9 qershor 1999, një ditë e mirë për Kosovën, liria duke ardhur

Fishkëllima e bombave po pushonte. Dhe në Kosovë po kthehej vaji triumfues i fëmijëve. Ata do të rriteshin në një Kosovë të lirë. Por me pak shanse, sepse ëndrrat ua dogjën ata që e mbajnë veten për çlirimtarë dhe në fakt moti njihen vetëm si plaçkitës të vendit. Si u futën në Kosovë, nisën të ndukin me thonj çdo gjë që gjenin, filluan të vrasin rivalë politikë, njëkohësisht shantazhuan me sukses bashkësinë ndërkombëtare: nëse s’na jepni pushtet, do bëhet kiameti. Dhe bashkësia ndërkombëtare u dorëzua. Njerëz pa votë nga populli morën në dorë fatet e vendit.

Helikopterë amerikanë.



Dhe në fund u dorëzua edhe Vrasësi i Madh. Ai që mbajti fjalim më 28 qershor 1989. Para vetes kishte qindra-mijëra serbë të dalldisur nga helmi nacionalist, kishte para vetes edhe udhëheqës të lartë të Jugosllavisë. Të gjithë e dëgjonin kur thoshte se gjendemi në beteja, ajo s’janë të armatosura, por as ato s’mund të përjashtohen. Një dekadë më vonë Vrasësi i Madh nënshkroi kapitullimin në një tendë në Kumanovë. Në serbishten zyrtare kapitullimi quhet: «Vojno-tehnički sporazum u Kumanovu», marrëveshja ushtarako-teknike.

Në ditën e 9 qershorit, mediat zvicerane shkruanin se po përgatitej një rezolutë e OKB-së për Kosovën. Nga Republika Federale e Jugosllavisë (në të vërtetë nga Serbia dhe Mali i Zi) kërkohej të ndërpritej dhuna mbi popullsinë shqiptare. Kërkohej tërheqja e forcave policore, ushtarake. Paralajmërohej një mision i OKB-së që do të administronte Kosovën. Shefi i parë ishte një diplomat brazilian, i cili vite më vonë do të vritej në Irak. UNHCR-ja, agjencia e OKB-së për refugjatë, tërhiqte vëmendjen se mund të ketë një kthim të pakontrolluar të refugjatëve në Kosovë. Dennis McNamara, i dërguar i veçantë i UNHCR për Ballkanin, thoshte se mbi gjysma e 800 mijë refugjatëve të vendosur në Shqipëri e Maqedoni me gjasë do të përpiqen të kthehen në Kosovë menjëherë pasi të përfundojnë luftimet. 50 për qind e shtëpive janë shkatërruar ose dëmtuar, tregonte McNamara, një diplomat nga Zelanda e Re.

Sulmet e NATO-s ishin reduktuar. Fishkëllima e bombave po pushonte. Dhe në Kosovë po kthehej vaji triumfues i fëmijëve. Ata do të rriteshin në një Kosovë të lirë. Por me pak shanse, sepse ëndrrat ua dogjën ata që e mbajnë veten për çlirimtarë dhe në fakt moti njihen vetëm si plaçkitës të vendit. Si u futën në Kosovë, nisën të ndukin me thonj çdo gjë që gjenin, filluan të vrasin rivalë politikë, njëkohësisht shantazhuan me sukses bashkësinë ndërkombëtare: nëse s’na jepni pushtet, do bëhet kiameti. Dhe bashkësia ndërkombëtare u dorëzua. Njerëz pa votë nga populli morën në dorë fatet e vendit.

Më 9 qershor Rusia shprehte synimin të dërgojë 10 mijë ushtarë në Kosovë. Ata ushtarë nuk do të ishin nën komandën e NATO-s, thoshte Igor Sergejevi, ministër i Mbrojtjes i Rusisë. Në fund Rusia nuk arriti të ketë as një sektor të vetin në Kosovë – dhe ky ishte një sukses i madh diplomatik i Perëndimit dhe sidomos i dy diplomatëve: Martti Ahtisaarit (finlandez) dhe Strobe Talbott (amerikan). OSBE fliste për një mision të ri, i cili do të merrej me demokratizimin e Kosovës.

Norvegjezi Tore Bögh ishte emëruar shef i grupit të posaçëm të OSBE-së për Kosovën. Më 1999 ai ishte 75-vjeçar. Vdiq në vitin 2017. Në vitet ’80 ai kishte qenë ambasador norvegjez në Jugosllavi. Pentagoni njoftonte se serbët po përgatiteshin për tërheqje nga Kosova. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Joschka Fischer thoshte: «Një ditë e mirë për Kosovën». Be planifikonte një konferencë donatorësh, OKB kërkonte 250 milionë dollarë për t’iu ndihmuar refugjatëve. Gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» e datës 9 qershor 1999 njoftonte se një ditë më parë qeveria greke kishte bllokuar NATO-n në portin e Selanikut. 1900 marinsa pritej të zbarkonin aty, përfshirë edhe një bartës helikopterësh. Qeveria greke u arsyetua se policia ishte e zënë në sigurimin e fushatës elektorale, andaj nuk mund ta shoqëronte konvojin në drejtim të Maqedonisë. Mediat greke e pyetën një marins amerikan nëse kishte frikë. «Nuk kam frikë, jemi mirë të përgatitur», tha ai. Korrespondentja e AP-së Laura King shkruante për «malet plot me kufoma».

Kështu nisi të vijë liria në Kosovë.