A po anon Evropa kah e djathta ekstreme?

Më e udhës se paralajmërimi «që t’i vihet veshi thirrjes për marshimin e së djathtës ekstreme anembanë Evropës», do të ishte thirrja se Evropës dhe shumë qytetarëve të saj u ka humbur rruga dhe po mundohen të gjejnë zërin e përfaqësimit të tyre

Mu në Hofburg të Vienës. Foto: dinkaspell / Shutterstock.com



Kokëçarjet kanë përfshirë qarqet qevritare anembanë Evropës pasi kandidati populist i së djathtës ekstreme shënoi sukses të jashtëzakonshëm në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Austri.

«Triumf për të djathtën ekstreme», ka proklamuar gazeta spanjolle, «El Pais». Britanikja «Guardian» ka paralajmëruar se «trazira» na presin. Italiania «Corriere della Sera» e ka cilësuar fitore «për të djathtën ekstreme antiemigrante», derisa gjermanja «Frankfurter Allgemeine Zeitung» u ka bërë thirrje partive politike tradicionale që «t’ia vënë veshin kësaj thirrjeje zgjimi!»

Shumica e gazetave kanë parë lidhje ndërmjet fitores së rëndësishme të Norbert Hoferit dhe rolit qendror të Austrisë në krizën e emigrantëve të Bashkimit Evropian.

«Në Austri, qeveritë evropiane shohin pasqyrën e së ardhmes së tyre. Po ngrihen tensionet sociale», është shkruar në një tjetër editorial që ka parashikuar ngritje të së djathtës ekstreme në Evropë.

Por shkruesi i editorialit nuk e kishte fjalën për zgjedhjet e së dielës.

Gazetari trockist, Peter Schwarz, ka hedhur në letër mendimet e tij gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, diku në shkurtin e vitit 2000 kur Partia e Lirisë (FPÖ) i ishte bashkuar për herë të parë koalicionit qeveritar austriak.

Atëherë, lideri karizmatik dhe kundërthënës i partisë, Joerg Haider, kishte provokuar reagim të sertë në vend dhe jashtë tij pasi kishte lavdëruar Waffen SS-in e Hitlerit, duke shprehur qëndrime të forta antiemigrante dhe euroskeptike.

Atëherë po jetoja në Vjenë dhe raportoja për dhjetëra mija protetsuesit anti-Haider, që po brohorisnin «Kurrë më!» në Heidenplatz – sheshi embelmatik në qendër të Vjenës ku Hitleri kishte zgjedhur të festonte aneksimin e Austrisë më 1938.

Evropa ishte tmerruar prej përfshirjes së Partisë së Lirisë në qeveri. Për herë të parë në historinë e BE-së, të gjitha shtetet e tjera anëtare i kishin vënë sanksione sipas hesapeve të veta. Ishin ngrirë marrëdhëniet me Vjenën. Austria ishte tëhuajësuar.

Atëherë. Ama, jo tani.

Tash të gjithë i kanë çuar vetullat, por nuk është bërë asgjë më shumë.

Austria nuk po i kalon tani ditët e saj më të mira. Grupet e së djathtës ekstreme po çojnë krye anembanë BE-së me britma të jehonshme antiemigrante dhe slogane euroskeptike. Po fitojnë terren në elektorate në Itali, Gjermani, Danimarkë, Suedi, Greqi, Francë dhe Holandë.

Andaj, a do të thotë kjo se Evropa po shkon kah e djathta ekstreme? Unë do të thosha se jo.

Një numër partish politike kanë eksiztuar dhe kishin gëzuar popullaritet në vitet 2000 – si Partia Popullore e Danimarkës, Liga Veriore e Italisë dhe Fronti Kombëtar i Francës.

Por çfarë tani përnjëmend ndryshon është se çështjet e bukës e gjalpit janë kthyer në rendin e ditës.

Kjo ka ardhur si rrjedhojë e shokut toksik të publikut evropian – si pasojë e krizës së fundit të emigrantëve dhe krizës ekonomike të vitit 2008 që i dha zjarr krizës së euros.

Duke sfiduar (por pa ua qajtur asnjëherë hallin) imigrimit, integrimit, euros, BE-së dhe establishmentit, e njëherësh duke promovuar fuqishëm ndjenjën nacionaliste, është bërë çështje «salonfähig», siç do të thoshin gjermanishtfolësit.

Kjo nënkupton se kjo qasje është e pranueshme kur shihet prej prizmit social.

Dhe ka edhe diçka tjetër që po përhapet anembanë Evropës.

Pakënaqësia, cinizmi dhe refuzimi i sertë i partive politike tradicionale (si dhe biznesev e elitave), shumë prej të cilëve kanë qenë në pushtet në Evropën Perëndimore në njëfarë forme qysh prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Kjo, bashkë, me zjarrin e së djathtës ekstreme, po u prijnë votuesve të dalin në zgjedhje në shenjë proteste ose që të kërkojnë alternativa të teja politike – e që po u shkon për shtat partive populiste të Evropës.

Por ato dallojnë shumë në përmbajtjen e tyre politike prej së majtës ekstreme deri te partitë e së djathtës ekstreme populiste. Kanë vlera dhe qëllime të ndryshme.

«Agimi i Artë» neonazist në Greqi nuk mund të futet në të njëjtin thes politik me UKP-in antiestablishment, që angazhohet për daljen e Mbretërisë së Bashkuar prej BE-së.

Është pasaktësi e madhe nëse grumbullohen të gjitha këto parti si dëshmi e ngritjes së të djathtës ekstreme. Ne gjithashtu nuk e dimë nëse zoti Hofer do të fitojë zgjehdjet presidenciale të Austrisë në raundin e dytë që mbahet muajin e ardhshëm.

Fronti Kombëtar i Francës shpeshherë ka pësuar goditje e sprapsje në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale e rajonale.

Më e udhës se paralajmërimi «që t’i vihet veshi thirrjes për marshimin e së djathtës ekstreme anembanë Evropës», do të ishte thirrja se Evropës dhe shumë qytetarëve të saj u ka humbur rruga dhe po mundohen të gjejnë zërin e përfaqësimit të tyre.

(«BBC»)