130 të vdekur: Arrestohet në Gjermani një boshnjak në lidhje me sulmet terroriste në Paris

Autoritetet gjermane arrestuan një boshnjak 39-vjeçar. Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në atentatet e islamistëve në Paris para katër viteve.




Në nëntor 2015 disa sulme terroriste tronditën Parisin. Ekstremistë islamistë hapën zjarr ndaj stadiumit Stade de France, sallës së koncerteve Bataclan dhe disa restoranteve. Me atë rast u vranë 130 njerëz. Katër vite pas kësaj masakre të madhe autoritetet gjermane arrestuan një të dyshimtë. Bëhet fjalë për një 39-vjeçar nga Bosnja. Ai po kërkohej me fletarrest europian të lëshuar nga autoritetet belge për shkak të përkrahjes së një organizate terroriste. Drejtësia gjermane do të vendose nëse boshnjaku do t’i dorëzohet Belgjikës. Boshnjaku ishte rënë në sy të hetuesve në kuadër të një hetimi tjetër. Ai dhe një bashkëvendës i tij dyshohet se kanë shkelur ligjin për kontrollin e armëve luftarake.

Ekzistojnë dyshime se terroristët e Parisit disa armë mund t’i kenë siguruar nga rrjetet ballkanike të kontrabandës. Pak ditë para sulmeve të Parisit hetuesit ndalën një veturë në autostradën Salzburg-München, ku gjetën armë dhe eksploziv. Shoferi, një 51-vjeçar nga Mali i Zi, kishte me vete tetë kallashnikovë AK-47 me municion, dy revole, tri granata dore dhe 200 gramë eksploziv TNT. Në navigacionin e veturës si cak ishte dhënë Parisi. Hgetuesit gjermanë njoftuan kolegët francezë, të cilët me gjasë nuk e morën seriozisht alarmin.