8 vjet papërgjegjësi

Dy fjalë për gruan, lumin dhe metaforën e shtetësisë.



Këtë javë Kosova shënon tetëvjetorin e pavarësisë. Për dallim prej viteve të kaluara, këtë herë festohet dhe protestohet në të njejtën kohë, të dyja manifestime legjitime të festës. Megjithatë, ka diçka thellësisht të mbrapshtë në mënyrën se si është festuar shtetësia si e tillë gjatë këtyre viteve. Më 17 shkurt shqiptarët e Kosovës eklipsohen me dashurinë dhe krenarinë e shtetit të pavarur. Por dashuria dhe krenaria e ditës së festimit të një dite të shënuar apo më mirë të themi rrahja e gjoksit me lavdi heroike dhe turbo-nacionalizëm vazhdojnë të jenë të ndara me thikë me atë se si shtetësia dhe të qenurit të pavarur materializohet në pjesën tjetër të vitit.

Në 364 ditë të tjera Kosova është e braktisur nga respekti njerëzor dhe përgjegjsia qytetare. Ajo ekziston vetëm si subjekt ku secili me më shumë ose më pak pushtet zhvat, privatizon dhe dhunon. Në 364 ditë tjera, ajo është vetëm një leckë ku derdhet helm, pezm dhe bërllok. Në këtë logjikë gjatë tërë vitit, gjenden forma kreative për t’i ikur tatimeve, për të mos paguar obligime komunale, për të marrë një dokument «shpejt e shpejt», pa pritur radhën si të gjithë vdektarët e tjerë që nuk kanë ndonjë «të afërm» andej rrotull.

Megjithatë, ky keqkuptim madhor i konceptit të shtetit dhe përgjegjsisë për të nuk është rastësor. Në këto 17 vjet çlirim dhe 8 vite pavarësi, shqiptarët e Kosovës – burri si bartës kryesor i pushtetit politik, ekonomik dhe moral – e kanë trajtuar Kosovën si shtet dhe si ambient, njëlloj sikurse e trajtojnë gruan në shtëpi.

Fatkeqsisht edhe tani, përgjegjësia dhe sjellja e burrit kosovar në shtëpi është gati si e një njëriu të hendikepuar fizikisht dhe mendërisht. Në shtëpi ai gjen gjithçka të gatuar, të larë, të hekurosur, të sistemuar, ndonëse ndoshta kurrë nuk ka marrë pjesë në ndonjë nga këto aktivitete. Në shtëpi të vet sillet jo vetëm si i huaj, por si i paaftë fizikisht për të qenë pjesë e mbarëvajtjes së përgjithshme. Është gruaja (bashkëshortja, e bija, nusja) e cila duhet të rivendosë rregullin minimal pasi ky i hendikepuar të ketë ngrënë, të ketë bërë një rrëmujë tjetër në dhomë, të ketë urinuar me nge… Në shoqëri më pak të sëmura, përgjegjësi të tillë kam parë që njerëzit kanë vetëm ndaj kafshëve shtëpiake.

Jashtë shtëpisë, kjo sjellje transferohet edhe në mënyrën se si trajtohet ambienti publik. Pra, si trajtohet, rruga, lagjja, parku, transporti publik etj. Dhe këtu hise kanë të gjitha gjinitë. Pyje të tëra të prera, kodrina të mbushura me bërllok. Kulmi i gjithë kësaj është logjika e «riciklimit» të bërllokut nëpër lumenj e liqene. Bëjeni ndonjë shëtitje të vogël nëpër Kosovë. Gjysma e hapësirave ujore është e mbushur me shishe të plastikës, mbeturina duri e metali. Në lumenj «riciklohen» edhe shporetë të prishur dhe mobilje të thyera. As në vendin ku jetoj unë, mbetje të tilla nuk do t’i merrte kurrë përsipër kompania e pastrimit. Por është përgjegjësi individuale për t’i dërguar ato në deponi të caktuara apo në vende ku do të shiteshin për skrap.

Derisa në shtëpi secilën parregullësi dhe mbeturinë konsumi e sistemon gruaja, jashtë shtëpisë gruaja është kryesisht lumi, liqeni apo përroi më i afërt. Edhe shprehja «e mori lumi» ose, siç thuhet në Anamoravë, «e hangër prroni», duket si një metaforë e mirë për të spjeguar këtë logjikë. Pra, mendimi primitiv se lumi ha gjithçka, se uji tretë gjithçka pa gjurmë. Por, për dallim prej gruas në shtëpi, lumi dhe «shteti» megjithatë nuk arrijnë të përpijnë çdo mbetje materiale dhe jo-materiale që lëshohet.

E gjithë kjo praktikë e pacipë dhe sjellje që u ngjason organizimeve para-njerëzore i atribuohet në fund paaftësisë së «shtetit» për të vënë rregull në hapësirat publike. Perceptimi për «shtetin» e ka bërë atë si ndonjë personazh të përrallave, i cili duhet të përpijë shishet e konsumit dhe gjithë mbeturinat gurore dhe drurore brenda natës. Ashtu siç përpin gruaja në shtëpi gjithë llumin e konsumit deri sa «burri» dhe të tjerët sorrollaten rrugëve.

Ky alienim total i ekzistencës dhe përgjegjsisë ndaj shtëpisë reflektohet direkt edhe në alienimin e përgjegjësisë në mbarëvajtjen, mbrojtjen dhe kontributin qytetar ndaj ambientit përreth, qytetit dhe shtetit krejt në fund.

Prandaj festimi i ditës së pavarësisë nuk ka kuptim vetëm për faktin se Serbia – të cilën na e larguan të tjerët – nuk është më apo se deklarativisht ne e bëmë Kosovën tonën. Fitore dhe arsye për të festuar nuk do të duhej të jetë fakti që Kosova nuk është më e pushtuar nga Serbia, por se Kosova nuk është e pushtuar nga bërlloku anembanë.

Festimi më i mirë do të ishte marrja e përgjegjësisë individuale, pavarësisht nëse je taksist, kirurg, bankier apo teneqepunues. Përgjegjësi ndaj punës, të tjerëve dhe ambientit. Mbi të gjitha përgjegjësi ndaj shtëpisë tënde dhe ndaj gruas – jo robit tënd!