18 sulme seksuale në një festival muzike në Gjermani – arrestohen tre pakistanezë

Policia ka arrestuar tre meshkuj pasi që 18 femra kanë raportuar të kenë qenë viktima të sulmeve seksuale gjatë një festivali muzikor në Gjermani, kanë thënë autoritetet atje.




Femrat, kryesisht të reja, kanë thënë të jenë rrethuar dhe prekur nga grupe meshkujsh të shtunën mbrëma.

Sulmet e këtyre grupeve rikthejnë në kujtim festimet kaotike të Vitit të Ri në Cologne.

Policia thotë se janë duke hetuar nëse kryesit e këtyre veprave edhe i kanë plaçkitur femrat në sulmet e fundit në festivalin katërditor në ambient të hapur në qytetin perëndimor të Darmstadtit.

Fillimisht tre femra kishin hapur rast, duke çuar kështu në arrestimin e tre meshkujve, azilkërkues nga Pakistani të moshave 28 deri në 31 vjeç, ndërsa që nga atëherë janë paraqitur edhe 15 femra tjera.

Policia thotë se janë në kërkim edhe të dy apo tre meshkujve tjerë dhe, përmes një deklarate, thanë se «femrat kanë raportuar se meshkujt janë dukur të jenë nga rajoni i Azisë Jugore».

Sulmet në Cologne – të kryera në një turmë kryesisht nga meshkuj arabë e afrikano-veriorë – tronditën Gjermaninë dhe thelluan brengën publike për ardhjen e mbi 1 milion azilkërkuesve vitin e kaluar, kryesisht nga Lindja e Mesme.