Alarm në ahurin e politikës primitive kosovare

Sot pamë shfaqjen e radhës të institucioneve të Kosovës. Shfaqja ia kaloi çdo përfytyrimi neveritës. Çfarë u dëgjua kishte cilësi të kafehanes së pistë ballkanike. Ligjet që u shkelën, njerëzit që u rrëmbyen, një shërbim i huaj sekret që në Kosovë veproi si në bahçe të babës – këto janë të parëndësishme në shtetin e Kosovës.




Janë disa çaste kur edhe gjatë punës si gazetar të vjen – me vjellë. Jo të vjellësh, por me vjellë, me paskajore. Janë disa çaste në jetën publike kur politikanët si në ditën e sotme, për shembull, presidenti i Kosovës dhe shërbëtorët e tij gojëndyrë, tejkalojnë krejt pritjet. Strategjia ishte e qartë që nga fillimi. Sabotimi i punës së një komisioni parlamentar, i cili po heton rrethanat e rrëmbimit dhe ekstradimit në Turqi të gjashtë shtetasve turq.

Andaj për të fshehur gjurmët, presidenti i Kosovës foli siç flet një pronar i një kafehaneje të pistë ballkanike. U përpoq ta njollosë një ekspert amerikan, duke aluduar se ai dhe deputeti Sami Kurteshi kanë raporte «intime». S’ka problem: në paradën e ardhshme (Pride Parade) në Prishtinë Hashim Thaçin aty e keni. Se ai paradite është përkrahës i të drejtave të pakicave seksuale, pasdite përpiqet t’i diskualifikojë njerëzit me «pyka homoseksuale».

Kjo nuk ishte poshtërsia e vetme në këtë ditë të paharrueshme – të paharrueshme për fëlliqësitë gjuhësore me të cilat u terrorizua opinioni e u stërpik higjiena publike. Në këso situatash doemos përmendet lufta. Ti ke vjedhur, ti ke vrarë, ti ke qenë mercenar, ti ke qenë kriminel. Kështu shkon kjo punë. Nuk është çudi që UÇK është trupa e vetme luftarake në Ballkan që në mesin e saj ka pasur persona që dyshohet se kanë vrarë bashkëkombës. Dhe për këtë janë akuzuar. Dhe pritet të akuzohen të tjerë. Rrjedhimisht, çfarë pamë sot ishte vazhdimësi e mentalitetit të instaluar nga mesi i viteve ’90. Ky mentalitet para-institucional i ka sjellë në parlament edhe disa njerëz me siglën e të ashtuquajturës Parti Demokratike e Kosovës (PDK), të cilët kultivojnë vokabularin sheshelian të përzier me retorikë cubash.

Në këtë ambient të pistë presidenti merr në pyetje parlamentin. Tallet me deputetët (jo pak prej tyre të papërgatitur). Tallet me opinionin. Godet dinjitetin e deputetëve. Ndot higjienën publike. Prodhon mjegull. Devijon debatin. Ofendon. E lakon të vërtetën sipas interesave të tij. Zgërdhihet. Kështu – hingëllimë pas hingëllime – vazhdon spektakli. Një orgji nacionale e transmetuar drejtpërdrejtë në televizione, portale, media sociale. A nxirret ndonjë mësim nga ky tmerr? Me gjasë jo.

Ky person nuk është bërë i tillë pa oportunizmin, pa hipokrizinë, pa veset e ulëta të një pjese të konsiderueshme të shoqërisë kosovare. Ky person nuk është bërë i tillë para se shoqëria kosovare të bëjë kompromise me gjërat më të shenjta: të vërtetën, shërbimin publik, dinjitetin e postit. Ky person nuk është bërë i tillë pa i pasur shërbëtorë edhe ata që e quajnë veten «gazetarë» – një turmë cinikësh të etur për të lëpirë një asht pushteti dhe gënjyer 24 orë.

Sot pamë shfaqjen e radhës të institucioneve të Kosovës. Shfaqja ia kaloi çdo përfytyrimi neveritës. Çfarë u dëgjua kishte cilësi të kafehanes së pistë ballkanike. Ligjet që u shkelën, njerëzit që u rrëmbyen, një shërbim i huaj sekret që në Kosovë veproi si në bahçe të babës – këto janë të parëndësishme në shtetin e Kosovës.

Nëse është kërkuar edhe një dëshmi se përse Kosova mbahet e izoluar – ja ku e pamë sot. Presidenti dhe partia e tij janë mbi ligjin. Dhe ka plot të tjerë që duan të jenë si ata. Andaj kanë lidhur koalicion me PDK-në. Andaj ia kanë dhënë votën një personi pafundësisht të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm për t’u bërë president. Këtu prin partia me moral të kalbur që njihet si parti e Ibrahim Rugovës dhe është shndërruar në parti të tyxharëve politikë.

Nëse është kërkuar dëshmia e fundit për një revolucion paqësor në Kosovë – sot kjo dëshmi u transmetua nga mediat. Mbetet vetëm të gjendet populli që nuk lejon të poshtërohet edhe më tutje. Ku të gjendet ai popull?