AKR kërkon debat publik për «Trepçën»

Aleanca Kosova e Re ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me mënyrën se si po trajtohet Trepça.




AKR-ja, përmes një komunikate për media, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të japë llogari para qytetarëve të vendit se pse ende edhe pas një viti e gjysmë nuk ka ligj për Trepçën.

«Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë ta dinë se çka është duke u bërë me gjigantin më të madh ekonomik të Kosovës, Trepçën», thuhet në komunikatën e AKR-së.

Duke qenë të vetëdijshëm për mungesën e kapaciteteve dhe njohurive të kësaj qeverie për një zgjidhje të qëndrueshme për Trepçën, AKR-ja kërkon që lidhur me problemin e kësaj ndërmarrje dhe modalitetet e zgjidhjes përfundimtare të statusit të saj të organizohet një debat publik ku do të merrnin pjesë përfaqësues të të gjitha subjekteve politike, shoqëria civile, minatorët dhe grupet tjera të interesit.