30 ditë paraburgim për Bernard Përlazrin, i cili dyshohet për vrasjen e Hekuran Morinës

Gjykata Themelore në Prizren, të hënën ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Bernard Përlazrit, i dyshuari kryesor për vrasjen e Hekuran Morinës.




Zëdhënësja e kësaj gjykate, Afërdita Kicaj, ka bërë të ditur se gjyqtari i procedurës paraprake ka vendosur për këtë masë për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, pastaj veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë dhe veprën penale mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, shkruan sot Koha Ditore.

«I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së ndalimit, nga data 9 tetor 2015 dhe do të zgjasë deri me datën 9 nëntor 2015. Gjyqtari i procedurës paraprake e miratoi kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, të datës 10 tetor 2015, e cila kërkoi mbajtjen në paraburgim të të pandehurit», ka thënë Kicaj.

Përlazri ishte arrestuar ditë më parë. Në bazë të deklaratave të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, ai qe prangosur në fshatin Pozharan të Gjilanit.