AAK : Mbulimin i muraleve, shkelje e ligjit

Vendimi i kryeparlamentarit Kadri Veseli për mbulimin e muraleve në hollin e Kuvendit të Kosovës, është i gabuar dhe i papranueshëm, sepse me mbulimin e muraleve tenton të mbuloj vlerat e historisë dhe kulturës sonë, vlera këto që pasqyrojnë identitetin e popullit tonë, njofton kumtesa nga AAK.




Arsyetimi i kryeparlamantarit për këtë veprim kinse ka respektuar vendimin e paraardhësve të tij dhe 4 legjislatuarave të kaluara, është i pa qëndrueshëm, sepse muralet janë mbuluar në vitin 2004 në kohën kur Kosova është administruar nga UNMIKU. Dhe kryeparlamentari duhet ta ketë të qartë se vet organi të cilin ai e drejton në vitin 2006 ka miratuar Ligjin për Trashëgimi Kulturore Ligji Nr. 02/L-88, ku objekt i këtij ligji sipas nenit 1 pika 1.1 janë vlerat e trashëgimisë kulturore, të krijuara gjatë shekujve, gjithashtu mjetet legale dhe teknike për inventarizim, dokumentim, selektim, mbrojtje, konservim, restaurim, administrim, prezantim dhe përhapje të këtyre thesareve në pajtim me kartat dhe konventat ndërkombëtare, pavarësisht nga pronësia e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje. Vlera historike dhe kulturore e kësaj trashëgimie është thesar i tërë popullit të Kosovës, transmeton Koha.net.

Ndersa sipas nenit 1 pika 1.4. Qëllimi i këtij ligji është që të rregullojë legalisht fushën e trashëgimisë kulturore në lidhje me ruajtjen, mbrojtjen, qasjen publike, komunikimin dhe pajisjen e burimeve të domosdoshme me qëllim që trashëgimia të shijohet nga gjeneratat e tashme dhe të jetë e gatshme për gjeneratat e ardhshme si një dokument historik dhe kulturor.

Me këtë rast duhet të ja kujtojmë kryeparlamentarit se ndërtesa Lidhja e Prizrenit është Monument i Kulturës i mbrojtur me Ligj që nga viti 1968 me vendimin nr. 260/68, dhe është pjesë e Listës së monumenteve që gëzojnë mbrojtje të përkohshme që nga viti 2011, dhe në Listën e fundit të nënshkruar nga Ministri Shala të premten me 09 10 2015 ky monument është i radhitur me nr. 772 si ndertesë e shek XIX me nr. Unik në database 002909.

Aleanca për Ardhmerinë e Kosovës kërkon nga Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit që të reflektojë, konform ligjit për trashëgimi kulturore, dhe normave ndërkombëtare, dhe menjëherë të iniciojë procedurat për abrogimin e këtij vendimi.