Ademi del pozitiv në testet për doping

Mesfushori shqiptar i Dinamo Zagrebit, Arijan Ademi, ka dalë pozitiv në testet për doping pas takimit me Arsenalin në Ligën e Kampionëve.




24-vjeçari i lindur në Maqedoni luajti për 90 minuta në fitoren 2 me 1 më 16 shtator dhe tani pret një dënim të gjatë sapo që të dalin rezultatet e mostrës B.

«Jemi informuar për rezultatet e testit të dopingut pas takimit në Ligën e Kampionëve ndaj Arsenalit. Lojtari ynë, Arijan Ademi, ka dalë pozitiv dhe UEFA ka hapur procedurat kundër tij. Sipas rregullave të UEFA-s, Dinamo nuk mund të komentojë rastin pa dalë rezultatet e mostrës B», thuhet në njoftimin e klubit kroat.

«Qe disa vjet, lojtarët tanë kanë qenë vazhdimisht subjekt i kontrolleve për doping dhe asnjëherë nuk ka ndodhur diçka si kjo, andaj duhet të themi se jemi të befasuar me rezultatet. Arijan Ademi ishte testuar gjashtë herë vitin e kaluar dhe gjithmonë kishte rezultate negative. Lojtarët po ashtu janë testuar disa herë këtë sezon nga UEFA dhe Agjencia Anti-Doping e Kroacisë dhe të gjitha testet dolën negative», thuhet më tej aty, transmeton koha.net.