Akademia e Shkencave në udhëkryq: Për një Akademi përfaqësuese dhe dinjitoze në shekullin e 21-të

Është tragjike që pas gati 30 vjetësh hapje dhe lirie, brezash të shkolluar në Perëndim, dhe kapaciteteve intelektuale të konsiderueshme, një institucion elitar si Akademia e Shkencave prej datës 24 maj 2019 do të drejtohet prej një personi, pra nga Skender Gjinushi, kontributet e të cilit për shkencën shqiptare në këto tre dekadat e fundit janë krejtësisht minimale. Një turp tjetër është mungesa totale e balancës gjinore. Ka plot gra shqiptare me rezultate akademike më të larta se gjysma e akademisë ekzistuese të marrë së bashku me kryetarin e ri të saj.

Gentian Zyberi.



Një apel nga Gentian Zyberi, profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut dhe drejtor i Qendrës Norvegjeze për të Drejtat e Njeriut, Universiteti i Oslos, Norvegji.

Nuk kam diçka personale me Skender Gjinushin, edhe pse i përkas një brezi që u detyrua të largohet prej vendit edhe për arsye të politikave të gabueshme të formuluara dhe të ndjekura prej klasës politike që ka udhëhequr vendin tonë në tre dekadat e pas vitit 1990, të cilës Gjinushi i përket si ish-kryetar partie deri para disa ditësh e deputet në parlament deri në vitin 2009. Gjithsesi, ky shkrim nuk mëton të trajtojë karrierën apo filozofinë politike të Gjinushit, por lidhet me procesin e zgjedhjes së tij si kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Fillimisht, duhet të them se është tragjike që pas gati 30 vjetësh hapje dhe lirie, brezash të shkolluar në Perëndim, dhe kapaciteteve intelektuale të konsiderueshme, një institucion elitar si Akademia e Shkencave prej datës 24 maj 2019 do të drejtohet prej një personi kontributet e të cilit për shkencën shqiptare në këto tre dekadat e fundit janë krejtësisht minimale. Po të përdorim gjuhën e matematikës, sfondit profesional të kryetarit të ri të Akademisë, këto kontribute tentojnë drejt zeros. Këto rezultate minimale reflektohen në Google Scholar, një prej vendeve kryesore ku këto kontribute maten dhe reflektohen për të gjithë shkencëtarët, por edhe në biografinë e Gjinushit në faqen e internetit të Akademisë, për aq sa kjo lejon vlerësim.

Përveç mungesës së konkurrencës në këtë zgjedhje me një kandidat të vetëm për secilin prej posteve drejtuese, një fakt tjetër shumë problematik është edhe mungesa totale e balancës gjinore në kandidaturat e paraqitura për strukturat drejtuese të Akademisë. Problemi është struktural dhe përfaqësues sepse prej 28 anëtarëve të rregullt të Akademisë, vetëm 3 janë gra, gjegjësisht Aurela Anastasi, Floresha Dado, dhe Efigjeni Kongjika. Ky është një tjetër turp për shkencën shqiptare në shekullin e 21-të, kur ka plot gra shqiptare me rezultate akademike më të larta se gjysma e akademisë ekzistuese të marrë së bashku me kryetarin e ri të saj.

Problemet me Akademinë e Shkencave nuk janë të reja dhe janë trajtuar gjerësisht edhe më përpara, por kryesisht në trajtën e përplasjeve politike në distancë. Në një Takim Vjetor të studiuesve shqiptarë që Instituti Alb-Shkenca organizoi para disa vitesh ftuam kryeministrin Edi Rama. Në fjalën e rastit që dha, në vend që të lexonte fjalën e përgatitur, ai zgjodhi të lëshohej në një tiradë pa fund e fillim, ku kryeministri akuzoi Akademinë, ndër të tjera, për faktin që nuk regjistronte të rinjtë që përfundojnë studimet post-diplomike në perëndim për master dhe doktoratë? A thua se funksioni i Akademisë ishte të krijonte e mbante regjistrin që në fakt do të duhej ta mbante ministria nën varësinë e tij. Akademia në fakt mund të kritikohet me vend për faktin që nuk ka krijuar ndonjë mundësi angazhimi konkret me studiuesit e rinj shqiptarë nëpër botë apo në rajon.

Në të njëjtin takim, kryeministri Rama, që ka qejf të matet me hijen e mëngjesit, përmendte shembuj suksesi nga disa vende kontributi i të cilëve për kërkimin shkencor dhe zhvillimin është nga 2-4.5 për qind të PBB-së, dhe harronte të shtonte se buxheti i Shqipërisë për kërkimin shkencor dhe zhvillimin është në shifra minimale, krahasuar edhe me rajonin tonë. Për vitin 2018 ai zë buxhetor, sipas Bankës Botërore, është në kufinjtë e 0.15 për qind të PBB-së.

Që dje besoj që kryeministri Rama do të ketë një shqetësim më pak me Akademinë, sepse ajo drejtohet nga një aleat politik (apo ish-aleat) në zgjedhjet lokale që po afrohen! Ndërkohë, për ata që me të vërtetë shqetësohen për Akademinë dhe zhvillimin e vendit, ndryshimi i kryesisë dhe anëtarësisë në bazë të meritokracisë dhe balancës gjinore dhe angazhimit të studiuesve të rinj duhet të jenë prioritet prej datës 27 maj 2019. Sa i përket kontributit të pritshëm të Akademisë apo universiteteve tona në kërkimin shkencor, ai do të mbetet në nivel të ulët, përsa kohë investimi është në nivele minimale, dhe politikat zhvillimore të kërkimit shkencor dhe menaxhimi i buxhetit mbeten pre e kalkulimeve politike dhe fushatave zgjedhore.

Për kolegët e Akademisë sonë që njihen dhe vlerësohen gjerësisht për kontributet e tyre shkencore kam një sugjerim, ose ndryshojeni rrënjësisht Akademinë, ose jepni dorëheqjen. Do të jetë fatkeqësi nëse figura të nderuara si ju do të lejoni të vazhdoni të përdoreni si gjethe fiku për të zbukuruar vitrinën e pluhurosur të Akademisë!