«Air Albania» ose «Hallall Airlines» me pilotë e pasagjerë të bërë synet, të cilët hanë bakllava dhe mallkojnë domuzin

Duket se «Turkish Airlines» synon që përmes ilmihallëve mbi ushqimin të tregojë se Shqipëria është vetëm një krahinë e Anadollit. «Revolucioni kulturor» i Erdoanit po shtrihet aty ku nuk ka rezistencë. Raki Skrapari në avionin e «Air Albania», i cili bart emrin e ortodoksit Lasgush Poradeci? E paimagjinueshme! Vetëm nëse e kontrabandon bektashiu Ilir Meta me ndihmën e katolikut Edi Rama.




Çdo kompani serioze ajrore respekton rregullat e ushqimit të pasagjerëve. Nëse fluturoni me kompaninë zvicerane «Swiss» nga New Yorku në Zürich dhe nëse në avion ka pasagjerë hebraikë besimtarë, do të vëreni se ata marrin ushqim sipas rregullave hebraike të ushqimit. Si myslimanët edhe hebrenjtë e konsiderojnë derrin si kafshë të papastër. Është e lejueshme të hahet vetëm mishi i kafshëve gjitare ripërtypëse. Derri nuk është kafshë që ripërtyp ushqimin. Para fluturimit pasagjeri mund të porosisë ushqimin në përputhje me bindjet e tij fetare ose ushqim vegjetarian, nëse beson në mrekullitë e gjetheve, kungullit dhe lakrave.

Kompania ajrore «Air Albania», e themeluar nga «Turkish Airlines», duket se ka vendosur që përmes një flete t’ia bëjë me dije paraprakisht çdo pasagjeri se ushqimet që shpërndahen në bord janë të përgatitura sipas «parimeve islame». Kjo është e pazakonshme dhe e panevojshme – madje edhe në qoftë parodi. Së pari: për shkak se «Air Albania» fluturon në një vend ku rreth një e treta e popullsisë nuk është myslimane. Së dyti: nuk duhet harruar edhe numri i ateistëve (edhe ata janë njerëz!). Së treti: fluturimi për në Tiranë nuk është fluturim për në Riad. Së katërti: përjashtimi i gjuhës shqipe si gjuhë e komunikimit nga «Air Albania» është fyes ndaj shqiptarëve. Së pesti: ka mënyra shumë më diskrete për të treguar se një ushqim nuk ka mish derri – për shembull siç bën kompania zvicerane «Edelweiss», e cila në ambalazhin e ushqimit e bën transparente se një prodhim nuk ka mish derri.

Por duket se «Turkish Airlines» synon që përmes ilmihallëve mbi ushqimin të tregojë se Shqipëria është vetëm një krahinë e Anadollit. Çfarë udhëzimesh priten në të ardhmen në avionët e «Air Albania»? Mund të fluturojnë vetëm pasagjerët e bërë synet? Mund të fluturojnë vetëm motrat myslimane të mbuluara me shami dhe pasi në pistën e aeroportit në Rinas një zyrtar për çështje religjioze i Rexhep Taip Erdoanit të verifikojë nëse gratë i kanë lidhur shamitë sipas rregullave të «Diyanet İşleri Başkanlığı» (presidencës turke për çështje fetare)? Edhe më mirë do të ishte që avionët e «Air Albania» ose «Hallall Airlines» të drejtohen nga pilotët e bërë synet.

Kanë mundur përgjegjësit e «Turkish Airlines» t’u tregojnë shqiptarëve se në fluturimet e «Air Albania» menyja do të përbëhet na jahnia, sytliaçi dhe sidomos nga Yaprak Dolmasi, Arnavut Cigeri, Patlican Ezmesi, Kabak ve Patlican Kizartmasi, Seytinyagli Fasulya, Tarhana Corbasi, Patlicanli Cöp Kebabi, Bulgur Pilavi, Tel Kadayif, Peynir Helvasi, Tavuk Gögsü.

Në përpjekje për të imponuar agjendat e tij për islamizimin e çdo pjese të shoqërisë, regjimi i Rexhep Taip Erdoanit nuk njeh kufi. Së paku gjysma e turqve e hedhin poshtë këtë politikë. Ndonëse Erdoan ka lejuar bartjen e shamisë kudo në institucione, megjithatë fushata e tij nuk ka arritur suksesin e dëshiruar. Sipas institutit të njohur Konda para 10 vitesh çdo e dyta turke mes moshës 15 dhe 29-vjeçare nuk ka bartur shami. Sot janë gati 60 për qind që nuk bartin shami. Për të mos humbur votat e grave partia e Erdoanit madje tregon njëfarë mirëkuptimi për gratë që nuk bartin shami. E ngarkuara për çështje të grave në Diyanet, Ajshe Suçu, deklaroi së fundi se mbulimi i grave nuk është pjesë e pesë shtyllave të islamit. Por Erdoan i ka shpallur luftë rakisë, Yeni Rakisë së famshme dhe të gjitha pijeve të tjera të dala nga xhehenemi. Kur Erdoan erdhi në pushtet një shishe raki kushtonte rreth 1 euro, ndërsa sot kushton rreth 23 euro. Raki Skrapari në avionin e «Air Albania», i cili bart emrin e ortodoksit Lasgush Poradecit? E paimagjinueshme! Vetëm nëse e kontrabandon bektashiu Ilir Meta me ndihmën e katolikut Edi Rama.