Albert Einsteinit. Ka edhe autorë jashtë Serbisë që kanë shkruar se nën hijen e viganit shkencor Albert Einstein ka mbetur e pavlerësuar vepra e Mileva Marić-it, e cila, sipas kësaj pikëpamjeje, dha kontributin vendimtar për të bërë njërin prej zbulimeve më të rëndësishme shkencore.

Në një biografi të re të Mileva Marić-it dy autorë amerikanë i japin fund kësaj përralle. Në librin «Einstein’s Wife – The real story of Mileva Einstein-Marić» (botoi: MIT Press) autorët Allen Esterson dhe David Cassidy theksojnë se pretendimi se Marić e ka zhvilluar teorinë e relativitetit është mit. Një mit i arsyetuar keq.

Mileva Marić u lind më 19 dhjetor 1875 në Titel të Vojvodinës, atëbotë pjesë e Hungarisë. Rruga e saj nga Vojvodina në Zürich, ku bashkë me Einsteinin studioi fizikë, është plot kthesa e vështirësi. Meqë gjimnazet në Hungari në atë kohë s’pranonin vajza, Mileva Marić u regjistrua në një gjimnaz në Serbi, pastaj familja e saj u shpërngul në Zagreb dhe nga atje gjimnazistja e talentuar u regjistrua më 1896 në Shkollën Politeknike të Zürichut (ETH, siç quhet tani). Kritikët e Einsteinit kanë shkruar se ai nuk ishte aq i aftë dhe si shembull kanë përmendur se kishte rënë në provimin pranues në Shkollën Politeknike të Zürichut, por me gjasë ky aksident Einsteinit i kishte ndodhur për shkak se nuk e njihte mirë frëngjishten, ndërsa në lëndët e matematikës dhe fizikës ai kishte nota shumë të mira. Kjo nuk mund të thuhet për Mileva Marić-in, e cila mezi arriti të kalojë testin.

Në vitin 1962 gazetari australian Peter Michelmore botoi një biografi të shkurtër: «Einstein: Profile of the Man». Aty Michelmore shkruante se gjatë studimeve Mileva Marić i kishte ndihmuar Albert Einsteinit në zgjidhjen e detyrave të matematikës. Por për këtë pretendim gazetari australian nuk kishte asnjë burim. Në vijim edhe autorë të tjerë e cituan Peter Michelmore-in dhe kështu u krijua përshtypja se Einsteini ishte stolisur me dijen e gruas së tij. Kjo nuk është e vërtetë, theksojnë autorët Allen Esterson dhe David Cassidy.

Në libër përshkruhet në detaje lidhja e Einsteinit me Mileva Marić-in. «Shtriga ime», «zezakja ime», «të dielën do të të puth në gojë» – këto janë disa nga fjalët që Einstein ia shkruan gruas së tij, me të cilën pati një vajzë dhe dy djem. Ata u shkurorëzuan në vitin 1914. Einstein u martua me kushërirën e tij Elsa. (dialogplus.ch)