«Adriatiku» i Prizrenit në pritje të kthimit të namit

Shushuritja e fletëve të bungut nga era e shoqëruar me riga të shiut e prish qetësinë absolute që mbretëron gjatë këtyre ditëve në fshatin Nashec të Prizrenit, që dikur ka qenë një fshat turistik atraktiv. Vikend- shtëpizat e vendosura brenda pyllit me drunj bungu përshtaten me ambientin idilik përrallor.




Mirëpo tani shumica prej tyre janë të boshatisura. Edhe faktori kohë e ka bërë të veten, pasi duken të vjetra dhe nuk ka ndonjë mirëmbajtje të theksuar për to, shkruan sot «Koha Ditore».

Pavarësisht kësaj, entuziastët e peshkimit dhe të natyrës nuk heqin dorë. Së paku në ditët e fundjavës e vizitojnë këtë lokalitet në bregun e Drinit të Bardhë. Bukuria e dhuruar nga natyra është mbresëlënëse. Gryka e Drinit ofron magjepsje gjatë lundrimit.

Blerim Bislimi, afër të dyzetave, rrëfen se si dekada më parë stina e verës ka qenë shumë vibrante në Nashec.

«Ka pasë gjallëri të madhe. Shumë të rinj, me familjarët e tyre, e kanë kaluar pothuajse tërë verën në këtë fshat», ka thënë ai.

Bislimi kujton se si në vikend-shtëpizën e hallës së tij kanë qëndruar pothuajse të gjithë fëmijët e familjes së gjerë, nën përkujdesjen e gjyshërve. Sipas tij, pos notit në ujërat e Drinit, koha është kaluar edhe me lojërat në terrenet sportive, por edhe në natyrë, qoftë duke peshkuar, qoftë duke mbledhur manaferra e kaça.

«Fëmijët, të rinjtë, prindërit, por edhe të moshuarit i kanë pasë shoqëritë e tyre, dhe secila grupmoshë ka gjetur mënyrën për rekreacion dhe pushim në Nashec», ka deklaruar ai.