Adem Demaçi – metaforë e lirisë

Me rastin e 80 vjetorit të lindjes dhe shpalljes së tij Doktor Honoris Causa nga Universiteti i Tetovës




Madhësia e një populli nuk matet me numrin e banorëve të tij, ajo matet me numrin e njerëzve të  mëdhej që ai popull ka nxjerrë nga gjiri i vet, thotë një shprehje e Fransis Bekonit. Kjo i qëndron aq mirë popullit shqiptar, i cili nga gjiri i tij ka nxjerrë vlera universale sikurse që janë: Gjergj Kastrioti, Nëna Terezë, Ferid Murati, Ismail Kadare, Adem Demaçi dhe të tjerë që me siguri do të vijnë. E përse jo edhe Majlinda Kelmendi, e cila më është shndërruar në një vlerë kombëtare.

Baca Adem Demaçi është një figurë kombëtare e përmasave epike, e cila është bërë edhe pjesë e hitorisë së njerëzimit. Ai është një hallkë e fuqishme në zinxhirin e gjatë të idesë së bashkimit kombëtar dhe emërues i përbashkët i të gjithë luftarëve të lirisë, është vazhdues i luftës së Shaban Polluzhës me shokë, të cilët me armë në dorë iu këndërvunë regjimit të sapo rinstaluar jugosllav në trojet shqiptare nën Jugosllavi. Rrugën për veprimtari kombëtare atij ia ndriçuan nacional-demokratët shqiptarë të udhëhequr nga Gjon Sereçi. Në këtë vijë ishin edhe organizata OMLK e udhëhequr nga Kadri Zeka dhe Hydajet Hyseni, baca Mehmetriza, ose Baca-Gegë, «Kushtrimi i Lirisë» i udhëhequr nga Rafi Halili, dëshmorët e Kombit, Rexhep Mala, Zijah Shemsiu, Afrim Lloxha, Mujdin Aliu, Fadil Nimani deri te Jasharajt, dhe disa qinda të tjerë që ecën në rrugën e lirisë, të shtruar nga të tjerë përpara atyre.

Thjesht e shqip, baca Adem Damaçi është një institucion, është një arkiv përplot me histori që frymon dhe flet. Për fatin tonë ai është pranë nesh dhe sot nderohet me titullin Honoris Causa nga ana e Universiteti i Tetovës. Ai është pishtar i romanit modern në letërsinë shqiptare të krijuar në Kosovë. Ai mbetet vizionar, realist dhe praktik. Them realist dhe praktik, pasi gjithnjë ofronte edhe një zgjidhje të bazuar në realitet; ai e shihte ardhmërinë duke i dhënë kahje asaj. Ai është simbol i paqës dhe i lirisë në një nënqiell të rrethuar me grabitqarë territoresh dhe jetësh. Për të qenë i tillë ai së pari e kishte gjetur paqën e vet të brendshme shpirtërore, që më vonë të merte pjesë në betejat e një lufte të armatosur, e cila do ta sillte paqën. Ai luftoi dhe është duke luftuar që atdheun t’ia këthejë mëmës së vetë Shqipëri, sikurse kishte thënë përpara trekëndëshit studentja shkodrane Marie Shllaku, të cilën e kishte dënuar me varje gjyqi ushtarak në Prizren më 1946.

Baca Adem ka qenë një yll polar dekada me radhë për shumë veprimtarë shqiptarë, sikurse që edhe ai ka pasur një yll polar të vetin. Ai ishte kryetari i parë i LRBSH-së – Lidhja Revolucionare e Bashkimit të Shqiptarëve, e cila ishte themeluar më 1964. Neni i parë i Programit të organizatës thoshte: Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë është sigurimi i së drejtës për vetvendosje deri në shkëputje për viset e banuara me shumicë shqiptare që ende gjenden nën administrimin e Jugosllavisë. Qëllimi i parë dhe i fundit është, çlirimi i krahinave shqiptare të aneksuara nga Jugosllavia dhe bashkimi i tyre me nënën e vet – Shqipërinë. Ai ishte përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës në vitet 1988-89.

Me veprimtarinë e vetë kolosale patriotike dhe intelektuale, dhe me 28 vjet burg nëpër kazamatet e Jugosllavisë, Adem Demaçi – Mandela i shqiptarëve bashkë me shokë, ishte një barrierë e pakalueshme për zhdukjen e shqiptarëve nga faqja e dheut, duke nisur nga projektet e Garashaninit, Çubriloçiviqit, Andriqit, Milosheviqit, deri tek ky i fundit – Vuçiqit me shokë.

Baca Adem Demaçi dhe  shokët e tij gjithnjë inspirim e kanë pasur dashurinë për njerëzimin dhe popullin e vet. Kjo dashuri e pashterrshme e bëri atë një ndër udhëheqësit shpirtëror të revoltës popullore të vitit 1968, 1981 dhe 1997. Për veprimtarinë e tij humane në të mirë të njerëzimit dhe të paqës, në vitin 1991 ai nderohet me Çmimin Saharov. Çdo hap i bacës Adem ka prodhuar një ngjarje dhe një lajm. Jeta e tij është një maratonë, por jo si ai i luftës së qytetit antik Marathon, ku mbaroi lufta ndërmjet persëve dhe helenëve, maratoni i bacës Adem akoma nuk ka mbaruar. Ai ishte pjesëmarrës aktiv në përgaditjen dhe luftën për çlirimin e Kosovës në fund të shekullit që e lamë pas. Edhe pse pjesëmarës në luftë, ai ngeli simbol i paqës pasi atë nuk e lëkundën as veprat më të egra të okupatorit serb, askush nuk e lëkundi qetësine e tij shpirtërore, natyrisht as edhe besimin në fitore. Sot ai është Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve së Kosovës. Dhomat e burgjeve dhe këmbëzën e pushkës, sot ai e ka zëvendësuar me veprimtarinë dhe krijimtarinë e vetë për ndërtimin e shtetit  më të ri të Europës dhe ruajtjen e ekuilibrit ndërmjet forcave politike në vendin e tij.

Bota e egër e fqinjësisë së afërt për asnjë moment nuk e lëkundi ëndërrimtarin dhe simbolin e luftës për paqë dhe liri, pasi ai gjithmonë shihte përtej së sotmes. Me urtësinë, me vizionin e tij realist dhe me veprimtarinë e vet krijuese, ai ia arriti që ta bindë botën që t’i këthejë sytë nga shqiptarët jashtë shtetit amë. Askush nga jashtë dhe nga brenda nuk ia arriti që bacës Adem t’ia çrregullojë paqën e brendshme, për arsye se ai gjithnjë ka lundruar në dallgët e ëndrrës së tij. Ëndërrimtarët nuk ka se kush i pengon, pasi njerëzit, të cilët gjatë gjithë jetës e ëmderrojnë një endërr, nuk ka se si të mos e realizojnë ate. Bota u takon ënderrimtarëve – atyre që e kanë një ëndërr.